Zvarritet konkursi për regjistrim të studentëve

Propozimet e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës (UP) për kuotat e studentëve të rinj që do të regjistrohen për studime në Universitet, kanë mbetur tash e sa javë pa u miratuar.
Agjencia për Akreditim e Kosovës (AAK), e cila kishte paralajmëruar se nuk mund të shpallet konkurs për pranim të studentëve të rinj pa u shpallur rezultatet e akreditimit dhe riakreditimit të institucioneve të arsimit të lartë në vend, ka një javë që ka dhënë vizën për të shpallur konkursin.
Kjo agjenci më 7 qershor ka bërë publikimin e rezultateve duke i dhënë mundësi kështu sidomos UP-së që të shpallë konkurisn për studentë. Por, ky konkurs i paralajmëruar të shpallet të enjten nga ana e rektorit të UP-së Mujë Rugova, ka mbetur ende në formën e një propozimi të bërë nga universiteti.
I dërguar me 9571 propozime nga Rektorati në ministri, ky konkurs sipas burimeve brenda UP-së, ka ditë që është dorëzuar në Ministri të Arsimit për miratim të kuotave. Mirëpo, sipas këtij burimi ende UP nuk ka marrë përgjigje për të shpallur konkursin.
Të premten zyrtarë të UP-së nuk janë deklaruar për media, përderisa ata të Ministrisë së Arsimit kanë bërë të ditur se konkursi ka marrë formën përfundimtare dhe pritet vetëm të miratohet.
Ragip Gjoshi, këshilltar politik i ministrit të arsimit , Ramë Buja ka theksuar se propozimet e UP-së janë shqyrtuar në ministri dhe se shumë shpejt do të kenë nënshkrimin e ministrit Buja për t’u shpallë konkursi. Gjoshi ka theksuar se MASHT ka bërë disa ndërhyrje tek këto propozime duke zvogëluar veçanërisht numrin e studentëve të propozuar në Fakultetin e Edukimit në drejtimin lëndor në UP.
Ai ka premtuar se konkursi do të shpallet të hënën, pasi sot (premte) do të nënshkruhet nga ministri Buja. “Ne sot do të dërgojmë në Rektorat kuotat e miratuara dhe do t’i sugjerojmë Rektoratit të shpallë të hënën konkursin”.
Gjoshi ka thënë se kjo ministri edhe sivjet në UP do të ndajë kuotat për studentët shqiptar jashtë Kosovës që jetojnë në Maqedoni, Mal të Zi, Medvegjë, Bujanoc e Preshevë.. Këto kuota, sipas tij do të jenë të përafërta me ato të vitit të kaluar. Përfaqësues të shqiptarëve që jetojnë jashtë Kosovës kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit që të ketë prioritet të rinjtë e këtyre vendeve.
Zëvendësministri i arsimit Nehat Mustafa tha se MASHT është e përkushtuar dhe e hapur që të ofrojë mundësi studimi në universitetet publike në Prishtinë, Prizren si dhe në Pejë, për të rinjtë shqiptarë nga të gjitha viset, ku jetojnë shqiptarët. Ai këto komente i ka bërë po të premten gjatë takimit me përfaqësuesit e shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Malit të Zi.
Por, ka bërë të ditur se studentët që do të konkurrojnë në universitetet publike të Kosovës, duhet t’u nënshtrohen kritereve të cilat do të përcaktohen nga institucionet përkatëse në konkurrencë me kolegët e tyre prej nga vijnë, në këtë rast në konkurrencë me studentët nga Mali i Zi. MASHT ka kërkuar që bëhet një selektim i përafërt apo përcaktim të numrit të studentëve, të cilët do të duhej të mbulonin fusha të ndryshme, fakultete dhe degë të ndryshme sipas nevojës që kanë këto vende.
Edhe për dy universitetet tjera publike ministria ka shqyrtuar kuotat duke kërkuar që në Universitetin Publik të Prizrenit të ketë rritje të numrit të studentëve në fushën e juridikut dhe degës së gjermanishtes. Kurse për Universitetin e Pejës është vendosur që të regjistrohen 2090 studentë.(zeri)