Zgjedhje, jo vjedhje

Nga Alma Lama – Fushata elektorale për zgjedhjet lokale tashmë ka hyrë në javën e dytë dhe ka shpërfaqur plotësisht vetveten. Parti e kandidatë pak a shumë kanë shpalosur “vizionin” e tyre, të cilin për hir të së vërtetës nuk e kanë. Përmbajtja e fushatës është mjaft e zbrazët, ndërsa përsa i përket formës, elementet e sharlatanizmit nuk mungojnë.
Kemi parë kandidatët, që në shpërputhje të plotë me karakteristikat e tyre, ndërmarrin veprime mediatike që i bëjnë thjeshtë qesharakë. Rasti i karrocës me speca të një ish –ministreje nuk la tjetër veçse shijen e demagogjisë dhe një humori të keq. Populizmi jo gjithmonë të shpërblehet.
Të tjerë po tentojnë që vizualisht ta mbërthejnë vëmendjen e publikut pas tyre, duke dizajnuar e prerë harta e projekte, mirëpo karakteret e tyre oportuniste, nuk besoj qe do t’i lejojnë ta kapërcejnë rubikonin. Tipa si ata që në darkë flenë me një ideologji, e në mëngjes zgjohen me një tjetër, vetëm e vetëm për një copë pushtet, nuk mund të merren seriozisht.
Sepse nuk ka kurrfarë garancie se nesër kur t’iu jepet mundësia, në mungesë parimesh, nuk do të zhyten në korrupsion.
Të mos flasim për llojin e tretë të kandidatëve, që duket se janë dhe më të shumtit, të papërgatitur, të pa artikuluar, e mbi të gjitha gënjeshtarë.
Pasi kanë qeverisur në format më të paskrupullta, pasi kanë shpërdoruar në mënyrë të pamëshirshme buxhetin tani e marrin guximin të dalin e të kërkojnë prapë vota. Këta njerëz po e nënvlerësojnë shumë këtë popull, po mendojnë se është budalla, që ka kujtesën e peshkut, që mund ta keqtrajtosh si të duash e ai prapë thotë “me ty jam”.
Ka dhe kandidatë që nuk llogarisin fare në vullnetin e qytetarëve, por në mundësinë e tyre për ta qëndisur rezultatin si tua ketë qejfi. Dhe ky do të jetë problem themelor edhe i këtyre zgjedhjeve. A do të jenë ato të manipuluara apo jo.
Për të mos përsëritur frazat e diplomatëve evropianë se ky është një proces që kushtëzon edhe nënshkrimin e MSA-së më
Kosovën, zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do të vendosin në peshore aftësinë e Kosovës për të ekuilibruar ambiciet primitive për pushtet. Në rast se do ketë vjedhje votash, shteti më i ri në Evropë përfundimisht do ta hapë për veten e tij një gropë të madhe, të errët e të ftohtë, nga e cila pakkush do të ketë më vullnet t’i ndihmojë për të dalë.
Evropa dhe bota ka filluar të lodhet me ne me plot të drejtë. Nuk të qëllon rrallë të dëgjosh nga diplomatë të huaj shqetësimin se përse a për këtë u angazhuam ne, që të ndërtojmë një shtet kriminal?
Ndonjë naiv, me krim mendon vetëm vrasjet apo krimin e organizuar, ndërsa manipulimin e zgjedhjeve e konsiderojnë si lojë të pranueshme. Por vetë manipulimi i tyre është krim i organizuar, ai nuk bëhet vetëm por me shokë, zakonisht me urdhra nga lart.
Po kështu zgjedhjet e lira janë fundament i demokracisë. Në momentin që ndryshon vullnetin e popullit i cili shprehet në kutitë e votimit, më nuk mund të flasësh për demokraci.
Unë shpresoj shumë që të mos kemi ndonjë parti politike që e ka paracaktuar rezultatin e zgjedhjeve si në Azerbajxhan ku u vërtetua thënia e popullit se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Një gabim elektronik bëri që të zbulohet manipulimi skandaloz ku rezultati ishte përcaktuar përpara se të zhvilloheshin zgjedhjet. Nuk ka komprometim më të madh se ky.
Por komprometimi ka qenë i pranishëm edhe në Kosovë ku ka disa komuna si ajo e Skënderajt ku nga numërimi i popullsisë doli se më shumë kishte pasur votues sesa banorë.
