RCCOLA

Zhbogar: Marrëveshja e Brukselit po sjell rezultate konkrete

/ 12 minuta lexim
Hidromorava

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, tha se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, tani veç ka sjell rezultate konkrete si: integrimi i gjyqësisë dhe policisë në sistem të institucioneve kosovare, si dhe pajtimi për zgjedhjet e 3 nëntorit. Zhbogar, po ashtu, tha se fillimi i negociatave për MSA-në, është rezultat inkurajues për procesin integrues të Kosovës për në BE.

RADIO KOSOVA: Si e vlerësoni, në përgjithësi, situatën, me zhvillimet e fundit në skenën politike në Kosovë?

SAMUEL ZHBOGAR: Më duhet të them se këtu jam qe një vit e gjysmë dhe nga perspektiva e BE-së mund të them që shohë ndryshime të mëdha. As që e kam çuar ndërmend që këtë vit, në vjeshtë, do të fillojmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) dhe kjo është një marrëveshje që vetëm vendet në të ardhmen potencialisht do të jenë anëtare të BE-së, kanë të drejt të negociojnë MSA-në. Pastaj, kemi marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Kur dikush udhëton nëpër Kosovë, gjë që unë e kam bërë mjaft, sheh shumë dhimbje në terren që lidhen me liberalizimin e vizave, që u pamundëson udhëtim të lirë njerëzve në Evropë, dhe në anën tjetër, ka edhe mjaft aspekte të tjera të dhimbshme që Kosova duhet t’i adresojë, që lidhen me aspektin socio-ekonomik, si papunësia. Prandaj, në sferën ekonomike mendoj se nevojiten më shumë përpjeke dhe më shumë ndryshime. Për ekonomi – ju do të keni nevojë për investime të huaja, e investimet e huaja kanë nevojë për sundim të ligjit. Dhe gjithmonë në fund, vijmë tek sundimit i ligjit, sepse, për sa kohë keni imazh të një vendi ku sundon krimi dhe korrupsioni – atëherë investitorët do të hezitojnë të vijnë. Prandaj, mendoj se është problem i madh për Kosovën që t’i adresojë problemet socio-ekonomike.

RADIO KOSOVA: Më herët ju përmendët marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Vërtet mendoni se kjo marrëveshje do të sjell normalizim të raporteve tona, një proces pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë?

SAMUEL ZHBOGAR: Kosova dhe Serbia i kanë hyrë tanimë atij procesi, është proces i vështirë dhe i gjatë, por tani kemi filluar; kemi komunikim të drejtpërdrejt, kemi zyra ndërlidhëse, këtu dhe në Beograd. Po flasim për gjëra konkrete si: integrimi i veriut, integrimi i gjyqësisë, policisë në sistem të institucioneve kosovare. Pastaj, zgjedhjet më 3 nëntor që do të mbahen në tërë Kosovën. E di, kemi filluar nga lartë-poshtë, por shumë shpejt jam i bindur që do të fillojmë edhe nga poshtë-lartë me procesin e normalizimit. Mendoj se vetëm pas zgjedhjeve të nëntorit kjo do të ndikojë në procesin e ripajtimit midis serbëve dhe shqiptarëve në veri, por duhet pranuar që është proces i gjatë.

RADIO KOSOVA: Kohëve të fundit po dëgjojmë mjaft deklarata nga Serbia, por edhe nga institucionet në Kosovë, që inkurajojnë serbët në veri, për të dalë në zgjedhjet e 3 nëntorit. Por, ata vetë nuk duken mjaft optimistë në këtë drejtim. Vërtetë, mendoni se ata do të dalin në këto zgjedhje për të votuar për njerëzit e tyre?

SAMUEL ZHBOGAR: Mendoj se ka mjaft kohë për të parë ndryshime deri në nëntor. Kohëve të fundit kam qenë disa herë në veri dhe kam biseduar me njerëz dhe zyrtarë atje. Vërehet që ka mungesë të informatave, dhe njerëzit ndihen të pasigurt për atë se çfarë i pret ata pas zgjedhjeve të nëntorit. Duhet të bëjmë më shumë shpjegime. Disa detaje të Marrëveshjes nuk dihen ende, sepse grupet punuese janë duke zhvilluar takime për integrimin e policisë, të gjyqësisë dhe shumë gjëra janë duke i bërë në Bruksel. Prandaj, ka shumë paqartësi, se sa persona do të punësohen në gjyqësor, polici apo edhe komunë. Ende nuk dihet se çfarë do të bëhet me sistemin e shëndetësisë, edukimit … prandaj kjo mungesë e informatave po i shtyn njerëzit që të jenë më shumë skeptikë për zgjedhjet e 3 nëntorit. Serbia duhet t’u shpjegojë më shumë serbëve të veriut, komuniteti ndërkombëtar, e, po ashtu, edhe Kosova duhet të bëjë më shumë për informimin e serbëve në veri. Tani është rasti që ata, për herë të parë, të njihen dhe të veprojnë legalisht nga ndërkombëtarët dhe kosovarët. Ne duhet të bëjmë edhe më shumë për t’i informuar ata, por në fund – është vendimi i qytetarëve sesi ata do të reagojnë ndaj këtyre zgjedhjeve.

