NATO e shqetësuar, dislokon në Kosovë trupa nga forca e krijuar së fundmi, e aftë për “regim ndaj krizave”
Afro 200 trupa nga Forcat e reja Aleate të Reagimit (ARF) do të dislokohen në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut nga 30 shtatori deri më 16 tetor, siç njofton KFOR-i në një komunikatë për media.
Ky është dislokimi i parë ARF-së, forcës që u krijua në korrik të këtij viti. Në Kosovë do të dislokohen 50 trupa të Ekipit Operacional të Ndërlidhjes dhe Zbulimit (OLRT) të ARF-së, ndërsa 150 në Maqedoninë e Veriut.
“Personeli i dislokuar do të performojë aktivitete stërvitore për të mbajtur në nivel të lartë gatishmërinë dhe për të testuar aftësitë e tyre dhe procedurat për dislokim të shpejtë të një force të madhe. Një pjesë e selisë së ARF-së do të integrohet përkohësisht në komandën dhe strukturat kontrolluese të misionit të KFOR-it dhe do të ketë për detyrë që të identifikojë kërkesat e mbështetjes logjistike, mbështetjen infrastrukturore dhe operacione për KFOR-in në rast të nevojës për një përforcim të pranisë së KFOR-it”, tha misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë në një komunikatë për media.
KFOR thotë se ARF është një “forcë strategjike, me gatishmëri të lartë, e aftë për shumë fusha”. Ajo thuhet se është në gjendje të dislokohet shpejt dhe mund të ofrojë ndihmë në mbrojtje në skenare të ndryshme.
ARF siguron, siç thotë KFOR, “një aftësi për reagim të menjëhershëm ndaj krizave”.
Ky dislokim, së bashku me dislokimet e këtij muaji në Kosovë të Forcave Strategjike Rezervë (SRF), dërgojnë “mesazh të qartë të vendosmërisë të fortë të NATO-s dhe përkushtimit për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe aftësinë e aleancës dhe gatishmërinë për t’u përgjigjur”.
Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli “po e monitoron nga afër situatën në Ballkanin Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën”, thotë KFOR-i.
“Tensionet e përsëritura dhe veprimet e pakoordinuara ngrenë shqetësimin e aleatëve dhe partnerëve të NATO-s për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën, stabilitetin e rajonit dhe sigurinë e trupave të NATO-s dhe të partnerëve.”, thuhet në komuikatë.
Në Kosovë së fundmi u dislokuan edhe ushtarë britanikë të cilët do të marrin pjesë në stërvitje me trupat e KFOR-it prezente në vend.