UBT

​Zgjidhje: zgjedhjet!

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Shkëlzen Maliqi – Nëse Mustafa nuk është në krye të Kuvendit, edhe Haradinaj vështirë se mund të mbetet kandidat për kryeministër.

Pas plotë katër muajsh nga zgjedhjet e 8 qershorit ende nuk po shihet dalja nga bllokada e krijimit të Kuvendit dhe Qeverisë së re. Në ndërkohë nuk ka as zhvillime të reja e as bisedime mes palëve me qëllim që të ç’ngrihet dhe përshpejtohet procesi. Edhe pse ka disa mundësi relativisht të lehta që të tejkalohet hendeku dhe rivendoset bashkëpunimi, palët mbesin te qëndrimet dhe iluzionet e tyre fillestare, sidomos blloku i katër partive (LAN + VV) të cilat kundërshtojnë çdo variant të mbetjes së PDK-së dhe Hashim Thaçit në pushtet, qoftë edhe të pjesshëm. Kundërshtohet madje edhe marrja e postit të Kryetarit të Kuvendit, për të cilin Gjykata Kushtetuese u deklarua se duhet ti takoj subjektit politik i cili në zgjedhjet fitoi më së shumti vota dhe mandate, pra PDK-së, përkatësisht koalicionit të saj parazgjedhor me disa subjekte që emërtohej Misioni i ri.

Blloku vazhdon të insistojë se i ka numrat për Qeveri, por nuk bën pothuajse asgjë që të hapë rrugën për demonstrimin edhe praktik se do t’i ketë numrat edhe në seancën e Kuvendit që do të votojë Qeverinë e re. Është e vërtetë se blloku rrëzoi Arsim Bajramin, të cilin e kishte kandiduar PDK-ja për postin e kryetarit të Kuvendit. Ai mori vetëm 42 vota. Por, kjo ishte një fitore e Pirros për Bllokun, sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i ka lënë shumë shpresë Bllokut që kandidatin e PDK-së ta zëvendësojë me një kandidat të vetin. Ashtu si më 17 korrik, kur u provua që në një seancë ad hok dhe jashtë rregullave të zgjidhet Isa Mustafa për kryetar të Kuvendit, dhe kjo edhe u bë, tani sikur po shpresohet në skenarin e njëjtë, ndonëse Gjykata Kushtetuese e anuloi këtë zgjedhje. Nëse tentimi do të përsëritej, tani si një farsë, nuk mund të pritet që Gjykata të marrë vendim të kundërt! Përsëritja e një procedimi të tillë do të ishte joserioze dhe e dëmshme për vetë Bllokun dhe konstituimin demokratik të Kuvendit. Demokracia nuk bazohet vetëm në parimin e shumicës, por edhe në rregullat dhe procedurat që korrigjojnë majorizimet e thjeshta, atë që edhe Tokvili në shekullin e XIX e vlerësonte si diktaturë e shumicës dhe dobësi të sistemit të vendosjes me mazhorancë. Nëse rregulli në rastin konkret është interpretuar nga instanca që këtë e ka për detyrë ta bëjë dhe është konstatuar se posti i kryepalamentarit duhet t’i takojë PDK-së (ose Misionit të ri), kjo edhe duhet të realizohet në mënyrë që të procedohet më tutje me zgjedhjen e Qeverisë. Por, Blloku këtë nuk do ta bëjë, dhe këtë mbase jo pse edhe më tutje ka ambicie të thyerjes së rregullit, që dikush e quajti “puçiste”, por për shkak se një hap i tillë do ta dobësonte vetë marrëveshjen anti-PDK të Bllokut, për më shumë ndoshta do ta shkatërronte Bllokun si formacion. Kjo për arsye se shtylla kryesore e Bllokut tani del se është ndarja e posteve mes Ramush Haradinajt (kryeministër) dhe Isa Mustafës (kryeparlamentar), dhe nëse kjo nuk mund të jetësohet, Blloku si duket nuk është në gjendje që të kërkojë alternativa tjera që do t’i mbante katër partitë së bashku. Pra, nëse Isa Mustafa do të duhej të mbetej pa atë post relativisht sinjifikativ që e kishte zgjedh në fillim të lojës, i gjithë procesi do të bëhej i hapur, një lojë tjetër ku edhe Ramush Haradinaj do të duhej të reflektonte për ndonjë zgjidhje kompensuese për Mustafën. Nëse Mustafa nuk është në krye të Kuvendit, edhe Haradinaj vështirë se mund të mbetet kandidat për kryeministër.

Mua më dukët se thirrjet që të caktohet urgjentisht vazhdimi i mbledhjes konstitutive të Kuvendit nuk janë plotësisht të sinqerta, por janë një lloj bllofi që faji për vonesën e procesit të bartet te PDK-ja (e cila mbase edhe po gabon rreth kësaj, do të duhej të vazhdonte me kandidaturat tjera për postin që synon), ndërkaq që Blloku në të vërtetë ia ka frikën edhe ballafaqimit me votën e sigurimit të mazhorancës qeveritare pas grushtit që do ta merrte me humbjen e postit që deridiku do ta mbronte imazhin dhe dinjitetin tejet të rrënuar politik të Isa Mustafës.

Fundamenti

Është e qartë se PDK-ja me 37 mandate nuk mund të jetë më dirigjent i proceseve, dhe mbase do të ishte e “shëndosh” për zhvillimin dhe rionfigurimin e saj të qenit në opozitë, por nuk mund t’i mohohet e drejta që të luftojë për postin që ia garanton Kushtetuta, të ketë postin e Kryetarit të Kuvendit, e në instancat e mëtutjeshme, të shpresoj se pas çarjes ose dhe prishjes eventuale të Bllokut, të bisedoj për format e bashkëqeverisjes.

Por të gjitha këto opsione që mund të hapen nëse do të kishte dialog mes subjekteve, në situatën aktuale të ngërçit tingëllojnë si utopi. Te Blloku ka shenja se të gjithë janë bërë peng të ambicieve personale dhe të frikës për fatin e partive që objektivisht kanë qenë humbëse, nëse nuk e kapitalizojnë idenë se numrat janë në anën e tyre. E në të vërtetë, numrat janë dhe nuk janë, sepse gjatë kohës së vendnumërimit nuk kemi parë përpjekje serioze që të tregohet cila do të jetë formula dhe kompozicioni i qeverisë së bllokut? Është lehtë të flitet për unitetin deri sa të gjithë subjektet e bllokut motivohen me platformën anti-Thaçi, por çka kanë ato substancialisht të përbashkët pos disa rreshtave që i ka detyruar Lëvizja Vetëvendosje t’i nënshkruajnë e që jam i sigurt se nuk do t’i përmbahen.

Sidoqoftë, uroj që të dalë ndryshe dhe Blloku të gjejë daljen nga labirinti që e ka krijuar vetë. Por nga kjo situatë e të humburit të rrugës në oborr, mendoj se zgjidhja do të jetë shpallja e zgjedhjeve të reja, ku mbase edhe do të ketë konfiguracion më premtues për krijimin e pushtetit të ri.