Fundamenti

Zhvillimi ekonomik, mbetet sfidë edhe në vitin 2014

/ 3 minuta lexim

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se autoritetet duhet të hartojnë një strategji, e cila do të përcaktojë prioritetet dhe sferat që do të jenë bartëse të zhvillimit. Kurse zyrtarë të qeverisë theksojnë se do të angazhohen për krijimin e një mjedisi më të mirë për biznes dhe në zvogëlimin ekonomisë joformale.

Kosova edhe gjatë vitit 2014 do të përballet me vështirësi të mëdha ekonomike. Norma e zhvillimit ekonomik sipas projeksioneve vendore e ndërkombëtare pritet të arrijë rreth 4 për qind, që është më e larta në rajon.

Por kjo konsiderohet e pamjaftueshme për të zgjidhur problemet që e përcjellin vendin nga viti në vit, si papunësia dhe varfëria. Drejtori i Institutit GAP, Agron Demi, thotë se autoritetet duhet të hartojnë një strategji kombëtare, që do të përcaktonte sferat me prioritet.

“Pa një strategji nacionale ne jemi duke punuar vetëm në baza add-hoc dhe më shumë i përshtatemi kërkesave të investitorëve sic janë ata në telekom apo energji, sesa që arrijmë t’ua imponojmë atyre vullnetin tonë ekonomik”.

Bartës i zhvillimit ekonomik duhet të jetë sektori privat, dhe në këtë drejtim, qeveria duhet të fokusohet veçmas në forcimin e sektorit të prodhimit, thotë drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Mobi Casa

“Sfida më e madhe do të jetë ndoshta krijimi i kushteve më të përshtatshme për sektorin e prodhimtarisë, që t’i fuqizojë kapacitetet dhe kjo mandej të ndikojë në rritjen e eksporteve dhe përmirësimin e bilancit tregtar”.

Ministri i financave, Besim Beqaj, thekson se sfidë për institucionet e vendit gjatë vitit 2014 do të jetë luftimi i ekonomisë joformale, që vlerësohet se është në nivel të lartë, por edhe krijimi i një mjedisi më të mirë për afarizëm.

“Sfidë për ne është përmirësimi i mëtutjeshëm i ambientit për biznes, i cili do të mundësonte që bilanci tregtarë të shkojë drejt përmirësimit. Kemi parë që kemi një përmirësim të bilancit tregtar por kjo është një fillim dhe sfida është për ta zëvendësu importin me aktivitet ekonomik brenda vendit”.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se autoritetet gjatë vitit 2014 duhet të angazhohen më shumë për forcimin e sundimit e ligjit, por edhe në luftë kundër korrupsionit, që vlerësohet se po dëmton rëndë zhvillimin e vendit.(RTK)