Zonja Atifete!
Nga Adrian Çollaku – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me dekretimin e ish-ministrit të Financave dhe zyrtarit të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, për guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, dëshmoi përfundimisht që ajo është vetëm një kukull dhe se roli i saj neutral në përcaktimin e zhvillimeve në vend thuajse është zero.
E para e vendit e kishte mundësinë ideale të tregohej se nuk ishte vetëm formalisht në postin e presidentit të shtetit, të tregonte se për të më i rëndësishëm është interesi i përgjithshëm se sa interesi personal, të tregonte se ajo është e guximshme të marrë vendime të rëndësishme e të mos mbetet një “shërbëtore” e Qeverisë së Kosovës dhe e kryeministrit Hashim Thaçi. Ajo e lëshoi përfundimisht mundësinë që të dëshmojë pozitën e saj si simbol i paanësisë dhe unitetit të vendit.
Edhe pse është pritur një vendim i tillë i presidentes Atifete Jahjaga, duke pasur parasysh se ajo që nga ardhja në krye të shtetit, ishte sjellë si një “nuse” e mirë, e cila me përpikëri u ishte përmbajtur “adeteve e zakoneve”, duke e respektuar maksimalisht të “zotin e shtëpisë”, madje mund t’ju kujtohet, duke ia “marrë dorën” e duke bërë “temena” menjëherë pasi u rehatua në fron. Ajo e kishte mundësinë që të lirohej nga këto “adete” dhe që të bëhej një “nuse” e zonja, që lufton për të drejtat dhe përgjegjësitë e saj. Megjithatë, ajo zgjodhi rrugën e konformizmit me të “zotin e shtëpisë”, dhe të qëndrojë e qetë e si “zonjë”, pa ia prishur askujt.
Megjithatë, ky nuk është rasti i parë që Jahjaga ua bën aminin vendimeve të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës. Në dhjetëra raste të tjera, Jahjaga rolin e saj e ka luajtur ashtu si i kanë thënë “shefat”.
Tani kur Atifete Jahjaga i mbush dy vjet në krye të Presidencës së Kosovës, ajo nuk mbahet mend për ndonjë “marifet”. Ajo asnjëherë nuk ka arritur që ta luajë rolin si faktor unifikues dhe është treguar shumë e pafuqishme. Madje, e vetmja gjë me të cilën do të mbahet mend përgjatë këtyre dy vjetëve në krye të shtetit, është fjalimi i zjarrtë që kishte mbajtur në përvjetorin e PDK-së, ku kishte folur në superlativ për kryeministrin Hashim Thaçi. Po ashtu me formimin e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane dhe atë për Luftimin e Korrupsionit, Jahjaga bëri vetëm propagandë mediale.
Jahjaga, për dallim nga paraardhësit dhe për dallim nga homologët e saj, është treguar shumë më e pafuqishme. Madje, në shumë raste inekzistente.
Nëse e bëjmë vetëm një krahasim të përciptë me ish-presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, i cili edhe pse ishte kandidat i dalë nga Partia Demokratike, që udhëhiqet nga Sali Berisha, ai në shumë raste, ia ktheu prapa vendimet, ligjet…, e Jahjaga e jonë edhe pse ishte zgjedhur me konsensus, për asnjë moment nuk arriti ta ushtrojë detyrën e shefit të shtetit, duke mos anuar politikisht.
Edhe pas dy vjetësh, Atifete Jahjaga nuk arriti të bëhet presidente. Ajo mbeti vetëm një “argate” e Qeverisë së Kosovës dhe asgjë më shumë. Instalimi i partiakut të lartë Bedri Hamzës si guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, me bekimin e vetë presidentes, e dëshmoi përfundimisht këtë.


