Eko Higjiena

Zyrtarizohet aktakuza ndaj Xhavit Hajdarit

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Sipas aktakuzës Xhavit Hajdari dyshohet për nxjerrje të vendimeve të kundërligjshme,shpërdorim të pozitës zyrtare, arkëtim dhe pagesa të paligjshme.

Në Gjykatën e Qarkut në Gjilan është konfirmuar zyrtarisht aktakuza ndaj Xhavit Hajdarit ,drejtor rajonal në spitalin e Gjilanit. Gjykatësi i procedurës paraprake Abdullah Ahmeti e ka konfirmuar për Rajonipress se Hajdarit i është konfirmuar zyrtarisht aktakuza.

Sipas aktakuzës Xhavit Hajdari dyshohet për nxjerrje të vendimeve të kundërligjshme,shpërdorim të pozitës zyrtare,arkëtim dhe pagesa të paligjshme.
Prokuroria e Qarkut në Gjilan e akuzon Hajdarin,nën dyshimin e bazuar se më 11 shkurt 2010 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete ose për organizatën e biznesit,duke qenë në pozitën e drejtorit ekzekutiv në spitalin e Gjilanit ka keqpërdorur pozitën zyrtare.

Sipas aktakuzës të ngritur nga prokurori Shaban Spahiu, Hajdari ka vepruar në kundërshtim me udhëzimin administrativ si dhe në kundërshtim me statutin e spitalit, duke nxjerrë një vendim që ka obliguar pacientët që për çdo operacion të paguajnë shumën prej 50 eurove, si dhe për hapjen e historisë shumën prej 30 eurove si dhe ka obliguar pacientët që për qëndrimin më shumë se pesë ditë në spital të paguajnë shumën prej 4 eurove.

Aktakuza saktëson se Hajdari me këto veprime ka dëmtuar pacientët duke i detyruar ata që të participojnë .Shuma e inkasuar në mënyrë të kundërligjshme arrin vlerën e 11 mijë e 450 eurove. Hajdari dyshohet për veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe për veprën e dytë penale “arkëtimi dhe pagesa e paligjshme”.

UBT

Për veprën e dytë Hajdari dyshohet se ka vepruar në kundërshtim me ligjin mbi shëndetësinë kosovare sepse ka obliguar në participim të detyrueshëm rreth 46 fëmijë dhe të rinj nën moshën 15 vjeçare si dhe 11 qytetarë –pacientë mbi moshën 65 vjeçare në shumat e detyrueshme prej nga 50 euro.

Vet, Xhavit Hajdari në deklarata e tij në hetuesi dhe prokurori ka thënë se udhëzimi për participim është nxjerrë në përputhje me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas aktakuzës ,Hajdari ka thënë se vendimin e ka nxjerr kinse për të vënë një rend,rregull dhe shkurtimin e kohës së pritjes për operacione,ndërsa mjetet që janë inkasuar bashkë me të hyrat tjera vetanake përmes Bankës së Biznesit Privat janë deponuar në xhirollogarinë e Ministrisë së Financave,e nga aty për në Ministrinë e Shëndetësisë,duke shtuar se nga këto mjete të grumbulluara asgjë nuk ka përvetësuar,vet si drejtor e as zyrtarë tjerë të këtij institucioni.

Në procesin gjyqësort që pritet të zhvillohet së shpejti Hajdari pritet të ballafaqohet me palët e dëmtuara dhe policët hetues./rajonipress/