UBT

Zhveshja, një optimizëm banal!

/ 6 minuta lexim

Kreacionet e saj edhe sot e kësaj dite vishen me dëshirën më të madhe nga njerëz me emër e të thjesht në vend. Ndërsa fustanet që ajo ka krijuar, janë pëlqyer e veshur edhe nga këngëtarë të shumtë. Përballë mjeshtërisë që e gëzon tash e sa vjet, kreatorja e mirënjohur Xheraldina Rexhepi ka shpalosur edhe opinionin e saj përballë (zh)veshjeve të këngëtareve në vend, ndërsa përballë syrit të saj profesional, ajo ka pohuar për Tribuna se zhveshjen mund ta kuptojë si një oportunizëm shumë banal, por asgjë më shumë…

Tribuna: Zonja Rexhepi, kohës së fundit këngëtaret në njëfarë mënyre janë bërë ‘imazh’ për shumë të reja në vend. Kanë etikë të veshjes këngëtarët tonë, sipas këndvështrimit tuaj profesional?

Rexhepi: Kjo temë tashmë është përfolur shumë, dhe pothuajse të gjithë arrijmë në një konkluzion të vetëm. Këngëtaret tona duke u munduar që sa më tepër të bien në sy dhe të arrijnë famë, e kanë devijuar apo përkeqësuar nivelin e etikës. E konsideroj këtë si një fenomen shumë të dëmshëm.

Modele për sfilatat e kreatorëve…

Tribuna: Sa duhet të ndërrojë veshja nëpër raste të ndryshme, dhe a po e praktikojnë këtë fytyrat tona publike?
Rexhepi: Pas një periudhe tashmë një dekadë e gjysmë pas lufte, dhe ndikimit më pozitiv të mediumeve tona, duke dhënë këshilla nga ekspertët e ndryshëm të modës, kjo dukuri ka filluar të japë fryte. Fytyrat tona publike tashmë i konsideroj se janë më të vëmendshme në atë që t’ia përshtatin gardërobën eventit si dhe pjesës së ditës.

Tribuna: Si mendoni ju, a duhet prapa çdo këngëtari të qëndrojë një profesionist që do të kujdesej për dukjen e tyre?

Rexhepi: Jo detyrimisht. Mendoj se në rastet kur një këngëtare e ka tashmë të krijuar stilin personal, p.sh. Shpresa Gashi kurrë nuk ka pas nevojë për këshilla prej profesionistit. Ajo që tani më pengon te këngëtaret, është se, duke e kërkuar me ngulm stilin e tyre personal, dhe duke lakmuar që gjithmonë të kenë diçka të re në trup, shkojnë nga një kreator te tjetri, të cilët këto veshje ua ofrojnë falas, dhe në këtë mënyrë bëhen modele për sfilata të këtyre kreatoreve. Gjersa në ndërkohë e krijojnë një mish-mash të stilit personal. Dhe kjo ndodhë mu për shkak të grykësisë të të dyja anëve.

Uji Dea

Tribuna: Në publik komentohen shpesh këngëtarët për kopjim të VIP-ve botërorë. A mendoni edhe ju që janë ndikuar nga Hollivudi?

Rexhepi: Kjo është evidente. Edhe laikët më të mëdhenj të modës, madje edhe adoleshentët e dinë se cila këngëtare kënd e imiton. E imitojnë frizurën, veshjen, grimin etj, etj… Shpresoj që asnjërës të mos i shkojë në mend ta imitojë Miley Cirus-in. Kjo është shaka kuptohet. Megjithatë unë gjithnjë insistoj që me këshillat e mia të influencoj që të krijojnë stilin personal. E këtë e bëjë për shumë arsye. Pikësëpari stili personal e pasqyron më së miri bukurinë shpirtërore të një artisti. Dhe vet fakti i të qenit artist këtë e garanton. Pastaj mendoj se çdo person ka në vete diçka (një shprehi a pjesë të trupit) më të bukur se të gjithë të tjerët, dhe se mu ajo është diçka që e bënë unike. Këto janë ato që me stilin personal duhet të vihen në pah.

S’mund të qëndrojnë të “zhveshura” gjithmonë

Tribuna: Si do ta komentonit zhveshjen e tepruar të disa fytyrave tona publike?

Rexhepi: Zhveshjen e kuptoj si një oportunizëm shumë banal. Mendoj që ka veshje që e bëjnë një femër të duket shumë më joshëse se sa lakuriqësia. Në anën tjetër edhe vet lakuriqësia mund të jetë më e sofistikuar dhe më pak banale se sa kjo që po na sprovohet. Dikur i kritikonim mediumet të cilat i emitojnë këto video klipe a xhirime. Po tani në këtë kohën e bumit elektronik të cilin po e jetojmë, është shumë vështirë të filtrohen këto dukuri dhe pamje, dhe mendoj që mu këto kanë ndikuar në krijimin e një diskursi, i cili e ka degraduar në masë të madhe nivelin e moralit në vendin tonë. Normal këto nuk janë fajtorët e vetëm, po janë një prej faktorëve shumë të rëndësishëm. Këtu do të doja të përmendja jo vetëm veshjen/zhveshjen po edhe lëvizjet të cilat bëhen në skenë. E konsideroj tragjike që një fjalë aq banale si “Zogu i Tunës” tashmë është bërë pjesë e fjalorit tonë të përditshëm dhe as nuk zgjon më kurrfarë interesimi, fatkeqësisht.

Tribuna: A mendoni që zhveshja po i bën të famshme, apo jep efekt të kundërt në masë?

Rexhepi: Zhveshja e krijon një efekt momental i të dalurit nga anonimiteti. Por zhveshja më nuk garanton qëndrimin në skenë për më gjatë. E këto “yjet” tona nuk mund të qëndrojnë të “zhveshura” gjithmonë. Prandaj në mënyrë që të krijojnë emër, ato detyrimisht duhet t’i ofrojnë publikut pak më shume se “mish”. Uroj që ato të reja që planifikojnë të marrin këtë rrugë në karrierën e tyre, ta mësojnë këtë leksion prej gabimeve të huaja. Po ashtu më duhet patjetër të cek, ndikimin pozitiv të talent-show-eve që po mbahen tek ne, se këto janë ato që po i promovojnë vlerat e mirëfillta të këngëtareve duke potencuar se një këngëtari/e i duhet zëri dhe shpirti e jo trupi!