Fidanishtja

Zullutë dhe ne

/ 8 minuta lexim

Nga Nexhmedin Spahiu – Pyetja më e shpeshtë që shtrohet në opinionin kosovar dhe atë shqiptar është përse i kemi politikanët e këqij, injorantë, sinonim të pandershmërisë, të gënjeshtarëve, hajdutëve, mashtruesve etj. Në vende normale në botë, ata që udhëheqin shtetin janë njerëzit më të besuar, vizionarë, sinonim të ndershmërisë, besueshmërisë etj.

Përgjigjen në këtë pyetje e ka dhënë Faik Konica gati një shekull më parë. Konstrukti ynë mental i detyron të jenë të tillë. Madje edhe kur nuk janë të tillë ata detyrohen të luajnë një rrol të tillë siç dëshmon rasti i 21 viteve më parë që do ta paraqes në vijim.

Faik Konica ka një tregim interesant qe do të duhej futur në librat e leximit në shkolla fillore dhe të mesme. Tregimi quhet “Një ambasadë e zulluve në Paris”. Në këtë shkrim po i bij shumë shkurt përmbajtjes së këtij tregimi në mënyrë që, të gjithë ata që kanë etje për dije e shije për art, të kënaqen kur ta lexojnë tregimin e plotë, kurse për ata që e kanë lexuar do të jetë një rikujtim.

Tregimi i Faik Konicës

Tregimin Konica e nis me nevojën e fisit afrikan zullu për t’u bërë komb. Në këtë kohë – thotë Konica kur gjithë popujt e botës po përpiqen të bëhen kombe, edhe zullutë filluan këtë rrugë. Për t’u bërë komb, duhet bërë shtetin, po për të pasur shtet duhet të kesh diplomaci. Kështu, zullutë vendosën të hapin ambasadë në Paris.

Ambasadori i zulluve në Paris

Ambasadori Denizullu Serpe me një frëngjishte copa – copa dhe më një anglishte akoma më të çalë u bë objekt humori për gjithë trupin diplomatik në Paris. Duke qenë se ishte në qendër të vëmendjes për idiotizmat e tij, ambasadorit të zulluve iu mbush mendja se të njëjtën gjë mund ta bënte edhe në Londër.

I shkroi një letër ministrit të jashtëm francez me përmbajtjen pak a shumë kështu: “Unë Denizullu Serpe, ambasador zullu Paris, shkoj Londër, çështje zullu i bindur sukses. Ministër mos u mërzit se Paris po lë gruan time Dunden, nëse ke problem lajmërohu asaj”.

Sekretari i ministrit të jashtëm francez i kthen një letër ku i bënë me dije se ka pranuar notën, i dëshiron sukses në Londër dhe i thotë se ministri sigurisht do të gjej kohë që gruan e ambasadorit ta ftojë për darkë ndonjë natë.

Ambasadori zulluve në Londër

Në Londër sapo zuri hotel nisi një notë kryeministrit anglez ku po i thoshte se ka ardhur në Londër për çështjen zullu dhe nëse ai nuk do ta ndihmonte le ta dinte se ishte shumë i poshtër.

Sekretari i kryeministrit anglez i ktheu përgjigje se kryeministri do të bëjë më të mirën e mundur për popullin zullu, dhe duke parë nivelin e ambasadorit zullu, ai zu të tallet me një mik të vetin, pronar të një shtëpie botuese. I shkruan se e ka gjetur ekspertin më të mirë të mundshëm për të shkruar parathënien e kompletit të veprave të Valter Paretit.

Ambasadorit të Zullulandit i arrijnë letrat: ajo e kortezisë së sekretarit të kryeministrit anglez dhe ajo nga pronari i shtëpisë botuese, i cili ishte bërë viktime e mikut të. Pyeti kamerierin se kush na qenka Valter Paret dhe ky i përgjigjet se është shkrimtar i madh zotëri.
I gëzuar tej mase Ambasadori i zulluve nisë këto letra për Zullulland. Pas dy muajsh, kur letrat arrijnë në Zullulland, atje bëhet aheng i madh për suksesin e diplomacisë së tyre që po e dëshmonin letrat e arritura.

Zezaku me 2 fakultete dhe qymyrxhiu

UBT

Në mesin e zulluve të egër që po festonin ndodhej njëri i quajtur Plug që kish studiuar në një universitet me famë dhe që lexonte vazhdimisht dhe përpiqej që nga një grumbull fisesh të egra të krijonte një komb. Plugu nuk donte që t’ua prishte gëzimin bashkatdhetarëve të vet të përvuajtur, por zemra i pëlciste nga naiviteti dhe budallallëku i tyre. Por nuk mundi të heshtte kur njërit nga zulluve i shkoi ndërmend qe t’i shkruanin letër mbretit të Abisinisë. Në çfarë gjuhe do t’i shkruani –pyeti. Në italisht u përgjigj. Po nga e ke mësuar italishten? Kam punuar qymyrxhi në Itali- ia ktheu. Po si more do t’i shkruash letër mbretit në italisht, unë kam studiuar në Itali dhe nuk e shoh vetën të denjë për t’i shkruar mbretit letër e si do t’i shkruash ti?

