KKVITI

Zabeli, rrethi i dytë, qarku dhe guaska e prepotencës së rrejshme politike!

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Nga Veton Nevzadi- E vërtetë është se imazhi për politikën krijohet nga perceptimi për të, ashtu siç dihet botërisht se krijimi i perceptimit sa më pesimist për pushtetin vazhdon të mbetet vizion i përhershëm i opozitës.

Është qëllim i tyre që të punojnë në këtë drejtim dhe të reflektojnë me pesimizëm, ashtu siç është e drejtë e tjerëve të paraqesin imazhin pozitiv dhe shpresëdhënës për të ardhmen e mirë bazuar në atë që punohet çdo ditë në terren.

Rastisa në tendencat e dikujt për të krijuar një imazh sa më të errët dhe pesimist për komunën e Gjilanit, dhe në qoftë së nuk do ta dija qartë qëllimin politik, apo nëse nuk do ti njihja ata që mundohen ti prodhojnë këto perceptime, do të filloja t’u besoja tregimeve tyre për rrugët shumë të gjera nëpër qendrat e qyteteve tjera të Kosovës, madje edhe do t’i bindesha ndonjë fjalie e cila do të fliste për ndërtimin e metrove atje.

E në rast se do të përmendej Drenica, me këtë dozë të propagandës që bëhet për të, ndoshta do tu besoja nëse do të thoshin se atje secili qytet e ka aeroportin e vet të ndërtuar gjatë këtij mandati.

Imagjinata në tregimet e këtij lloji shkon sikur gjuha në dhëmbin e sëmurë, vetëm se varet kush e shkruan atë dhe a synon të prodhojë mjegull apo dëshiron t’i lë vend pak diellit. Fjala vjen, çfarë do të thoshte sot dikush që vjen në Gjilan nga rruga e Ferizajt për në qendër të qytetit kur do të shohë gjithë atë rregull në rrugë me atë ylber natyror ngjyrash? Vallë, me kë do të mund ta krahasonte këtë panoramë?

A do të mund ta krahasonte mirëmbajtjen, shenjëzimin dhe rregullin e oborrit të publikut gjilanas me ndonjë qytet tjetër? Nuk e besoj që tash për tash do të mund të krahasohet diçka e tillë.

Uji Dea

Po në rast se do të vinte në Gjilan dikush që e ka lënë qytetin vetëm para ca vitesh? Sigurisht se nuk do të gjente moçalin erëkeq të lagjes Zabeli i Sahitagës dhe në vend të tij do t’i shfaqej shtrati i lumit i rregulluar dhe një shëtitore ku do të mund të shëtiste pasditeve.

Përderisa para ca kohësh ngujoheshim qendrës së qytetit në kolona të gjata për tu lidhur në rrugën që dërgon në Kamenicë dhe anasjelltas, sot qytetari i rëndomtë si rezultat i punës kreative të komunës, gjatë tollovive në komunikacion shfrytëzon mundësinë që i është krijuar për t’u shmangur kah lagja Iliria dhe përmes rrethit tjetër të qytetit futet rrugës (e cila nuk ka ekzistuar më parë) përskaj çerdhes Integj në mënyrë që të lidhet me rrugën Jugu 1 (që nuk ka ekzistuar më parë) për të dalë në magjistralen e cila e dërgon në Kamenicë dhe gjetiu.

Një qeveri jokreative sigurisht që do të vazhdonte të priste për ditë më të mira dhe nuk do të sfidohej me krijimin e rrugëve të reja publike përmes pronave private për të cilat është nevojitur shpenzim i energjisë dhe mjeteve, madje shumë më tepër sesa për rregullimin e rrugëve të zakonshme për shkak të shpronësimeve që kanë ndodhur aty.

Në qoftë se do të vinte në lagjen Qarku dikush që i ka njohur më parë rrethanat në të cilat kanë jetuar ata qytetarë të qytetit tonë, do ta shohë fare mirë se aty në kuptimin e mirëfilltë të fjalës ka ndodhur një revolucion infrastrukturor viteve të fundit përmes investimeve të qindra mijëra eurove në rrugë, në shkollën e re dhe tjera projekte të cilat e kanë bërë më të lehtë jetën e qytetarëve të kësaj lagjeje, madje edhe të atyre që nuk do të donin ti shihnin me sy këto zhvillime.

Ata që qëllim primar kanë krijimin e perceptimit pesimist për zhvillimet në qytet duhet t’i shohin këto dhe shumë zhvillime tjera pozitive të cilat kësaj radhe nuk u përmenden të gjitha, duhet të ecin dhe të shohin se Gjilani po e urbanizon dhe zgjeron veten bashkë me qendrat satelite të cilat tashme po marrin fizionominë e duhur, ata duhet të dalin nga guaskat e prepotencës së rrejshme politike.