Zyra e Punësimit në Viti informon nxënësit për mundësitë e punësimit dhe aftësimit profesional
Viti – Zyra e Punësimit në Viti ka organizuar sesione informuese me nxënësit e Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” dhe të Shkollës së Mesme Profesionale “Jonuz Zejnullahu”, me qëllim të prezantimit të shërbimeve të punësimit, mundësive për aftësim profesional dhe orientimit të të rinjve drejt tregut të punës.
Gjatë këtyre takimeve, përfaqësuesi i shërbimeve të punësimit, Isuf Behluli, ka prezantuar shërbimet që ofron Zyra e Punësimit, duke i informuar nxënësit për mundësitë dhe mekanizmat institucionalë që mund t’u ndihmojnë në ndërtimin e rrugëtimit të tyre profesional.
Ndërkaq, Arbnora Azemi, këshilltare për punësim në kuadër të Projektit të Skemës së Asistencës Sociale (SAS), në bashkëpunim me zyrtarin për shërbime sociale, Adil Islami, kanë prezantuar qëllimin e këtij projekti, funksionimin e tij dhe mundësitë që ofron për integrimin e përfituesve të skemës në tregun e punës.
Përmes këtyre sesioneve informuese, synohet që nxënësit të kenë njohuri më të qarta për shërbimet institucionale, mundësitë e punësimit, programet e aftësimit profesional dhe rëndësinë e orientimit të hershëm në karrierë.
Takime të tilla vlerësohen si një mundësi për të afruar institucionet e punësimit me të rinjtë, duke i informuar ata për sfidat dhe mundësitë që i presin pas përfundimit të shkollimit, si dhe për t’i orientuar drejt përgatitjes profesionale dhe përfshirjes aktive në tregun e punës./rajonipress/

