Zyrtarët e lartë ‘zaptojnë’ shumë vende pune

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Prishtinë – “Çfarë supermena janë ata që mbajnë nga pesë vende të punës”. Kështu iu drejtua kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, bartësve të funksioneve publike të cilët punojnë në më shumë se një vend të punës. Ai kishte pyetur nëse këta zyrtarë të lartë janë në gjendje që t’i kryejnë si duhet detyrat në gjithë ato vende pune!

Përfaqësuesit e shoqërisë civile vlerësojnë për Telegrafin se pushteti ua lejon zyrtarëve të lartë të “zaptojnë” sa më shumë hapësirë,e cila sipas tyre po rezulton me pasoja negative, si në dëmtimin e buxhetit publik,ashtu edhe në mos efikasitetin në angazhimet e tyre në më shumë vende pune.

Fidan Kalaja nga Organizata FOL, tha për Telegrafin se zyrtarët e lartë, edhe pse janë përballur me presionin e shoqërisë civile për ndryshimin dhe kompletimin e bazës ligjore për parandalimin e konfliktit të interesit, ata janë kujdesur që t’i krijojnë rrethanat që ta legalizojnë këtë.

“Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit duhet që të ndryshohet dhe të parashohë sanksione për zyrtarët të cilët janë të angazhuar në shumë vende pune”, tha Kalaja, duke theksuar se besimi i qytetarëve të Kosovës karshi institucioneve publike në vitet e fundit ka rënë dhe këtë e dëshmojnë shumë raporte, analiza dhe hulumtime nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare.

Avni Zogiani nga Organizata ÇOHU ka deklaruar se pajtohet me fjalët e sipërpërmendura të Jakup Krasniqit. Ai shton se nuk duhet të befasohemi pse bartësit e funksioneve publike i mbajnë gjithë ato vende të punës. Kjo, sipas tij, s’është gjë tjetër veçse lojë me një shoqëri të tërë.

KKVITI

“Ata mund t’i kenë jo një, as dy, as pesë, po sa të duan vende të punës”, ka theksuar Zogiani.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, vlerëson se mbajtja e shumë vendeve të punës nga bartësit e funksioneve publike, mund të ndikojë në moskryerjen e punës me efikasitet.

“Por, ligji nuk ndalon që bartësi i funksionit publik të punojë jashtë orarit të punës në institucionet e arsimit të lartë” , tha ai.

Popovci vlerëson se institucionet e arsimit të lartë nuk mund t’i largojnë mësimdhënësit të cilët janë bartës të funksioneve publike, sepse, sipas tij, nuk kanë me kë t’i zëvendësojnë.“Në Kosovë ka mungesë të stafit akademik”, thotë ai.