Zëvendësndihmës sekretari amerikan: Gjykata Speciale duhet të themelohet

Zëvendësndihmës sekretari amerikan, Hoyt Yee në emision Info Magazine të Klan Kosovës tha se është shumë me rëndësi që Gjykata Speciale të themelohet në mënyrë që të përmbyllet një kapitull, që është si një re mbi Kosovën.
Ai tha se është me rëndësi që njerëzit përgjegjës, që dyshohet për krime të dalin para drejtësisë.
Yee tha se nuk e dinë saktë kur do të themelohet, por sipas tij, kjo duhet të bëhet sa më shpejtë që është e mundshme.
Ai bëri të ditur se bashkësia ndërkombëtare është duke e vëzhguar Kosovën se si po e trajton këtë çështje.
Hoyt Yee, tha se shpreson që qeveria do të marrë hapat e ardhshëm, të nevojshëm në këtë drejtim.
Ai u shpreh se qëllimi i Gjykatës Speciale kurrë s’ka qenë që të ketë cak vetëm një grup etnik, apo vetëm një orientim politik.
“Qëllimi ynë është Kosova ta përmbyllë një kapitull që ka qenë si një re mbi Kosovën, se pse nëse kjo nuk trajtohet si duhet atëherë kjo re do të qëndrojë mbi Kosovën…”, tha ai.
Yee: Të ndëshkohen të korruptuarit, të burgosurit të rrinë në burg
Kosova duhet të dënojë njerëzit që janë përfshirë në afera korruptive dhe ata që dënohen duhet ta mbajnë dënimin ka thënë zëvendësndihmëssekretari i SHBA-së për Çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, Hoyt Bryan Yee, në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Duhet të ketë pasoja për korrupsion, s’duhet të ketë mosndëshkim për ata njerëz që janë të përfshirë në afera korruptive. Nëse dënohen duhet të shkojnë në burg, e nëse burgosen duhet të rrinë në burg, e jo të shkojnë në shtëpi gjatë fundjavave”, ka thënë Yee.
“Duhet të nënkuptohet se ka pasoja kur si zyrtar përfshihesh në korrupsion. Qytetarët duhet ta dinë se jo domosdoshmërish duhet të paguajnë mito për mjekët për të pasur një trajtim mjekësor e se paratë e tyre s’duhet të shkojnë në gjepat e zyrtarëve”.
“Qytetarët duhet të sigurohen se kriminelët s’duhet ta shfrytëzojnë Kosovën si një strehë krimi”.
Diplomati amerikan Yee ka thënë se për gjetjen e një krize politike u takon të angazhohen atyre që kanë marrë votën nga qytetarët e Kosovës.
“Udhëheqësit politikë të zgjedhur duhet ta bëjnë punën për të cilën janë zgjedhur. Duam të shohim më pak korrupsion e më shumë vende pune. SHBA-të u bëjnë thirrje të gjitha partive politike që ta kryejnë punën e tyre, për t’i gjetur zgjidhje kësaj krize”.
Është shumë e rëndësishme që udhëheqësit kosovarë ta kuptojnë ndikimin negativ të këtyre pamjeve në gazetat dhe televizionet ndërkombëtare. Në të gjitha demokracitë duhet të ketë kompromis dhe mënyrë të zgjidhjes së problemeve”, ka pohuar Yee në një intervistë speciale në Info Magazine.