Zjarri i merr jetën kosovares dhe gjermanit

Gjermani 30 vjeçar kishte qenë mysafir te kosovarja 19 vjeçe. Ata kishin provuar të iknin nëpër shkallët e mbushura plot tym të dendur por nuk kishin arritur të dilnin.
Në zjarrin që mbrëmjen e të shtunës ka shpërthyer në një ndërtesë banimi në Köln të Gjermanisë, kanë humbur jetën dy persona ndërsa 26 të tjerë kanë pësuar lëndime të ndryshme, nga të cilët 13 janë transportuar në spital. Dy të vdekurit, siç njoftojnë së fundi mediet gjermane janë një kosovare 19 vjeçare dhe një gjerman 30 vjeçar.
Njoftimet bëjnë fjalë se zjarri ka shpërthyer në një ndërtesë të banuar nga turqit. Për këtë arsye atë e ka problematizuar edhe pala zyrtare turke. Kështu një zëvendësministër i atjeshëm, ka drejtuar kritika ndaj Gjermanisë, e cila, sipas tij, duhet të marrë më seriozisht shpërthimet e shpeshtuara të zjarreve në ndërtesat ku banojnë turqit. Më pak se një muaj më parë, në një zjarr në Gjermani kanë humbur jetën tetë anëtarë të një familjeje turke, nëna me 7 fëmijët e saj.
Siç bën të ditur policia, në hyrje të ndërtesës janë gjetur mbetjet e një karroce të djegur. Nga kjo karrocë dyshohet të jetë shpërndarë zjarri në gjithë shtëpinë. Por, hetuesit nuk kanë gjetur ndonjë materie që përdoret për shpejtimin e përhapjes së zjarrit, e që do të fliste për zjarrvënie të qëllimtë.
Gjermani 30 vjeçar, tashmë i vdekur, kishte qenë sipas policisë, mysafir te kosovarja 19 vjeçe. Ata kishin provuar të iknin nëpër shkallët e mbushura plot tym të dendur e helmues por nuk kishin arritur të dilnin.(albinfo)