Premtimi për uniformat shkollore mbetet i parealizuar, Liresa Kosumi Ibrahimi kritikon Alban Hysenin dhe Drejtorinë e Arsimit
Gjilan – Liresa Kosumi Ibrahimi (PDK), ka kritikuar ekzekutivin e Komunës së Gjilanit, të udhëhequr nga kryetari Alban Hyseni, si dhe Drejtorinë e Arsimit, për mosrealizimin e premtimit për mbulimin e shpenzimeve të uniformave shkollore. Ajo e ka cilësuar këtë si një tjetër dështim të qeverisjes komunale, duke vënë në pah barrën financiare që, sipas saj, vazhdojnë ta bartin drejtpërdrejt prindërit e nxënësve.
Në reagimin e saj, Kosumi Ibrahimi ka shprehur pakënaqësi për faktin se familjet po detyrohen t’i paguajnë vetë uniformat shkollore, ndonëse mbulimi i këtyre shpenzimeve ishte pjesë e zotimeve elektorale të kryetarit Alban Hyseni.
Sipas saj, është e papranueshme që një premtim i tillë të mbetet vetëm në nivel deklarativ, ndërkohë që prindërit vazhdojnë të përballen me shpenzime shtesë për arsimimin e fëmijëve të tyre.
Ajo ka drejtuar kritika edhe ndaj drejtorit të Arsimit, Jeton Rexhepi, duke e konsideruar mosrealizimin e këtij zotimi si dështim të përgjegjësisë institucionale dhe të menaxhimit të sektorit të arsimit.
Çështja merr rëndësi të veçantë edhe në raport me zotimet e paraqitura gjatë fushatës zgjedhore. Sipas të dhënave të publikuara në platformën GAP, mbulimi i shpenzimeve për uniformat e nxënësve figuron ndër premtimet elektorale të kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni.
Megjithatë, sipas reagimit të Kosumi Ibrahimit, ky zotim ende nuk është përmbushur nga ekzekutivi komunal dhe Drejtoria e Arsimit, duke bërë që kostoja e uniformave të mbetet përgjegjësi financiare e familjeve.
Premtimet për lehtësimin e barrës ekonomike të prindërve në arsim kërkojnë jo vetëm deklarime publike, por edhe zbatim konkret. Mbetet të shihet nëse ekzekutivi komunal dhe Drejtoria e Arsimit do të japin sqarime për mosrealizimin e këtij zotimi dhe nëse do të ndërmarrin hapa për ta përmbushur atë./rajonipress/

