RCCOLA

Zeqirja Rexhepi nderoi disa herë Kosovën, mbeti pedagog i mirë dhe maestro i pikturës

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Piktori me renome ndërkombëtare Zeqirja Rexhepi nga Përlepnica e Gjilanit më mirë se çdo kush tjetër në diasporë, ka ditur ta prezantojë Kosovën dhe vlerat e saja. Zeqa ka bërë shumë për Kosovën duke prezantuar dinjitetshëm në fushën krijuese potencialin e tij profesional, duke fituar edhe çmimin e karrierës i njohur si “Established Artist Recognition Award” nga Arts Nova Scotia. Zeqirja Rexhepi ishte me tërë familjen e tij në shërbim të vlerave afirmative dhe tashmë emri i tij mbetet në themelet e rëndësishme të kulturës dhe diplomacisë kanadeze.

Zeqirja Rexhepi edhe në sot është aktiv dhe punon varësisht nga motivi dhe shija artistike. Është shumë i dhënë pas pikturës dhe mbetet model i krijuesit bashkëkohor.

Tani ndodhet në Gjilan në qytetin e tij të ëndrrave duke mos e harruar asnjëherë vendlindjen e tij Përlepnicën. “Unë jam në Gjilan sepse e dua vendin tim, e dua Kosovën dhe kam bërë shumë për çështjen shqiptare. Kam punuar me shumë pasion e dashuri për ta përfaqësuar Kosovën në mënyrë dinjitoze. Në saje të punës sime krijuese, dhe në saje të vlerave që kanë familja ime këtu në Kanada, unë edhe kam fituar çmimin e karrierës të njohur si “Established Artist Recognition Award” nga Arts Nova Scotia”.

Piktori tashmë me renome ndërkombëtare ka arritur majat e suksesit në Kanada dhe pret që moshën e pleqërisë ta kalojë në Gjilan, ku edhe ka blerë banesë.

”E dua Gjilanin dhe dua të jetoj këtu afër miqve të mi të shumtë krijues. Kosova ka vlera evropiane dhe ashtu edhe duhet të sillemi. Unë njoh shumë krijues nëpër botë që janë shqiptarë dhe që kanë bërë shumë për shtetin e Kosovës, por janë të harruar. Duhet të kujdesemi për njerëzit tanë, dhe duhet ta përkrahim trurin shqiptarë” shprehet Rexhepi.

Ndryshe, Zeqirja Rexhepi me të drejtë mund të quhet një maestro në afirmimin e Kosovës në arenën diplomatike. Punën e tij të mrekullueshme, dhe kolosale e shfrytëzojë jo vetëm për vetën, por edhe për ta nderuar popullin e Kosovës dhe vet shtetin e saj.

Zeqirja Rexhepi piktor profesionist, ligjërues universitar, dizajner, skenarist filmash, ka bërë një emër të njohur në tërë Kanadanë e më gjerë. Ishte larguar me dhunë në vitin 1999 nga Përplepnica e Gjilanit. Ishin forcat serbe ato që Zeqirja Rexhepit do ia ndërrojnë tërë kahen e tij jetësore. I shkolluar e i edukuar në Gjilan, Shkup, Prishtinë, e Zvicër, destinacioni i tij i fundit mbetet Kanadaja.

Me Akademinë e arteve të kryer në Prishtinë dhe me specializimin e kryer për dizajn në Sarbona të Zvicrës, Zeqirja Rexhepi nuk e kishte problem integrimin e tij në Halifax të Kanadasë.

Pak kush mund ta marrë me mend se Zeqirja Rexhepi në qytetin ku jeton vazhdon të mbetet një hero i dashur dhe i adhuruar nga komuniteti i atjeshëm, miqtë e shumë artistë e krijues.

Mobi Casa

Zeqirja Rexhepi në Kosovë mbahet mend si kuadër i parë dhe i rrallë i fabrikës së Tekstilit në Gjilan dhe më vonë edhe vepra e tij e madhe në pikturimin mural në Kishën e Binqës, vepër e përbashkët me Demir Behlulin.

Thotë se në Kanada shumë shpejt është adaptuar, dhe është integruar. Kjo krejt falë punës, talentit dhe përkushtimit të tij për gjuhën e kulturën dhe traditat kanadeze.

Ajo çka e bënë të veçantë Zeqirja Rexhepin është fakti se ai është kërkuar nga të gjitha shtresat në Halifax të Kanadasë. Ka bërë piktura edhe për ushtrinë kanadeze, jep mësim në Galerinë e Arteve dhe në vet qytetin Halifax ku ligjëron teknikën e vajit. Është anëtar i shumë organizatave e shoqatave figurative e filmike. Ka fituar shumë çmime prestigjioze falë punës së tij profesionale. Ka fituar çmimin prestigjioz të mbretëreshës Elizabet ku është nominuar nga vet krijuesit kanadez.

Gjithashtu, Zeqirja Rexhepi ka mbetur në historinë e librave të Kanadasë sepse është autor i disa kopertinave të librave të rëndësishëm universitar. “Nuk kam bërë punë kolosale vetëm për Kanadanë, por edhe për Kosovën. Kosova është ëndrra ime dhe jam përpjekur që në çdo këndë diplomatik ta prezantojë Kosovën, ta avancojë shtetin më të ri” thotë Rexhepi.

Rexhepi e ka ngjallur edhe jetën e komunitetit shqiptarë në Kanada. “E tërë familja ime jemi të kyçur dhe të dhënë pas profesioneve të ndryshme. Kemi arritur që së bashku me fëmijët të japim muzikë të gjallë shqipe në Kanada. Për këto aktivitete dhe programe tonat kanë shkruar shumë gazetat, madje janë 3 kg gazeta që kanë shkruar për punën time. Meqë jam skenarist i 22 filmave për punën time kanë bërë dokumentar disa televizione kanadeze”.

Zeqirja Rexhepi mbetet shembulli më i mirë i një mërgimtari, por kësaj radhe jo i tretur, i humbur e i nëpërkëmbur, por vizionar, patriotë, dhe njeri me ndikim në shtetin ku jeton.

Veprat e tij që ndodhen në shumë mure e kënde më të frekuentuara të Kanadasë, siç janë ato nëpër aeroporte e aviacione ushtarake lënë gjurmët e mira të një shqiptari intelektual e punëtorë./rajonipress/