Eko Higjiena

Zvogëlohen investimet

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Rishikimi i buxhetit për këtë vit ia ka zvogëluar financat shumë institucioneve të vendit. Më të prekur do të jenë Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe ajo e Financave. Ndërkaq, janë ngritur shpenzimet për paga, mallra e shërbime. Me rishikim u zvogëlua edhe shuma e mjeteve të parapara për investime kapitale.

Besim Beqaj dhe Bedri Hamza do të kenë më pak para në dispozicion për t’i shpenzuar deri në fund të vitit.

Me rishikimin e buxhetit, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, që e udhëheq Beqaj, i janë hequr 3.4 milionë euro nga planifikimi buxhetor. Ndërsa Ministrisë së Financave, në krye të së cilës është Hamza, i janë marrë 4.6 milionë euro për t’ua dhënë institucioneve tjera. Nga 43.9 milionë euro sa i ishin caktuar në fillim të vitit kësaj të fundit me rishikim i mbetën 39.3 milionë euro në dispozicion.

Këto shkurtime buxhetore nuk duken të jenë në të njëjtën vijë me deklarata e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, kur pati thënë se zhvillimit ekonomik do t’i jepet prioritet.

“Ky buxhet është buxhet i vazhdimit të zhvillimit ekonomik real të Kosovës, implementimit të shumë projekteve të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët, i rritjes së mirëqenies së qytetarëve, i vazhdimit të rritjes së pagave për punëtorinë kosovare, i reformave demokratike dhe buxhet i Kosovës evropiane”, pati thënë Thaçi me rastin e miratimit të buxhetit të vitit 2012.

Megjithatë, lëvizjet e mjeteve nga një konto e institucionit në tjetrin nuk kanë qenë aq të mëdha për të ngjallur pakënaqësi te organizatat buxhetore. Kjo del të jetë edhe arsyeja që nuk janë adresuar vërejtje të theksuara për këto ndryshime as në Kuvendin e Kosovës.

Këto ndryshime shumë pak shihet se do të ndikojnë në totalin e të hyrave dhe shpenzimeve të planifikuara për këtë vit.

Eco Higjiena

Shpenzimet në total, sipas raportit, janë rritur vetëm për 4 milionë euro në të dyja nivelet e qeverisjes, atë qendrore dhe lokale, pavarësisht se pragu i të hyrave dhe shpenzimeve është ngritur.

E veçantë duket të jetë ngritja e planifikimit të të hyrave nga Dogana e Kosovës nga 867 milionë euro sa është dashur t’i mbledhin këtë vit, plani i është rritur në 875 milionë euro.

Ndërkaq, kategoritë tjera të shpenzimeve në total, sipas të dhënave buxhetore të rishikuara, kanë pësuar ngritje kryesisht në paga dhe mëditje nga 407 milionë euro në 410 euro. Edhe shpenzimet për kategorinë e mallrave dhe shërbimeve janë rritur nga 198 milionë euro në 204 milionë euro. Ndërkaq, investimet kapitale janë tkurrur për rreth 2 milionë euro duke rënë në 615 milionë euro nga 617 milionë euro.

Në bazë të raportit të rishikuar, me paratë që i janë hequr disa organizatave buxhetore më së shumti do të përfitojë Ministria e Bujqësisë, të cilës do t’i shtohen edhe 1.5 milionë euro për shpenzime dhe Ministria e Arsimit me 2 milionë euro.

Gjithashtu përfitues do të jetë edhe Ministria e Tregtisë me 1.2 milionë euro dhe po aq buxhet i janë shtuar edhe Ministrisë së Infrastrukturës. Pa para nuk do të jetë as Kuvendi i Kosovës me 251 mijë euro, Zyra e Kryeministrit me 180 mijë euro e shumë institucione tjera.

Më pakë para deri në fund të vitit, me ndryshime në buxhet do të ketë Ministria e Punës për 2 milionë euro, derisa Ministria e Mjedisit do të ketë 1 milion euro më pak.

Ministria e Punëve të Brendshme është paraparë të ketë 1.6 milionë euro më pak dhe Ministria e Drejtësisë mbi 500 mijë euro më pak. Projektligji për rishikimin e buxhetit të vitit 2012 të enjten ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës dhe brenda dy javësh do të kthehet për votimin përfundimtar.(expres)