Hidromorava

Zeka: Ligji nuk e ndalon që unë t`i mbajë dy poste

/ 7 minuta lexim

Gjilan – Në një intervistë për rajonipress Izmi Zeka flet për akuzat e opozitës,për konfliktin e interesit që mund të ketë ai, për koalicionin me AAK, që pritet të ndodhë së shpejti,për kandidimin e tij për kryetar të Gjilanit,e çështje tjera me interes.

Njeriu më i përfolur nga opozita se ka konflikt të interesit meqë i mbanë dy pozita padyshim është Izmi Zeka kryesues i Asamblesë Komunale dhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme. LDK-ja disa herë ka kërkuar që Zeka të japi dorëheqje nga njëra pozitë dhe kjo ishte arsyeja që Zeka është përgjigjur në pyetjet e rajonipress.

Rajonipress: Zoti Zeka kohëve të fundit jeni akuzuar nga opozita se po i mbani dy pozita në mënyrë të kundërligjshme. Pra jeni edhe kryesues i Kuvendit edhe zëvendësministër i punëve të Brendshme. A ka në fakt konflikt interesi këtu?

Zeka: Për opozitën çdo gjë e jona, prej ardhjes në pushtet është konflikt interesi.
Ligji absolutisht nuk ndalon që unë të mbajë të dyja këto poste, e aq më pak ka konflikt interesi kur dihet se këto dy pozicione mbajnë përgjegjësi krejtësisht të ndryshme. Në fakt unë kaherë do isha tërhequr nga pozicioni i Kryesuesit të Kuvendit, po duke parë stabilitetin që ka dëshmuar ky institucion dhe me sugjerimet e ofruara kam vendosur të qëndrojë edhe një kohë të shkurtër.

Rajonipress: Çka nëse konstatohet se vërtet keni konflikt interesi. S`i do të reagoni?

Zeka: Po të kishte diç të tillë deri tani do të dihej gjerësisht. Nga të gjitha sqarimet që kam kërkuar ka dalë se këtu nuk ekziston kurrfarë konflikti i interesit.

Rajonipress: Lutfi Haziri ju ka akuzuar se me direktivën tuaj është shantazhuar Xhavit Hajdari tashmë i akuzuar për marrje ryshfeti. S`a qëndrojnë këto akuza të kreut të LDK- së

Zeka: E para është totalisht e pajustifikueshme mbrojtja e një zyrtari të akuzuar për korrupsion, madje i zënë në flagrancë.
E dyta, LDK dhe zoti Haziri me këtë qëndrim cenojnë direkt institucionet e pavarura të drejtësisë.
E treta, ne në vazhdimësi kemi potencuar shkeljet që ka bërë Hajdari, dhe po të kishim pasur fuqinë demokratike, kaherë ai nuk do të kishte qenë në atë pozicion.
Arrestimi i ish drejtorit të Spitalit Regjional të Gjilanit, Xhavit Hajdari, nuk mund të lidhet në as një variant me pozitën time në Qeveri, si zëvendës ministër i Punëve të Brendshme.

Secili që e ka bërë fajin, ka shkel ligjin, ka kush merret me te, jo unë dhe askush tjetër nga politika e shtetit. Është hetuesia, prokuroria dhe gjyqësia që e thonë fjalën e vet. Dhe ato po punojnë në këtë drejtim në mënyrë të pavarur.

Pra, secili nga ne le të merr përgjegjësinë që i takon, as më shumë as më pak.
Nuk është ky rast i vetëm në Kosovë. Ju e dini që ka edhe nivele më të larta komunale e qeveritare që kanë dhënë llogari dhe po japin për shkelje e tejkalime ligjore. Atëherë, kë duhet ta fajësojmë ne për këto arrestime e burgosje!?

Kjo logjikë e të menduarit kështu, na qon në kaos dhe regres të shoqërisë. Ndërsa zotimet tona janë tjera, janë ato që u ka besuar dhe po i beson bota e përparuar demokratike.
Asnjë alternativë tjetër nuk ka, pos respektimit të rendit demokratik dhe ligjeve të shtetit të pavarur të Kosovës, nga të gjithë në pa asnjë përjashtim. Dhe kjo po dëshmohet për çdo ditë e më shumë.

Rajonipress: Zoti Zeka si e vlerësoni punën e qeverisjes komunale?

Zeka: Qeverisja komunale është vlerësuar nga qytetarët e Gjilanit; nga mekanizmat ndërkombëtarë që monitorojnë punën tonë, përfshirë USAID-in. Sigurisht nuk mendojmë dhe nuk kemi pretendime se kemi arritur qindperqind realizimin e proklamimeve qe i kemi bërë , por në mas të konsiderueshme i kemi kthyer dinjitetin qytetarit të Gjilanit dhe i kemi dhënë fuqinë vendimmarrëse.

