Mobi Casa

Zhag me konkurs

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Një konkurs për disa vende të lira pune po ia merr gjysmë viti Ministrisë së Diasporës. Ky dikaster qeveritar që nga shtatori i vitit të kaluar nuk ka mundur të rekrutojë staf për disa pozita të rëndësishme. Aplikuesit po dyshojnë se punësimet aty do të bëhen “me të njofshëm”, derisa zyrtarët në Ministrinë e Ibrahim Makollit fajësojnë rregulloret.

Ka shumë muaj që D. R nga Prishtina po pret një përgjigje nga Ministria e Diasporës. Ky qytetar nga Prishtina ka aplikuar për t’u punësuar në katër pozita për një vend pune në këtë ministri në një konkurs që ishte hapur në shtator të vitit që shkoi.

Në fakt konkursi ishte rishpallur një muaj pas anulimit të shpalljes së parë të tij. Tash kur kanë kaluar gjashtë muaj, D.R i ka humbur të gjitha shpresat se do të merr ndonjë njoftim. Ai sqaron se ka kryer intervistën më shkrim në nëntor dhe më prej asaj dite nuk ka asnjë informatë nga Ministria.

“Unë jam duke pritur një përgjigje çfarëdo qoftë ajo”, tha D.R. ky qytetar ishte interesuar nëpërmes disa njerëzve për fatin e konkursit, ndërsa përgjigja e zyrtarëve të Ministrisë ishte se mos rekrutimi kishte ndodhur për shkak të vdekjes së sekretarit Jusuf Preniqi.

Por, ky aplikues dhe tjerët që kanë hyrë në intervistë dyshojnë për dallavere të mundshme në përzgjedhjen e njerëzve që do të rekrutohen. Ministria kishte shpallur konkurs në shtator për shtatë pozita në departamente të ndryshme që lidhen me funksionimin e kësaj ministrie.

D.R tregon se për secilën pozitë kanë hy në test me shkrim nga njëqind veta që i bie se për shtatë vende kanë konkurruar përafërsisht 700 persona. Ky numër i madh njerëzish e shtyn aplikuesin të mendojë se gjasat për punësime me të njohshëm janë më të mëdha.

“Kur ta kesh parasysh se në shumicën e rasteve konkursi bëhet sa për të plotësuar procedurat formale, kjo të lë më shumë vend për dyshime”.

Edhe pse zyrtarët e Ministrisë përjashtojnë një mundësi të tillë, një incident kishte ndodhur pikërisht për shkak të punësimeve. Mediat kanë raportuar se në nëntor të vitit që shkoi zëvendësministri Nuredin Lushtaku e kishte grushtuar Mustafë Xhemajlin, ish drejtor i Departamentit për Politika të Diasporës. Mësohej se incidenti ka ndodhur për arsye të punësimit të një të afërmi të Lushtakut në këtë Ministri.

Tash Xhemajli është transferuar në ambasadën e Kosovës në Zvicër si ministër ambasador, ndërsa edhe pozita e tij si drejtor ka mbetur e hapur.

Mobi Casa

Në Ministri kanë një arsyetim për zvarritjen e këtyre rekrutimeve.

Xhevdet Sfarqa, këshilltar i ministrit Ibrahim Makolli, ka një sqarim rreth kësaj zvarritjeje. Ai tha për Express se nuk ka ndonjë problem tjetër përveç se tash janë lëshuar rregulloret e reja për stafin civil.

“Sikurse të gjitha ministritë edhe e Diasporës edhe ne kemi dërguar rregulloren e re në Ministrinë e Administratës Publike. Tash pritet edhe miratimi në Qeveri. Derisa të miratohet do të jetë kështu”, tha Sfarqa. Ai sqaron se me rregullore të reja nuk do të ketë më departamente, por divizione, e as nuk do të ketë më drejtorë, por udhëheqës.

“Shumë shpejt pritet të miratohet rregullorja e re dhe pastaj do të zgjidhet edhe kjo puna e rekrutimit”, tha Sfarqa.

Derisa rregullorja e re pritet të miratohet në Qeveri aplikantët janë në ethe se a do të kenë fatin që të jenë pjesë e stafit civil të Ministrisë së Diasporës.

D.R ka pak shpresa për këtë.

“Është bërë shumë duke pritur. Gjashtë muaj janë shumë”, thotë ai.

Në konkursin e shpallur Ministria e Diasporës ka nevojë për disa pozita në disa departamente.

Një pozitë është shpallur për drejtor të Administratës Qendrore që i raporton drejtpërdrejt sekretarit të përhershëm. Pas vdekjes së Preniqit kjo pozitë funksionon me ushtrues detyre. Po ashtu i lirë është edhe vendi i punës drejtor i departamentit për koordinimin e qendrave të kulturës së Kosovës për Diasporën dhe Mërgatën. Një pozitë kërkohet për zyrtar të lartë për koordinim dhe përkrahjen e investimeve të diasporës, sikurse edhe për zyrtar i qendrave të kulturës së Kosovës për diasporë dhe mërgatë. Një pozitë është edhe për zyrtar për media si dhe zyrtar i koordinimit ndërinstitucional, zyrtar i hulumtimeve dhe analizave për diasporën.(express)