UBT

Zotërinj heshtni, respektoni Kushtetutën!

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Behgjet Pacolli – Ashtu si dhe herën kur Agjencia kundër Korrupsionit filloi sulmin publik kundër meje, dhe tash që Prokuroria e EULEX-it vendosi si të pabazë çdo akuzë të kësaj Agjencie, unë isha në punë. Isha në udhëtim në shërbim të Kosovës, dikur në Nju-Jork, këto ditë në Ruanda dhe shtete të tjerë të skajit më jugor të Afrikës.

Mendova ndoshta nisur nga mirësia ime karakteristike, se ata që kishin ndërmarrë sulmet, këtë herë do heshtnin.Dihet që EULEX-i nuk ka ndonjë anësi politike apo personale në favor të askujt.

Dihet që EULEX-i ofron një trupë profesionale të hetimit, të gjyqësisë, të luftës ndaj krimit shumë më të aftë sesa homologët e Kosovës, me gjithë mirëkuptimin për bashkëkombësit tanë që punojnë në kushte të vështira.

Dihet që EULEX-i zhvilloi hetime profesionale, duke marrë seriozisht ndërmarrjen më të fundit kundër meje, që rezultoi në një fiasko propagandistike.Siç e pohojnë përfaqësues të Agjencisë, EULEX-i ka ekspertët, ka mundësinë për lidhje ndërkombëtare, ka hetues me eksperiencë, ka gjithçka duhet për një trupë hetuese kudo në Perëndim. Atëherë si mund të kenë të drejtë dhe ata që më akuzuan, edhe ata që më dhanë të drejtë?

Ndaj kjo që po ndodh është me të vërtetë e turpshme. I mirëkuptoj ata që me sy të errësuar nga urrejtja për mua, vënë në lëvizje makinën e baltës dhe të shpifjes, duke bluar të njëjtën krunde, të njëjtën muzikë të shëmtuar antinjerëzore. “Ne thamë, ne akuzuam, ne mendonim, Pacolli duhet të ketë faj, sepse ne mendojmë, sepse ne e dimë, sepse të tjerët nuk e dinë” – muzika e tyre vazhdon. I njoh do individë në Kosovë, që për të vënë në lëvizje këtë makineri, për të bërë të besueshme akuza të fabrikuara ndaj meje në kuzhinat e tyre mediatike, mund t’i shpallin luftë Amerikës, dhe jo më Europës.

Aq të verbër janë këta njerëz në urrejtjen e tyre, sa kanë trilluar dhe trillojnë lloj- lloj konspiracionesh të Perëndimit që më mbron mua dhe shkel ligjin! Të akuzosh EULEX-in se më mban anën, do të thotë të besosh se Perëndimi bën konspiracione së bashku me mua. Por e kam të vështirë të imagjinoj dikë që është në krye të një institucioni, që vazhdon të bëhet vegël e këtyre instrumentave të verbër të urrejtjes.

Çdo të thotë një banalitet si ai nxjerrë nga goja e shefit të Agjencisë që e barazon prokurorinë me pushtetin gjyqësor? A kanë kulturë minimale juridike ata që drejtojnë institucionet te ne? Prokuroria nuk është pushtet gjyqësor, çështja nuk shkoi në gjykatë fare: Prokuroria tha se çështja nuk ekziston!

Si kërkojnë respekt për institucionet, ca njerëz që i personalizojnë ato, që e barazojnë institucionin me veten e tyre? Nëse këta njerëz kanë konceptin e institucionit, atëherë duhet ta dinë që ka një rrugë që institucionet të jenë të besueshme: t’i shërbejnë ligjit, të jenë të pavarur. Në rast të kundërt, ata bëjnë diçka të paligjshme, dhe do shihen si vegla të dikujt, që për ndjenjë rivaliteti politik, zilie, smire, do të më sulmojë mua. Këta njerëz në të vërtetë nuk kanë ndjenjë dhembshurie as për institucionin dhe as për shtetin e Kosovës.

Kjo, sepse sulmi kundër meje, ndikon në punën time në shërbim të Kosovës, në lobimin për njohje, ku imazhi i zyrtarëve është shumë i rëndësishëm.

Këtë herë nuk mund të duroj pa reaguar

KKVITI

Unë jam njeri pune dhe sigurisht s’kam kohë të merrem me çdo lloj ndërmarrje kundër meje, që motivohet nga urrejtja, zilia, rivaliteti politik, apo ndonjë diçka më të pavlerë se kaq. Ndoshta kjo mungesë kohe diku interpretohet si dobësi, që ushqen spiralen e urrejtjes, zilisë, rivalitetit politik, apo ndonjë diçkaje të ngjashme. Dhe duke ditur këtë, jam mësuar të duroj. Por këtë herë, jo!