Për të mos na u përsëritur këto situata, duhet që të gjithë të jenë të vëmendshëm. Është më se e nevojshme që komisionarëve të mos u lihet në dorë numërimi përfundimtar i votave. Duhet patjetër të rinumërohen të gjitha në qendrën e numërimit në Fushë-Kosovë, në prani të vëzhguesve vendorë dhe të huaj.
Radhën e kaluar komisionarët e partive politike, pasi i kanë numëruar votat dhe ndarë sipas partive, i kanë plotësuar vetë dhe kanë nxjerrë deputet atë që e ka paguar më shumë.
Kam informacione se e njëjta skemë është duke u përgatitur edhe tani. Nëpër parti funksionojnë lidhjet klanore, dhe komisionarët do të vjedhin për klanin e tyre apo kandidatin që i paguan më shumë. Kjo skemë duhet të rrënohet një herë e mirë në këto zgjedhje dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi penale.
Që ka plane vjedhjesh në fakt është parë prej kohësh. Fakti që nuk pati vullnet nga asnjë parti politike dhe as nga KQZ që në këto zgjedhje të cilat nuk janë të jashtëzakonshme por të rregullta, që të vendosin sistemin e kamerave nëpër vendvotime, e dëshmon qartë këtë.
Ky sistem i mbikëqyrjes e rrit jashtëzakonisht shumë transparencën dhe zvogëlon manipulimin se paku në numërime, ku ka qenë edhe problemi më i madh në zgjedhjet e kaluara.
Dakord kutitë mund të mbushen siç edhe janë mbushur, por më së shumti vjedhje ka pasur brenda vetë subjekteve politike. Informatat nga terreni flasin se asnjë subjekt politik nuk ka shpëtuar pa u zhytur në këtë mëkat.
Këto zgjedhje rrezikojnë që tani të quhen të manipuluara në rast se janë pranuar aplikacione të parregullta të qytetarëve serbe nga Serbia.
Nën maskën e personave të zhvendosur, ata dëshirojnë të përmbysin rezultatin real. Serbia është e qartë në objektivat e saj. Angazhimin e përditshëm brenda territorit të Kosovës po e bën me qëllimin që të mbajë gjallë idenë e provincës, pra Kosova si provincë e Serbisë.
Tani ata, me lejen që u jep Hashim Thaçi, e kanë mundësinë që t’iu shesin të njëjtin mit që u kanë shitur serbëve në veri prej 14 vitesh, edhe serbëve në jug, të cilët kanë filluar të integrohen. Me një fjalë politika e Beogradit mbetet e njëjta, vetëm se paketimi ka ndryshuar. Si thotë një fjalë e urtë, verë e vjetër në shishe të re.
A ka mesazh më të keq se ky proces po degradon, sesa ai i fotove të kriminelit të luftës, Vojisllav Sheshel, me fotot e të cilit bëhet fushatë mu në afërsi të Prishtinës. Pra udhëtimi i Sheshelit në Kosovë sfidon në mënyrë të turpshme çdo vlerë të demokracisë, dhe është produkt i gjuhës së urrejtjes që zyrtarët serbë po e bartin në gjithë territorin e Kosovës, e jo vetëm në veri siç jemi mësuar t’i shohim deri tani.
Indiferenca që po tregojnë partitë politike ndaj komunave me shumicë serbe është shumë e dëmshme pasi edhe ato komuna janë në territorin e Kosovës. Nuk mund ta anashkalohet veriu, veçanërisht kur është fjala te rregullsia e procesit.
Gjatë kësaj kohe kemi parë shfaqje primitive në KQZ, po asnjëherë diskutime përmbajtjesore e vendosmëri për ta mirëmbajtur procesin zgjedhor.
Mendoj se prania e kamerave në këto mbledhje, më shumë se po e rrit transparencën, po e dëmton funksionimin e institucionit pasi mbledhja po përdoret për promovim elektoral. Një trupë e tillë si KQZ, edhe pse përfaqësuesit janë të partive politike, do të duhej të ishte në një nivel shumë më të lartë profesional. Kështu si është nuk le shumë shpresë për zgjedhje normale.
Përfundimisht janë qytetarët ata që me vetëdijen e tyre do të përcaktojnë llojin e procesit zgjedhor, do të qëndrojnë indiferent ndaj manipulimeve apo do të dalin në rrugë për ta mbrojtur votën, të vetmen mundësi që iu jepet për të ndryshuar diçka. Do të jenë ata që do t’i bëjnë subjektet politike të kuptojnë se me 3 nëntor kemi zgjedhje, jo vjedhje.
Autorja është deputete e pavarur në Kuvendin e Kosovës