Zvicra i frikësohet ikjes së Kamberit
Florian Kamberi i ka vetëm shtatë minuta lojë në Superligën e Zvicrës në futboll, por tashmë është emër i njohur në këtë vend. Kamberi të dielën vendosi derbin e Zuerichut duke shënuar në minutën e 93-të për Grasshoppersin që fitoi 3:2 ndaj Zuerichut në kuadër të xhiros së tretë të kampionatit helvetik.
Trajneri i Zuerichut humbi punën, ndërsa 20-vjeçari Kamberi pushtoi faqet e mediumeve të mëdha zvicerane. Vetëm pasi shënoi gol me kokë për të vendosur derbin, mediumet në Zvicër nisën të pyesin se pse sulmuesi nuk ka luajtur asnjë ndeshje për grupmoshat e reja të Zvicrës. Kamberi është me prejardhje nga Kosova, por gazeta e madhe zvicerane “Blick” ka shprehur frikën se Kamberi mund të merret nga Shqipëria, shkruan sot Koha Ditore.
“Shqiptarët duan të na vjedhin Kamberin”, ka qenë titulli i shkrimit të “Blick” për futbollistin.
“Kujdes: Kamberi është zvicerano-kosovar me shtetësi të dyfishtë. Shqiptarët thuhet se e kanë xhevahirin e Grasshoppersit në listën e tyre”, ka shkruar “Blick”.
Kamberi është paraqitur në dy ndeshje këtë edicion.
http://koha.net/?id=6&l=69384


