Fundamenti

Zvicër: Shqiptarët e paguajnë më së shtrenjti sigurimin e makinave!

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Një i ri shqiptar paguan 2.2 herë më shumë se një zviceran, ndërkohë që shoferët kosovarë shkaktojnë 2.1 herë më shumë aksidente se mesatarja.

Kur SVP-UDC para pak ditësh kërkoi që në statistikat kriminalistike të bëhej ndarje në mes të zviceranëve “të lindur” dhe atyre të natyralizuar, pati reagime të bujshme si të atyre që e quajtën këtë kërkesë diskrimnuese dhe fashiste ashtu edhe të tjerëve, që e miratuan atë. Preteksti për të cilin SVP kishte kërkuar një gjë të tillë kishte qenë se, sipas saj, të huajt, edhe ata që tashmë kanë shtetësinë e Zvicrës, janë të përfaqësuar në mënyrë mbiproporcionale në kriminalitet.

Por, një diskriminim tjetër të cilit i nënshtrohen të huajt, që godet xhepin e tyre dhe që u bëhet nga kompanitë e sigurimit të automjeteve, po heshtet prej vitesh, shkruan gazeta “Tages Anzeiger”.

“Çdo të riu turk, serb ose shqiptar që bën sigurimin për veturën e tij të re, i bëhet e qartë se ai duhet të përgatitet për pagesë më të madhe se të tjerët. Në kompaninë e sigurimeve “Helvetia” lidhur me këtë, thonë: “Ne përdorim modelin që merr parasysh faktorët relevantë për dëmtimin e makinave. Dhe në këta faktorë hyjnë: nacionaliteti i shoferit, vendbanimi, mosha, gjinia, përvoja e vozitjes, gjendja e deritashme e dëmeve të shkaktuara dhe lloji e fuqia e automjetit”.

Sipas një llogarie që ka bërë shërbimi online i krahasimit të çmimeve Comparis, del se shoferët në moshë të re me shtetësi të cilitdo shtet të Ballkanit ose të Turqisë, me status qëndrimi B, për sigurimin bazë dhe për vollkasko paguajnë 57 për qind më shumë se zviceranët. Ndërkohë, italianët dhe francezët paguajnë 22 ose 23% më shumë se zviceranët ndërsa gjermanët vetëm 6% më shumë.

Sipas krahasimeve që ka bërë Comparis më tutje del se një shqiptar 22 vjeçar që ka siguruar makinën e tij Audi S3 në Axa-Winterthur, paguan pothuaj 2.2 herë më shumë, dmth mbi dyfishin e shumës që paguan një zviceran. Ngjashëm paguan një shqiptar edhe në kompaninë Basler Versicherungen dhe Auto TCS.

Por, shtron pyetjen gazeta: “A është në përputhje me ligjin që nacionaliteti i shoferit të merret si kriter për çmimin e premisë së sigurimit”. Profesori i të drejtës shtetërore dhe administrative në Universitetin e Friburgut, dr. Waldmann, në një studim të tij thotë se ky kriter është në kundërshtim me ligjin.

Mobi Casa

Të gjeturat e studimit të profesor Waldmann-it, të realizuar në vitin 2007, por që, sipas tij, është ende aktual, kanë nxitur një numër mocionesh nga qarqet e majta në Parlamentin Nacional, mocione që kanë ngelur pa rezultat. Qeveria Federale secilën herë është përgjigjur se, duke filluar nga viti 1996, është hequr tarifa unike për premitë e sigurimeve, kështu që prej atëherë është në fuqi liria e vendosjes së tarifave.

Ndërkaq, sipas një krahasimi të thjeshtë që ka bërë gazeta, duke u mbështetur në të dhënat e vitit 2011 të Zyrës Federale të rrugëve, del se kompanitë e sigurimeve e kanë bërë në mënyrë korrekte krahasimin e numrit të aksidenteve, sa i përket kriterit të përkatësisë nacionale të shkaktarëve.

Kështu, shoferët turq gjatë vitit 2011 kanë shkaktuar 1.9 herë më shumë aksidente se sa mesatarja e Zvicrës. Ndërsa shoferët kosovarë kanë qenë shkaktarë të 2.1 herë më shumë aksidenteve se kjo mesatare. Te italianët kjo shifër është 1.2 e te gjermanët 1.1.

Por, çfarë ndodhë në momentin kur i huaji natyralizohet, pra bëhet shtetas zviceran? Teorikisht ai do të duhej të barazohej me shtetasit tjerë të Zvicrës edhe në pagimin e premisë së automjetit. Kjo, përkundër faktit se me marrjen e pasaportës zvicerane vështirë se ndryshojnë shprehitë e vozitjes…

Në Axa thonë se në një rast të tillë, vozitësin, thjesht, e fusin në një kategori tjetër rrezikshmërie. Ndërsa Zürich Versicherung: “Në atë rast e rishqyrtojmë lartësinë e premisë”. Mirëpo, nëse i natyralizuari para këtij akti ka shkaktuar aksidente, ai do të detyrohet të bartë këtë “njollë” edhe pasi të bëhet zviceran”, shtojnë në këtë kompani.

Artikulli i publikuar të shtunën në portalin e gazetës “Tages Anzeiger” ka ngjallur një numër të madh komentesh. Shumica e komentuesve e arsyetojnë qëndrimin e kompanive të sigurimit që të huajve u venë premi më të larta se zviceranëve.

Ndërsa një numër më i vogël, kryesisht të huaj, shprehin mllefin se po i nënshtrohen kështu një diskriminimi kolektiv. Ata nuk ndjehen fajtorë pse, shikuar statistikisht, pjesëtarët e nacionalitetit të tyre shkaktojnë aksidente në numër mbiproporcional.