Hidromorava

Zyrën në objektin e mikut, kunatin në Komunë

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Nga zyra e tij në objektin e një pompe të dikurshme benzine në Pasjan, pronë e një miku të tij që e ka mbështetur në fushatë, kryetari i Parteshit ka drejtuar projektet e ndërtimit të një parku lodrash, një rruge përreth kishës dhe shtëpisë së kulturës.

Por banorët ankohen për shtratin e lumit, kanalizimin, ndotjen, rrugët e pashtruara, pasigurinë e urave dhe punësimin me të njofshëm në komunë duke filluar nga kunati i Kryetarit.

E krijuar si komunë në bazë të marrëveshjes së Ahtisaarit, Parteshi drejtohet nga kryetari Nenad Cvetkoviq, i cili zyrën e tij e ka të vendosur në një pompë të dikurshme të benzinës në fshatin Pasjan, të po kësaj komune.

Pompa, sipas debatit “Jeta në Komunë”, i përket një qytetari i cili i ka ndihmuar gjatë fushatës kryetarin Cvetkoviq.

Kryetari e ka pranuar se pompa i takon Jetvi Zoranit, i cili është mik i tij. Ai as nuk e ka përjashtuar mundësinë që Zoran të ketë lobuar që të merrte pushtetin në zgjedhjet lokale të 2009-tës në Partesh.

Mirëpo, njohja me këtë qytetar, ka thënë ai, nuk është arsyeja përse komuna është vendosur në atë objekt.

“Kur kam filluar, kemi punuar në një hapësirë në Partesh. Pastaj Ministria e Pushtetit Lokal, atëkohë ministër ishte Sadri Ferati, shpalli konkurs që qytetarët privatë të paraqesin objekte të tyre në të cilat do të mund të vendoset komuna. Qytetarët kanë aplikuar, ministria dërgoi komisionin”, thotë Cvetkoviq.

Ai thotë se në këtë rrethinë nuk ka pasur ambient më të përshtatshëm ndërsa arsyetohet se, tek e fundit, tenderi për objektin është hapur nga ministria e jo nga komuna.

Nga kjo zyrë, Cvetkoviqi ka drejtuar punët për ndërtimin e një parku me lodra në qendër të Parteshit, një rruge përreth kishës së këtij fshati, një fushe futbollit si dhe një objekt të ri për komunën dhe shtëpinë e saj të kulturës.

Këto janë disa nga sukseset me të cilat komuna e re mburret. Mirëpo, ka edhe projekte ndaj të cilat përcillen me ankesa.

Parteshi ka ndërtuar një godinë në fshatin Pasjan që planifikon ta përdorë si spital, mirëpo ajo nuk ka filluar të shërbejë qytetarët për shkak të mungesës së pajisjeve dhe stafit mjekësor.

Kryetari i Komunës thotë se spitali, sipas planit të Ahtisaarit, nuk është kompetencë e komunës por e Ministrisë së Shëndetësisë. Ai shton se, megjithatë, ka shtyrë për funksionalizimin e spitalit në biseda me kryeministrin dhe zyrtarë të ambasadave të huaja në Kosovë.

Fundamenti

Edhe pse Parteshi ndodhet shumë afër spitalit regjional të Gjilanit, kreu i Parteshit thotë se ky spital në komunën e re është i nevojshëm pasi në atë të Gjilanit nuk punon asnjë serb. Cvetkoviq zotohet se spitali do të jetë i gatshëm të presë pacientë deri në fund të këtij viti.

Zyrtarët e opozitës ndërkohë kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre rreth realizimit të projektit të rregullimit të shtratit të lumit në këtë komunë.

Goran Millosheviq, deputet nga partina SSDS, thotë se në këtë projekt të pakryer ka kohë që nuk po punohet. Ai shton se ky projekt dhe parat e ndara për të nuk janë shfrytëzuar si duhet pasi që cilësia e punëve është shumë e dobët.

“Shih si i kanë vendosur gurët. Nuk e kanë bërë punën si duhet. Ata thjesht kanë hedhur çimento me lopatë”, ankohet banori Sima Stoliq.

Banori tjetër i Parteshit, Srxhan Petkoviq, ankohet se përpos shtratit të lumit, kryetari i komunës nuk e ka përmbushur as projektin për kanalizimin e fshatit.

Por Cvetkoviq ka thënë se projekti në lumë nuk është përfunduar ende në mungesë të parave, ndërsa se kanalizimi është projekt në kryerje e sipër.

Rreth gjashtë mijë banorët e komunës së Parteshit, të cilët kryesisht vijnë nga radhët e komunitetit serb, ankohen edhe për nivelin e lartë të ndotjes, mungesën e sigurisë në urat të cilat kalojnë mbi lumenj e të cilat sipas banorëve paraqesin rrezik për fëmijët, si dhe për gjendjen e keqe të rrugëve të fshatit.

Kryetari Cvetkoviq thotë se një ekip është duke punuar për pastrimin e mbeturinave ndërsa ka thënë se rrugët, që janë problem i trashëguar, do të rregullohen.

“Gjatë mandatit tim ato do të asfaltohen”, thotë Cvetkoviq.

Banorët ankohen edhe për punësim me të njofshëm në organet e komunës. Vetë Cvetkoviqi ka pranuar se kunati i tij Goran Kostiq punon në administratën komunale, por ai ka thënë se Kostiqin nuk e ka punësuar ai, por se është pranuar me konkurs.

Në raste tjera, njerëzit figurojnë si të punësuar e marrin rroga ndonëse nuk gjenden në vendin e punës. Një shembull, sipas përfaqësuesve të opozitës, është rasti i Gradimir Zdravkoviqit i cili aktualisht ndodhet në azil në Luksemburg ndërsa figuron si punonjës shkolle në Partesh.(gazetajnk)