RADIO KOSOVA: Derisa serbët e veriut po inkurajohen mjaft shumë, në anën tjetër kemi shumicën shqiptare në Kosovë, që mendon se me këtë marrëveshje, duke iu dhënë serbëve Asocionin e Komunave, policinë, gjyqësinë … të gjitha me bazë etnike serbe, ata mund do të fuqizohen aq shumë sa të bojkotojnë institucionet e Kosovës.

SAMUEL ZHBOGAR: Kur shqiptarët janë shumicë në Kosovë atëherë është vështirë që ndonjë komunitet tjetër të paraqet rrezik, ose t’i bllokojë institucionet e Kosovës. Ajo çfarë është arritur me Marrëveshje është vetëqeverisje e serbëve në veri por edhe në komunat tjera me shumicë serbe në jug. Ata do të kujdesen për jetën e tyre. Kur ne po diskutonim për veriun, vërenim se njerëzit atje frikësoheshin për integrim, nga ideja se mos serbizimi i tyre mund të shkatërrohej nga pushimi i kulturës shqiptare. Në anë tjetër – shihej dëshira e shqiptarëve për ta shtrirë sovranitetin në veri, për të integruar veriun. Prandaj, kur e sheh këtë, atëherë u desh të krijohet mundësi që veriu të integrohet, por duke ua lënë të drejtën serbëve atje për të kontrolluar jetën e tyre duke qenë komod në Kosovë. Dhe për këtë është Asosacioni, përmes së cilit ata do të vendosin për planet e tyre urbane, sociale, shkollimin, mjekësinë etj. Ata do të kenë të drejtën e zgjedhjes së komandantit të policisë , i cili është pjesë e zinxhirit komandues të Policisë së Kosovës. Por, në asnjë mënyrë, ata nuk do të mund ta bllokojnë funksionimin e institucioneve të Kosovës.

RADIO KOSOVA: Cili është mendimi Juaj për Ligjin për Amnisti? Më konkretisht – a do ta zbatonit Ju një ligj të tillë të amnistisë edhe në vendet tuaja, si anëtare të BE-së?

SAMUEL ZHBOGAR: Ligjet e amnistisë, zakonisht, zbatohen në vendet e tranzicionit. P.sh., kemi rastin e Britanisë së Madhe me Irlandën e Veriut ose në Maqedoni. Kjo mendoj se është diskutuar edhe në Bruksel. E di që ka njerëz të shoqërisë civile në Kosovë, që janë të shqetësuar, jo aq shumë për zbatimin e ligjit në veri për serbët, por për zbatueshmërinë e tij në jug të Kosovës, përmes të cilit do të amnistohen kriminelë që veprojnë në jug. Por tani, meqë Ligji është në Gjykatën Kushtetuese, atëherë ne duhet të presim vendimin e gjykatës. Por, ky Ligj është i rëndësishëm sepse në një farë formë tërheq tërë procesin e integrimit të veriut.

RADIO KOSOVA: Kosova në tetor do të fillojë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. A janë institucionet kosovare të gatshme për të përmbushur të gjitha kriteret që dalin nga ky proces gjatë?

Fundamenti

SAMUEL ZHBOGAR: Nuk mendoj se do t’i fillonim këto negociata sikur të mos besonim se mund të arrinim diçka të tillë. Kur i filloni negociatat – ju nuk jeni të gatshëm që t’i përmbushni ato, por kur i kryeni negociatat – atëherë jeni komplet një vend tjetër, dhe atëherë do të jeni të gatshëm t’i plotësoni ato. Kësaj radhe jemi mjaft ambiciozë që t’i përfundojmë këto negociata deri në pranverën e vitin tjetër, prandaj – do të jetë një periudhë mjaft intensive. Përmes procesit të MSA-së duhet të sigurohemi se procesi është i pakthyeshëm. Kosova duhet për një kohë duhet t’i plotësojë disa kritere të cilat do t’i kërkohen: si reforma zgjedhore, ngase në këto zgjedhje të nëntorit, por edhe ato qendrore, më nuk duhet të kemi përsëritje të zgjedhjeve të vitit 2010.

