Fundamenti

Zullumi i mbijetesës

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Kostoja e jetës së kosovarëve në raport me të hyrat duket të jetë shumë e lartë. Krahas ngritjes së vazhdueshme të çmimeve të konsumit, nuk vërehet ndonjë rritje e të hyrave për familjet në vend. Familjet kosovare me nga një të punësuar, apo edhe pa asnjë sish, shpenzojnë mesatarisht rreth 600 euro në muaj, ndërsa të hyrat mesatare për ata që punojnë janë jo më të mëdha se 272 euro.

Për dikë që nuk jeton në Kosovë mund të duket çudi se si ia dalin të mbeten gjallë kosovarët. Familjet e mëdha me nga një të punësuar apo edhe asnjë, shpenzojnë mesatarisht rreth 600 euro në muaj, ndërsa të hyrat mesatare për ata që punojnë janë jo më të mëdha se 272 euro.

Mënyra e jetesës së familjarëve që i kanë në Kosovë është tema më e shpeshtë e atyre që po kontribuojnë për këtë shkallë të konsumit.

“Nuk e di qysh po jetoni këtu. Rroga hiq, e çmimet si në Evropë”, thonë mërgimtarët që po i kalojnë këtë verë pushimet në vendlindje.

Kjo nuk duket të jetë vetëm opinion i krijuar vetëm për ta, pasi edhe të dhënat statistikore tregojnë se të ardhurat e qytetarëve nuk janë të kënaqshme për një jetë normale.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se vitin e kaluar një familje përafërsisht ka shpenzuar 7.010 euro ngjatë gjithë vitit, që i bie më pak se 600 euro në muaj.

Këto të ardhura, njohësit e ekonomisë thonë se vijnë nga sektori publik dhe ai privat, remitancat dhe bizneset vetanake.

Për shkak të numrit të madh të të papunëve dhe nivelit aktual të edukimit, sipas zyrtarëve të Institutit GAP, po vazhdon tradita që në familje “një të punojë e disa të hanë”.

“Edhe në të kaluarën ka pasur shumë të papunë, kur një anëtar është përkujdesur për mirëqenien e anëtarëve të tjerë. Edhe sot, ata që punojnë ndihen të obliguar për t’i ndihmuar edhe anëtarët e tjerë të familjes”, thotë Nora Latifi-Jashari, analiste politikash në Institutin GAP.

Sipas saj, arsimimi luan rol kyç në sigurimin e të ardhurave tek ata që kanë punë të rregullt.

ARKATANA

Një nga problemet me të cilat ballafaqohet vendi, sipas atyre që merren me hulumtime mbi jetën socio-ekonomike në vend, mbeten statistikat për numrin e saktë të të papunëve.

Numri i atyre që janë të papunë, sipas ministrit të Punës dhe të Mirëqenies Sociale në Kosovë, Nenad Rashiq, sillet rreth 30 për qind.

Megjithatë, me këtë pohim të tij nuk pajtohen sindikatat, të cilat pretendojnë se më shumë se gjysma e popullsisë në Kosovë përbëhet nga qytetarët që nuk realizojnë të ardhura përmes punës.

Por pavarësisht numrit të të papunëve, edhe ata që aktualisht gëzojnë këtë të drejtë, nuk duket se jetojnë mirë. Paga minimale e përcaktuar me ligj në Kosove është 120 euro, derisa ajo mesatare llogaritet rreth 272 euro.

Nora Latifi-Jashari, nga GAP, tregon se kur përcaktohet paga minimale e një shteti, merren parasysh shumë indikatorë si inflacioni, kërkesa dhe oferta në tregun e punës, brutoprodukti vendor, niveli i pagave, kushtet e punës, kostoja e fuqisë punëtore e shumë të tjerë.

“Duke marrë parasysh se në Kosovë çmimet e konsumit kanë shënuar ngritje në vazhdimësi, mund të themi se kjo pagë minimale e bën të vështirë jetën e një banori të Kosovës”, thekson Latifi-Jashari.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit kanë pësuar rritje prej 1.7 për qind në qershor 2012, krahasuar me qershor 2011 te produktet elementare që i shfrytëzon për jetesë një familje.

Ngritje kryesisht vërehen më së shumti te rryma, përdorimi i pajisjeve për transportin personal si nafta dhe benzina, duhani, mishi, perimet, veshja, furnizimi me ujë e të tjera.

Në GAP thonë se trend i shpenzimeve për familjet kosovare më së shumti janë në kategoritë elementare për jetesë si ushqimi, banimi, veshmbathja dhe transporti.(express)