Mobi Casa

Zvicerani Christophe Darbelley është shpallur qytetar nderi i Medvegjës

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Shqiptarët nuk duhet ta lënë veten pas dore. Ata duhet t’i kultivojnë traditat e tyre, rrënjët dhe marrëdhëniet me vendin e origjinës, thotë Darbelley.

Rreth 250’000 shqiptarë jetojnë në Zvicër. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Kjo është një potencial i madh për Zvicrën, dhe kjo gjë është e pakontestueshme. Zvicra është një vend me një popullsi gjithnjë e më të moshuar. Ne jemi të vetëdijshëm që pa integrimin e plotë të emigrantëve nuk mund t’ia dalim. Kemi nevojë këtu për këta njerëz. Ata këtu arsimohen, janë të integruar mirë, e dinë gjuhën tonë.Kjo është një gjeneratë që ka jetuar dhe jeton te ne. Ata këtu e kanë bërë edhe shkollën fillore. Është shumë e qartë që ata për mua janë zviceranët e rinj. Shumica prej tyre kanë pasaportë zvicerane dhe unë i konsideroj pjesë të vendit tonë. Shembulli më i mirë për këtë që e thashë është pa dyshim ekipi ynë kombëtar, në të cilin luajnë pesë ose gjashtë shqiptarë. Krejt kjo është dëshmia më e mirë e integrimit të suksesshëm, e kjo për ne është vendimtare. .. Nuk është lojë fjalësh, por realitet.

Çka mendoni, ku është kufiri ndërmjet integrimit dhe asimilimit, ngaqë ne në Diasporë shpesh «luftojmë» me këto dy nocione?

Unë jam kundër asimilimit, jam për integrim. Kjo do të thotë se njerëzit që kanë ardhur dhe jetojnë këtu të njihen me traditat dhe zakonet tona, të integrohen duke folur gjuhën tonë dhe duke i respektuar ligjet, si dhe duke jetuar nga puna që ndershmërisht e bëjnë. Në të njëjtën kohë, ata nuk duhet t’i harrojnë traditat e tyre, rrënjët dhe raportet me vendin e tyre të origjinës. Këtu për mua s’ka vend për kontradiktë. Unë jam për atë që ata t’i «thellojnë» rrënjët e tyre, por edhe të integrohen siç është më së miri në shoqërinë zvicerane. Komuniteti shqiptar këtu në Valais është veçanërisht i fortë… Në rrethin tim, Martigny, kemi shumë shoqëri shqiptare. Kemi me ta kontakte intensive dhe ato, në anën tjetër, kanë raporte të shkëlqyeshme me autoritetet lokale. Shoqatat shqiptare këtu në Valais kanë ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet popullsisë dhe autoriteteve. Ne e vlerësojmë këtë. Autoritetet lokale me besim të plotë vënë në dispozicion të këtyre shoqatave krejt infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve të tyre. Këtu në Valais jetojnë shumë njerëz nga e njëjta zonë e prejar dhjes – Lugina e Preshevës – dhe ata shkëlqyeshëm kultivojnë ritet, zakonet dhe folklorin e tyre. Ky kolorit kulturor është edhe pasuri jona. Me të vërtetë janë shumë tradicionalë, popullorë, dhe në të njëjtën kohë këta njerëz janë të gjithë shumë mirë të integruar në shoqëri. Pak kohë më parë, ne kishim për ta blerë një veturë të re për familjen tonë, dhe sekretarja që na i kreu të gjitha formalitetet është një vajzë e re nga Shqipëria, e njeriu nuk vëren asnjë dallim ndërmjet saj dhe punonjësve tjerë zviceranë në at garazh. Ajo është plotësisht e integruar dhe në të njëjtën kohë i ka ruajtur rrënjët e saj. Kjo ka shumë rëndësi.

Këta mërgimtarë, a janë në të njëjtën kohë edhe potencial zgjedhor?

Hidromorava

E pamohueshme, janë potencial i madh zgjedhor. Sipas mendimit tim, këta njerëz gjithashtu integrohen gradualisht dhe politikisht. Ata janë shtetas zviceranë dhe si të këtillë edhe bashkëpjesëmarrës në vendimmarrjet tona politike. Ata kan të drejtë për ta bërë këtë. Në Zvicër shkohet për të votuar disa herë në vit. Ata kanë të drejtë të kandidojnë për poste politike, e pse jo një ditë në Bernë, Valaisi të mos përfaqësohet nga një shqiptar. Kjo është absolutisht e mundur.

Po, shumë shqiptarë tashmë janë në politikë…

Po, ka shumë shqiptarë që po participojnë në politikë. Në Lucernë ekziston një shoqatë e shqiptarëve të Kosovës dhe ata angazhohen në partinë tonë, CVP. Në Legjislativin e komunës Fully, veç e kemi një shqiptar të zgjedhur. Edhe sot tregohet një anekdotë nga kantoni Jura. Aty kishim dy runde zgjedhore për qeverinë e Kantonit dhe e kishim një kandidat tonin, Pierre Kohler. Ishte kandidati më i ri në krejt Zvicrën që garonte për Ekzekutivin e Jurës. Gara ishte shumë e vështirë! Raundi i parë për ne doli i keq.Por, falë një shqiptari me emrin Afrim, ne ia dolëm. Këtë e dëshmoi më vonë edhe vetë Kohler: «Ju e dini, Afrimi është mysliman, shqiptar dhe ka sjellë mijëra vota për ne. Falë Afrimit, ne ia dolëm që në garë me të majtët, pas plot 60 vjetësh ta ‹ripushtojmë› Këshillin e Qytetit të Delsbergut!» Ky njeri ka bërë shumë për partinë tonë. Kur njerëzit janë të integruar mirë dhe popullor, rezultati është fantastik. Nëse njerëzit janë të gatshëm për të bërë diçka, për të lëvizur; në qoftë se ata kanë ide për këtë vend, atëherë ata janë gjithmonë të mirëseardhur. Gratë dhe rinia kanë perspektivë të madhe te ne.

Ata ishin tashmë në Kosovë, por jo në Luginën e Preshevës?

Unë me siguri do ta vizitoj Luginën. Verën e kaluar provova, por pa sukses. Isha i ftuar për vizitë në Kosovë. Me Prishtinën kemi kontakte të rregullta, si dhe me disa qytete tjera. Ishim në Mitrovicë në pjesën jugore, atje kishte shumë gjëra interesante, vizituam disa fshatra. Në veri të Mitrovicës, gjendja ishte shumë e rëndë. KFOR-i dhe ushtarët zviceranë të stacionuar atje më këshilluan të mos shkoj në veri. Herën tjetër unë do të shkoj pa ushtarë, pa mbrojtje dhe pa policë – kjo është më e mira.

Christophe Darbellay është kryetar i Partisë Kristiane Popullore të Zvicrës dhe Këshilltar Federal nga Kantoni i Valisit. Ai ka lindur në vitin 1971 në Martigny (VS) . Studimet i ka përfunduar në Shkollën e Lartë Politeknike – ETH Zürich – për agronomi. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2003 zgjidhet si kandidati më i ri i partisë së tij CVP për Këshilltar Federal. Pas zgjedhjes së Doris Leuthard për këshilltare në vitin 2006, Christophe Darbelley zgjidhet Kryetar i Partisë Kristiane Popullore. Është i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Me vendim të Kryesisë së Shoqatës Humanitare Medvegja me seli në Fully (VS) për kontributin dhënë kulturës dhe çështjes shqiptare është shpallur qytetar nderi i Medvegjës. /dialogplus/