Zbogar: Raporti i Martyt ende vazhdon të qëndroj si re e zezë mbi Kosovën

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar thotë se raporti i Dick Martyt ishte një re e zezë mbi Kosovën dhe se ende po qëndron aty. Kështu, ai thotë se imazhi i Kosovës do të pastrohej me Gjykatën e Veçantë.
Zbogar, thotë se historia nuk mund të ndryshohet ndaj sipas tij, Gjykata nuk është për Kosovën ose UÇK-në, por ka të bëjë vetëm me çështjet e ngritura në raportin e Martyt.
“Raporti i Martyt si i tillë kur është publikuar, mendoj se ai ka sjellë një re të zezë mbi Kosovën dhe kjo re akoma është duke qëndruar mbi Kosovën”, tha Zbogar në emisionin “Zona B” në Klan Kosova.
Shefi i BE-së mendon se deputetët e Kuvendit të Kosovës kur të votojnë lidhur me çështjen e Gjykatës në Kuvend do të mendojnë lidhur me të ardhmen e Kosovës.
Me themelimin e Gjykatës, Kuvendi do të dëshmonte se Kosova është e gatshme që të ecën përpara.
Ndërkohë, Zbogar thotë se do të ishte mirë që sa më shpejt të qartësohej data e mbajtjes së zgjedhjeve, pasi sipas tij çdo ditë e më shumë, Kuvendi po ka paqartësi në funksionimin e tij, pikërisht për shkak të kësaj çështjeje.
Sa i përket, reformës zgjedhore, Zbogar tha se kanë bërë një lloj rysnie që të bëhet reformë më e thellë, por kjo çështje sipas tij, duhet të vlejë për zgjedhjet tjera pasi ato të këtij viti, janë shumë afër.