Për shkak të punës që kam bërë, përmasave të saj, më është dashur të përballem me baltën publike. Përpara meje kanë dështuar të gjithë ndërmarrjet mediatike apo legale kryesisht jashtë Kosovës, ku ajo e drejtuara nga Prokurorja që dështoi me turp kundër Kosovës, Karla del Ponte. Nuk ka asnjë akuzë të vërtetuar ndaj meje, në gjithë eksperiencën time të madhe ndërkombëtare, as dhe për shkelje të rregullave të parkimit. I kam përballuar të gjithë këto fiasko propagandistike me qetësinë e njeriut korrekt dhe që e njeh forcën e ligjit.

Por sot që dikush dështoi në ndërmarrjen e vet, të iniciuar me urdhër, apo me dëshirën e vet – e di ai, jam i habitur me kokëfortësinë e këtyre njerëzve.

Si guxon dikush nga brenda institucioneve të Kosovës, pasi kanë folur organet kompetente, që i kanë thënë: hesht se s’ke të drejtë, të vazhdojë të thotë se kam të drejtë ? A e kupton ky zotëri se shkel Kushtetutën, parimin e ndarjes së pushteteve, se vazhdon të dhunojë institucionin që drejton, të cenojë personalitetin e zyrtarit dhe të qytetarit?

Populli ynë marrë në tërësi, pra duke përfshirë dhe Shqipërinë zyrtare, ka njohur politikanë aventurierë dhe megalomanë që i jepnin këshilla Amerikës, Rusisë dhe Kinës, madje dhe i kërcënonin me forcën e armëve. E kam fjalën për Enver Hoxhën. I kuptoj proletarët e penës, apo shefat e tyre që i thonë njerëzve të Europës se nuk dinë të bëjnë punën e vet, por si guxon dikush që s’përfaqson veten, por shtetin e Kosovës të vazhdojë me kokëfortësinë e tij provinciale ?Ka një arsye thelbësore që më bën të reagoj përballë kësaj kokëfortësie, paditurie, mllefi, çka i vendos këta njerëz kundër Europës.

Lobimi në Nigeri, lobim ekonomik

Në rastin e lobimit në Nigeri, është jetësuar në formën më të shkëlqyer, më efektive, ai lloj lobimi që unë zbatoj shpesh, dhe që nesër do studiohet në manualet e diplomacisë: lobimi ekonomik. Në kryerjen e këtij lobimi, mua më ndihmon qoftë bagazhi i madh i njohjeve politike, për shkak të eksperiencës si njeri biznesi, qoftë bagazhi i njohjeve në katalogun e bankave të mëdha, ndërmarrjeve gjigande ndërkombëtare.

Në kryerjen e këtij lobimi, në një kontinent si Afrika që ka hyrë në një rrugë intensive zhvillimi, në njerin nga shtetet më të mëdha të Afrikës dhe të botës, këto dy elementë janë thelbësorë. Unë kam arritur të zgjedh në mënyrën më të mirë të mundshme, interesat ekonomike të këtyre vendeve, me nevojën tonë për njohje ndërkombëtare, për zgjerim të hartës së miqve për të bërë diplomaci dhe biznes të perëndimit me ta. Rasti i Nigerisë është rasti më i shkëlqyer i suksesit tim në lobim. Pse? Sepse unë dita ta përktheja punën time jo thjesht në sukses diplomatik, por dhe në mundësi për aktivitet ekonomik për ndërmarjet e Kosovës si nënkontraktorë të kompanive perëndimore, diçka që përkthehet në të ardhura, në punësim etj.

Përpara këtij suksesi, të arritur përkundrejt një diplomacie si ajo serbe, që e bazon ndikimin e vet në Afrikë pikërisht tek ekonomia, unë prisja mirënjohje. Nuk prisja as logje kafehanesh, se nuk na mbërriti nota verbale, dhe as sulme të shëmtuara mediatike dhe gjoja institucionale si këto. I durova deri sa EULEX-i foli. Foli ligji. Kur flet ligji, atëherë të tjerët duhet të heshtin. Këta njerëz nuk mund të vazhdojnë të ushqejnë Serbinë me argumente për të ma ndalur mua në punën time lobuese. Këta njerëz duhet të merren me punën e tyre, të merren me elefantin që kanë përballë, dhe jo të kërkojnë qimen në kashtë, për ta bërë dru të madh.