UBT

Zymer Bytyqi kërkon largimin nga Sandnesi

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Zymer Bytyqi është i vendosur të largohet nga Sandnesi. Talenti shqiptar është lodhur duke qëndruar në bankinë dhe insiston se po i bëhet e padrejtë. 17 vjeçari ka kërkuar nga menaxheri i tij që t’ia gjejë një ekip të ri, pasi thotë se në klubin aktual vetëm mund të stagnojë. Trajneri Asle Andersen ka mbetur i shokuar me deklaratat e futbollistit në pronësi të Red Bull Salzburg.

Zymer Bytyqi dëshiron të largohet nga Sandnesi. Talenti kosovar është lodhur duke qëndruar në bankinë, kështu që e ka treguar publikisht vendosmërinë e tij për t’u larguar nga klubi norvegjez.

17 vjeçari u huazua tek Sandnesi nga Red Bull Salzburg, ku nuk pati hapësira. Por, as në kampionatin norvegjez nuk po shkojnë punët mirë për futbollistin që hyri në histori të futbollit norvegjez si lojtari më i ri që kishte shënuar gol: 15 vjet e 261 ditë.

“Nuk mund të vazhdoj kështu. Është diçka frustuese që nuk luaj në këtë skuadër. E di se jam shumë më i mirë se shumë lojtarë që kanë ardhur këtu. Ndër të tjera, disa prej tyre kanë pasur paraqitje nën nivelin e tyre në ndeshjet e fundit. Unë thjeshtë jam i shokuar që trajneri nuk ma jep rastin. Jam në formë të shkëlqyeshme dhe këtë e kam konfirmuar me ekipin B”, deklaroi Bytyqi për të përditshmen Sandnesposten.

“Unë nuk përshtatem në stilin e Sandnes. Në vend të zhvillimit, ky ekip po më shkatërron. Ky ekip fokusohet shumë në defanzivë”, vijoi ai.

Uji Dea

Bytyqi ka kërkuar nga menaxheri i tij, Jim Solbakken që t’ia gjejë një ekip tjetër për sezonin tjetër, pasi që nuk dëshiron të punojë më me trajnerin Asle Andersen.

“Nuk mund të rri këtu. Kam nevojë ta gjej një klub të ri. Nëse jo, unë do të stagnoj komplet”, vazhdoi Bytyqi, i cili i ka zhvilluar vetëm tri ndeshje në kampionatin norvegjez këtë sezon.

Ndërkohë, trajneri Andersen ka mbetur gojëhapur kur ka dëgjuar deklarata të tilla nga Bytyqi. “Ky është një gjest i pamatur i Zymerit, në veçanti në kontestin që jemi aktualisht. I kemi pesë ndeshje finale përpara nesh dhe kemi nevojë për lojtarë që janë të bashkuar dhe që janë gati të derdhin gjak për këtë fanellë, e jo që e vendosin veten përpara skuadrës”, tha ai.

Andersen kërkoi nga Bytyqi të flasë më pak dhe të punojë më shumë, për të fituar më shumë minutazh. Mirëpo, talenti kosovar duket i vendosur për t’i bërë valixhet gati dhe për të ikur nga Sandnesi.