Hidromorava

Zgjedhjet sipas Ardianit

/ 6 minuta lexim

Deputeti Ardian Gjini po konsideron se e ka gjetur zgjidhjen për të parandaluar vjedhjen e votave dhe votimin e dyfishtë. Ky zyrtar i AAK’së ka përgatitur një projekt me të cilin parasheh që secili votues të jep gisht para se të votojë dhe që vota e tij të numërohet në mënyrë elektronike. Sipas tij, ky projekt kushton rreth 8 milion euro.

Vjedhja industriale e votave, votimi i dyfishtë dhe ‘votat’ e të vdekurve ka mundësi të marrin fund në zgjedhjet e ardhshme nëse zbatohet në praktikë një projekt, të cilin e ka hartuar deputeti i AAK’së, Ardian Gjini.

Ai po planifikon që t’ua prezantojë edhe partive politike planin, i cili parasheh që në ditën e votimeve të mos ketë më llamba elektrike dhe të njëjtat të zëvendësohen me një sistem për të lënë gjurmë e gishtërinjve.

Gjini, teksa flet për idenë e tij, thotë se këtë projekt e ka prezantuar në më shumë se njëqind vende, por jo zyrtarisht.

“Duhet të shfrytëzohet data baza e shenjave të gishtërinjve që e ka Kosova. Çdo njeri që ka letërnjoftim në Kosovë i ka dhënë shenjat e gishtave. Në të njëjtën kohë duhet të përdoret ajo data bazë nga KQZ’ja, edhe në çdo qendër të votimit të ketë lexues të shenjave të gishtave. Ai lexues shfrytëzohet në vend të spray’it. Nëse një herë verifikohen shenjat e gishtave dhe jepet shenja duhet të kenë edhe një makinë e cila lëshon fletëvotimin për votuesit”, ka thënë Gjini.

Krejt ky projekt, sipas tij, Kosovës i kushton tetë milionë euro.

Deputeti i AAK’së thotë se ky projekt e ruan krejtësisht fshehtësinë e votës.

Nënkryetari i AAK’së tregon në detaje se si do të aplikohet në praktikë projekti, i cili mund të ndal votimin e dyfishtë, votimin familjar si dhe ‘votimin’ e personave që nuk janë gjallë.

“Kjo e ruan njëqind për qind privatësinë e votës. Në fletëvotim nuk shënohet emri i votuesit dhe skaneri nuk regjistron emër. Janë dy procese të ndara. Procesi i verifikimit të shenjave të gishtave është proces që vetëm e verifikon se a është ai individ që është i regjistruar në listë të votuesve dhe a ka votuar më përpara. Skaneri vetëm i skanon votat dhe i numëron por nuk identifikon emër ose votuesin. Pra, është njëqind për qind i saktë”, ka treguar Gjini, në një bisedë për Express.

Në zgjedhjet e fundit ka pasur votime deri në 130 për qind e votuesve, ndërsa disa prej qytetarë kryesore janë përsëritur zgjedhjet për shkak të manipulimeve të votave.

“Në të njëjtën kohë votuesi regjistrohet se ka votuar edhe s’mund më të votojë, as me kusht as ndonjë formë tjetër”, ka shtuar ai.

Në krejt zgjedhjet e pasluftës ka pasur akuza për manipulim të zgjedhjeve dhe votime masive edhe të njerëzve që s’janë gjallë. Shumë pak njerëz janë dënuar deri më tash për shkak të abuzimit me votat e qytetarëve.

Fundamenti

Tash, Ardian Gjini thotë se në rast se edhe një herë preken votat e qytetarëve, atëherë shteti i Kosovës do të shembet prej themelit dhe askush nuk e di të ardhmen.

“Nuk është vetëm një plan për parandalimin e vjedhjes së votave. Por, është e saktë se nëse vidhen votat edhe një herë në Kosovë mendoj se kemi me hy në një cikël aq të keq të zhvillimeve saqë ka me ia pa sherrin çdo njeri në Kosovë”.

Por, si parashihet të zbatohet në praktikë të projekt i tillë.

Gjini sqaron procedurat dhe thotë se krahas eliminimit të votimit të dyfishtë mundëson edhe numërimin e votave në afat rekord.

“Projekti është më i gjerë sepse është edhe leximi elektronik. Fletëvotimet duhet të jenë fleta të lexueshme që i lexon skaneri dhe në momentin që voton, ai fletëvotim shkruhet sikur çdo fletëvotim tjetër. Mirëpo, në atë fletëvotim lihen gjurmë që lexohen prej skanerit dhe paloset letra dhe vendoset në kuti të votimit. Në këtë mënyrë jo vetëm që eliminohet votimi i dyfishtë, votimi familjar ose votimi i personave të vdekur, por edhe numërimi është i shpejt. Letrat mbesin në kuti për t’i verifikuar më vonë”, ka shtuar ai.

Pavarësisht kostos Gjini thotë se mjetet duhet të gjenden në buxhetin e Kosovës.

“Në qoftë se ka vullnet duhet me i gjet këto mjete. Duhet me e lanë pa e ndërtuar një rrugë dhe me eliminu vjedhjen e zgjedhjeve”, ka konstatuar Gjini.

Ai ka treguar edhe pajisjet teknike të cilat duhen për të pasur sukses ky projekt.

“Pra, duhet një kompjuter, lexuesi i shenjave të gishtave dhe duhet një skaner krejt i thjeshtë, i cili mund të prodhoj në çdo kompani në botë në mënyrë që jo vetëm të eliminohet votimi i dyfishtë ose familjarisht, por edhe rezultatet e zgjedhjeve me i pas menjëherë. Por, prapë letra ruhet në kuti për çfarëdo verifikimi”, ka deklaruar ai.

Gjini thotë se projekti i tij nuk është që të votohet në mënyrë elektronike, por vetëm të eliminohen defektet që kanë qenë më herët si dhe bëhet numërimi më i shpejt i rezultateve.

“Është vetëm numërimi dhe votimi elektronik. Nuk është votim elektronik që votohet në kompjuter. Votuesi shkon në mënyrën e njëjtë. I vetmi dallim për votuesin është që në vend se me ia spërkat gishtin me spray ka me vendos gishtin dhe me verifiku shenjat e gishtave që është ndryshimi numër një. Dhe, ndryshimi numër dy është që para se me hudh letrën në kuti ka me vendos letrën në një skaner që zgjat pak sekonda edhe atëherë me hudh në kuti të votimit”, ka shtuar ai.(express)