RADIO KOSOVA: Ku qëndron lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në MSA?

SAMUEL ZHBOGAR: Sundimi i ligjit është prioritet në këtë proces jo vetëm për Kosovën, por edhe për tërë vendet që janë të përfshira në procesin e zgjerimit. Prandaj, ajo që duhet të shohim në këtë drejtim është përforcimi i sundimi të ligjit. Duhet të shohim bashkëpunim të mirë me EULEX-in rreth ndihmës në fushën e sundimit të ligjit, qoftë përmes EULEX-it, qoftë përmes instrumenteve tjera që ka BE-ja.

RADIO KOSOVA: Mendoni se një ditë, qytetarët e Kosovës, do të shohin që një prokuror apo gjyqtar shqiptar do ta gjykoj një zyrtar të lartë kosovar, pa pasur frikë, ose pa praninë e EULEX-it ?

SAMUEL ZHBOGAR: Po, për këtë është EULEX-i këtu. Për momentin kjo nuk është e mundur, por gradualisht ne do të duhej t’i dorëzonim këto kompetenca tek vendorët, dhe procesi tanimë ka filluar. Qeveria po e kërkon këtë nga ne, dhe ajo beson se mund ta bëjë këtë shumë shpejt. Qeveria duhet të na bind neve se Kosova është e gatshme të bëjë diçka të tillë. Unë mendoj se kjo mund të arrihet, por fillimisht duhet të keni njerëz të guximshëm, sidomos prokurorë, të cilët duhet t’i mbroni, por duhet, po ashtu edhe ambient politik që do ta mundësonte këtë. Por, në çfarëdo mënyrë, qoftë përmes EULEX-it, ose më vonë përmes mekanizmave tjerë, Kosova do të jetë nën mbikëqyrjen e BE-së, dhe nëse e tëra shkon mirë – atëherë edhe rruga për në BE do të jetë më e shpejtë.

RADIO KOSOVA: Kur jemi tek EULEX-i, kohëve të fundit kemi një debat që po zhvillohet në Kuvend rreth mandatit të EULEX-it. Cili është mendimi juaj në këtë drejtim?

SAMUEL ZHBOGAR: Në vendet demokratike Parlamenti ka të drejt të debatojë për çështje të ndryshme, por kemi vërejtur se debati ka qenë i nxitur. Mendoj se ka qenë debat i nxitur. Pamë që nuk kanë qenë të gjitha partitë prezentë aty, nuk e kanë mbështetur të gjitha partitë. Por, e ardhmja duhet të diskutohet me neve që e mbështesim EULEX-in, sepse ju na keni ftuar këtu për t’ju mbështetur. Në anën tjetër, Kosova po e fton BE-në që të jetë sa më afër saj, sidomos në sferën e liberalizimit të vizave, atëherë ne shohim se EULEX-i mund të jetë shumë i dobishëm. Por, në muajt në vijim, ne, komuniteti ndërkombëtar dhe vendorët, duhet të ulemi së bashku dhe të diskutojmë rreth fushave ku duhet më shumë ndihmë, por gjithnjë të veprojmë si partnerë të ndërsjellë.

RADIO KOSOVA: Ju thatë që debati për mandatin e EULEX-it ka qenë i nxitur. I nxitur nga kush?

SAMUEL ZHBOGAR: Kemi parë që ka pasur mjaft vështirësi për ta pasur këtë debat në agjendë. Njerëzit nuk ndiheshin rehat për të debatuar në Kuvend për këtë çështje, por kemi parë edhe njerëz që më të vërtet e dëshironin këtë debat. Por, siç thashë, është vend demokratik dhe ne nuk duhet të ankohemi për këtë. Mendoj se duhet të vazhdojnë bisedimet që tanimë i kemi filluar me Qeverinë e Kosovës, për të parë bashkëpunimin tonë në të ardhmen.

RADIO KOSOVA: Kur mendoni se qytetarët kosovarë do të jenë të lirë të udhëtojnë pa viza në Evropë?

SAMUEL ZHBOGAR: Mendoj se po ecim shumë mirë. Kemi përgatitur raportin se çfarë nevojitet. Kosova ka adaptuar dhe përgatitur disa amendamente që lidhen me këtë çështje. Në vjeshtë presim edhe një ekip të ekspertëve të cilët do ta shohin zbatimin e këtyre ligjeve, të cilët pastaj do ta nxjerrin një raport që do ta përcaktojë edhe kohën. Nuk mund të flasë me data, sepse Brukseli mendon se është ende herët për këtë, por mendoj se po bëhet punë e mirë dhe jemi në drejtim të duhur.