Zyrtare: Salihi në Jiangsu Sainty

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi, ka plotësuar dëshirën që nuk e plotësoi gjatë vitit të kaluar. Salihi vitin e kaluar pati mundësinë për të shkuar drejt futbollit kinez, mirëpo në fund gjithçka ndryshoi edhe ai u transferua te DC United në SHBA. Epo, Salihi tani mund të quhet pjesëtar i futbollit në Kinë. Salihi të hënën ka kompletuar transferimin e tij nga DC United te skuadra kineze, Jiangsu Sainty.
Lajmin për transferimin e Salihit te kjo skuadër, e kanë konfirmuar vetë këta të fundit përmes një njoftimi në ueb-faqen e tyre në internet, transmetojnë mediat amerikane. Salihi pritet t’i bashkohet skuadrës së tij të re në Turqi, atje ku ata po kryejnë fazën përgatitore para fillimit të pjesës së mbetur të stinorit në Kinë. Afati kalimtar në këtë vend përfundon më 1 mars, andaj Salihi vendosi që pasi nuk ka zgjidhje tjera, të nënshkruante me këtë klub nga Kina.
Vetëm ditë më parë, mediat amerikane kishin njoftuar se ‘bomberi’ i Kombëtares ishte pranë marrëveshjes me skuadrën tjetër nga Kina, FC Tianjin Teda, mirëpo gjërat ndryshuan në fund dhe Salihi përfundoi te Jiangsu Sainty. Forma jo e mirë që sulmuesi shqiptar tregoi me DC United bënë që ai ta humb besimin e trajnerit dhe të krerëve të klubit, të cilët vendosën ta largojnë atë nga skuadra.
Salihi gjithashtu humbi vendin e titullarit te Kombëtarja shqiptare, ndërsa ai nuk ka marrë ftesë për miqësoren e së mërkurës, që Shqipëria do ta zhvillojë kundër Gjeorgjisë. (ORAinfo)