Qeverisja jonë ka ende mandat dhe besojmë se projektet e nisura dhe ato të rëndësishme në këtë fazë do t’i realizojmë brenda këtij mandati. Pas luftës qeverisje më efikase nuk ka pasur Gjilani.

UBT

Rajonipress: A do të vazhdojë koalicioni PDK-PSD dhe mos i hytë në “hak” kësaj të fundit?

Zeka: Koalicionet në sistemin pluralist demokratik, dihet si bëhen dhe kujt i besohet ta bëjë atë. PDK si fituese për dy mandate të qeverisjes me Gjilanin, është e njohur për tolerancë dhe kompromis në interes të komunës dhe qytetarëve të saj. Në këtë relacion dhe me këto premisa e ka arrit besueshmërinë tek qytetarët po edhe tek partnerët qeverisës të koalicionit. Janë marrëveshjet politike ato mbi bazën e të cilave janë të rregulluara këto punët e koalicioneve.

Atëherë kur nuk funksionon diçka mes partnerëve të koalicionit, edhe marrëveshjet bien. Është normale kjo dhe demokratike. Në hak nuk i kemi hy askujt, bile bile jemi treguar shumë dorëlirë, e që herë herë sikur jemi keqkuptuar e mbase edhe keqpërdorur.

Politika ka rregullat e veta, ndryshe nuk do të quhej politikë. Një qëndrim i degës që besoj që edhe opinioni është i njohur se në parim kemi arritur marrëveshje me AAK-ne. Natyrisht edhe miqtë që i kemi pasur deri tani nuk do t`i bezdisim me veprime të shpejta ,por një është e qartë se koalicioni me AAK-në pritet të bëhet së shpejti.

Arti i zhvillimeve institucionale nganjëherë nuk duket me dioptrinë e syrit, por ai i ka edhe rregullat e veta. Ndoshta nganjëherë është keqkuptuar roli i PDK-së në pushtet e cila është bartëse e menaxhimit dhe funksionimit institucional sikur përgjegjësit janë përzier. Ne jemi koshient për veprimet tona por edhe për angazhimet të cilat e bëjnë qytetarin suprem në perspektivën e tij.

Rajonipress: A pritet të kandidojë Izmi Zeka për kryetar të Gjilanit?

Zeka: Jemi në fazën e realizimit të Projekteve të rëndësishme, dhe koncentrimi im konsiston në këtë drejtim. Janë strukturat e PDK-së ato që përcaktojnë vendimet e rëndësishme. Por asnjëherë në jetën time dhe tani nuk jam i prirur t`i zë në befasi qytetarët për çfarëdo çështje,sepse gjithçka është relative. Nuk kam bërë be në kuran e as bibël sepse do të isha jo i sinqertë me qytetarët e Gjilanit.

Rajonipress: S`i e shihni koalicionin mes PDK-AAK. Kur pritet të ndodhë ky koalicion?

Zeka: Ne kemi funksionuar mirë në Kuvendin komunal edhe me AAK-në në opozitë, e cila ka qenë mjaft konstruktive. Mbi këtë bazë do të reflektoj së shpejti edhe marrëveshja me AAK-në e cila do të merr formën e prerë.

Rajonipress: Pse nuk janë mbajtur për një kohë të gjatë zgjedhjet në PDK e Gjilanit?

Zeka: Statuti i PDK-së përcakton se zgjedhjet i shpallë niveli qendror. Ne kemi pasur kuvende pune ku kemi marrë legjitimitetin, dhe puna e PDK-së nuk ka çaluar asnjëherë nga fakti i mosmbajtjes së zgjedhjeve. PDK në pushtet ka pasur punë më të rëndësishme sesa mbajtja e zgjedhjeve partiake, po jam i bindur se edhe zgjedhjet brendapartiake do të ndodhin së shpejti.

Rajonipress: Cili është vlerësimi juaj për opozitën në Gjilan.

Zeka: Opozita ka qenë shumë konstruktive në shumicën e rasteve në Asamble dhe institucionet tjera komunale ku ka përgjegjësi. Në fakt opozita, pjesa e LDK-së, ka pasur jo rrallë dy qëndrime që kanë shkuar deri në kontradiktë. Njëri në Asamble dhe institucione komunale dhe tjetri në Konferencat për shtyp të ideuar nga zoti Haziri, i cili në fakt nuk i ka të gjitha informatat për zhvillimet në Gjilan; ose i ka të shtrembëruara apo edhe i shtrembëron qëllimshëm si pjesë e lojës politike. /rajonipress/