UBT

Zylqifi bllokon Grandin

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Rasti i Hotelit Grand përfundon në Gjykatën Supreme. Ish-pronari Zylqif Berisha ka ushtruar padi ndaj vendimit të AKP’së për tërheqje të aksioneve, me çka e ka bllokuar procesin e privatizimit të kësaj ndërmarrje. Ai pret kthimin e tij si pronar legjitim, derisa AKP synon ta ritenderojë hotelin.

Pa e thënë fjalën e vet Gjykata Supreme, Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk mund ta marrë asnjë hap para për ritenderimin e Hotelit Grand. Ish-pronari Zylqif Berisha dhe AKP-ja po zhvillojnë betejë ligjore në gjykatë se kush është pronar legjitim.

Kjo e bllokon edhe për një kohë të ardhmen e Hotelit Grand.

Njëherë për njëherë, Dhoma e Posaçme e Gjykatës ka vendosur masë të përkohshme, me të cilën ia ndalon AKP-së shitjen e pronës së Hotelit Grand te një palë e tretë. Ndërkaq, aktualisht hoteli po administrohet nga AKP-ja, pasi ua mori aksionet pronarëve për mospërmbushje të zotimeve.

Përmes avokatëve të tij, ish-pronari Zylqif Berisha ka thënë se Agjencia e Privatizimit ka vepruar njëanshëm kur ka tërhequr aksionet në Hotelin Grand duke mos i zbatuar rregullat dhe procedurën e përcaktuar me dispozitat e kontratës.

“Ne kemi paraqitur padi në Dhomën e Posaçme, me të cilën kemi kërkuar anulimin e vendimit të Bordit të AKP-së dhe veprimeve të mëpastajme të AKP-së si vendim dhe veprime ultra vires”, ka thënë Berisha përmes avokatit të tij Alexander Borg Olivier.

Përveç kësaj, Olivier thotë se ankesë është paraqitur edhe kundër vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që të bartë pronësinë e aksioneve nga Unio Commerce te AKP-ja si dhe vendimin e Agjencisë Kadastrale, me të cilën është ndryshuar pronësia e objektit në pronësi të Neëco Grand Hotel.

Uji Dea

“Unio Commerce ka investuar disa miliona në blerjen, renovimin dhe menaxhimin e Neëco Grand Hotel. Shuma e saktë e këtij investimi mund të përcaktohet në mënyrë objektive dhe të paanshme nga ekspertë, të cilët mund të caktohen në një procedurë arbitrazhi. Një procedurë e tillë nuk është iniciuar nga ana e AKP-së”, ka thënë Olivier.

Nga ana tjetër, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit thonë se janë duke e pritur vetëm vendimin e gjykatës para se ta ritenderojnë Grandin.

“Pas vendimit për tërheqje të aksioneve, Agjencia me vendim të bordit e ka futur nën masa të administrimit të drejtpërdrejtë Grandin, ndërkohë që pasoi masa e përkohshme e lëshuar nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, me çka AKP-së i pamundësohet të ndërmarrë veprime në lidhje me ritenderimin e hotelit. AKP do të vazhdojë me operimet në “Hotel Grand” deri në vendimin përfundimtar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës”, ka thënë zyrtari për media në AKP, Ylli Kaloshi.

Sipas tij, që nga marrja nën kontroll të drejtpërdrejtë të “Hotel Grandit” nga AKP, ndërmarrja ka pasur rritje të hyrash në veprimtaritë e saj, është arritur inkasimi i qirasë e borxheve, ndërmarrja ka arritur të paguajë shërbimet publike e komunale si dhe të rrisë të hyrat nga bujtjet si dhe të paguajë pagat e punëtorëve.

Në listat e pagave aktualisht janë 92 punëtorë, të cilët paguhen nga të hyrat e Grandit. Deri tani janë shpërndarë 4 paga për punëtorët dhe janë paguar edhe kontributet. Sipas Kaloshit, gjatë periudhës gusht-dhjetor në aspektin financiar është arritur të paguhen obligimet mujore të faturave për shërbime të ndryshme si rrymë, ujë, telefoni dhe ngrohje.

“Gjithashtu janë bërë riparime të vogla nëpër objekt për t’u vitalizuar disa pjesë të nevojshme të objektit, janë funksionalizuar dhomat për fjetje nga kati i 4-të deri në katin e 9-të. Mbulimi i këtyre shpenzimeve është bërë nga të hyrat e Hotelit që po sigurohen nga fjetjet, shërbimet e sallave (dhënia e sallave në shfrytëzim) dhe snack bari”, ka thënë Kaloshi.

Ndryshe, Hoteli Grand i është shitur Unio Commerce me pronar Zelqif Berishen përmes spin-off-it special në procesin e privatizimit, që është zhvilluar nga AKM-ja dhe pastaj edhe AKP-ja. Por, Bordi i AKP-së në maj të vitit të kaluar e mori nën administrim hotelin për mospërmbushje të zotimeve nga pronarët.(express)