Aty ndërhyri një tjetër zullu dhe tha: të bëhemi demokratë. Ti shkruaje një letër dhe ti tjetri një tjetër ndërsa populli i mbledhur këtu do të votojë se cila letër do t’i shkojë mbretit.

Plugu e shkroi letrën pak a shumë me këtë përmbajtje: “Lartmadhëria e juaj Mbreti i Abisinisë, populli liridashës i Zullulandit shpreh admirimin e vet për Ju si vetmi mbret i racës sonë në kontinent. Në rrugën tonë drejt lirisë ne presim nga ju ndihmën vëllazërore dhe udhëzimet që bazohen në përvojën Tuaj të çmuar.”
Qymyrxhiu e shkroi letrën me këtë përmbajtje: “Mbret i Abisinisë, ka ardhur koha që gjithë popujt zezakë të krijojnë një federatë. Nëse nuk e pranoni këtë, ta dini se jeni shumë i poshtër”. Zullutë votuan dhe rezultatin po e dini: qymyrxhiu i fitoi të gjitha votat.

Dhjetor 1991. Lidhja e studentëve shqiptarë në Zagreb.

Në vitin 1991, kur fillova studimet pasuniversitare në Zagreb, bashkë me Skender Sadikun morëm iniciativën për themelimin e Lidhjes së Studentëve Shqiptarë në Zagreb. Në Kuvendin themelues ku ndodheshin rreth 500-600 studentë u përpoqëm që udhëheqja e kësaj organizate të zgjidhet në bazë të programit më të mirë që ofrojnë kandidatët potencialë.

Për të qenë gara më fer dhe korrekte edhe unë edhe Skenderi u zotuam se nuk do të kandidojmë. Reagimi i studentëve ishte tejet konservativ. Ishin mësuar me kohën e komunizmit të cilën sapo e kishim lënë prapa. Qysh ta propozosh vetën, duhet që të të propozojnë shokët. Por edhe unë edhe Skenderi ishim këmbëngulës me argumentet tona se kështu bëhet në Perëndim dhe se nuk lejojmë që kroatët të na përqeshin që të zgjedhim udhëheqësinë studentore alla-komunistqe.
Kosovë Arifaj dhe Besim Beçaj.

Atëherë dolën në skenë dy studentë që e nxorën tubimin nga telashet: Kosovë Arifaj (tani dr. i ekonomisë dhe afarist gjerman dhe Besim Beçaj (ministri aktual i Ekonomisë i Kosovës). Ata propozuan një udhëheqje të përkohshme për dy javë derisa kandidatët potencialë të përgatisin programet dhe ekipet e tyre. Iniciativa më në fund mori udhë.

Xhelal Shehu e Hamit Basholli

Shkuan gati dy javë dhe nuk u paraqit asnjë kandidat për kryetar. Atëherë i thash Xhelal Shehut atëherë student, tani magjistër dhe ligjërues në Universitetin e Prishtinës: “Ti je i vetmi këtu që po studion shkenca politike, përse nuk po kandidon?”. Tek sa kam filluar studimet nuk di të shkruaj program- mu përgjegj. I thash po ta shkruaj unë programin ti veç mblidh shokët me të cilët do të punosh. U pajtua dhe kështu vepruam. Xhelali edhe pse student i vitit të parë, ishte simpatik dhe kishte një shoqëri të gjerë.

Pasi Xhelali dorëzoi kandidaturën e vet, mu afrua Hamit Basholli, atëherë student i gjeodezisë dhe më tha: mora vesh që Xhelalit ia kishe shkruar programin për t’u kandiduar për kryetar, ma shkruaj edhe mua se dua të kandidohem, veç mua mos shkruaj ashtu mirë qysh ia kishe bërë Xhelalit se asi programi as kroatët s’dinë ta bëjnë. Mua ma shkruaj në stilin e atij qymyrxhiut, personazhit të Faik Konicës që ma ke treguar kur po udhëtonim me tramvaj.

Shkrova një program ma koti që dita ta shkruaj dhe ia dhashë Hamitit.

Më në fund po mbahej Kuvendi të cilin po e kryesonin Kosovë Arifaj e Besim Beçaj, ndërsa të vetmit kandidatë për kryetar ishin Xhelal Shehu dhe Hamit Basholli, secili me shoqërinë e vet dhe me program të shkruar nga i njëjti autor, autori i këtyre rreshtave. Studentët shqiptarë në Zagreb, tashmë rreth 700 veta po e bënin lojën e parë demokracisë më 14.12.1991.

Rezultati i votimit: fitore bindëse e programit të shkruar në stilin e qymyrxhiut të Faik Konicës.