z/Reisi Saqipi, dekoron me Mirënjohje ish Reisul Ulema-në e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Sulejman ef. Rexhepi

Të dielën e 8 majit, në Shkup, z/Reisi i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi, në një takim më tepër se miqësor, ka dekoruar me Mirënjohje me “Urdhri i trimërisë”, homologun e tij, ish kreun e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Reisul Ulema-në,Sulejman ef. Rexhepi.

Gjatë këtij takimi me shkas, dy krerët më të lartë të institucioneve fetare në Luginë të Preshevës dhe Maqedoni, të cilët biseduan shtruar për ngjarje dhe zhvillime sa të tmerrshme, po aq edhe krenare të para dy dekadave, e që mjerisht, sfidat e problemet vazhdojnë edhe në të ardhmen në forma dhe mënyra të ndryshme.

“Pata kënaqësinë të jem mysafir i mikut tim Sulejman ef. Rexhepi, ish Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, tani në pension, me të cilin kam qenë bashkudhëtar në rrugëtimin e zhvillimit dhe afirmimit të institucioneve fetare në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi (Lugina e Preshevës), në drejtim të përparimit, unitetit, tolerancës, solidaritetit midis besimtarëve myslimanë kudo qofshin ata”, theksoi z/Reisi Saqipi.

Gjatë këtij takimi, gjithashtu, u shpreh z. Saqipi, se qëllimi i vizitës ishte ndarja e Mirënjohjes nga Këshilli organizativ, me rastin e përvjetorit të mobilizimit të dhunshëm të rreth 150 vullnetarëve tërnocasë nga ish ushtria Jugosllave, gjatë periudhës së fushatës ajrore të NATO-s në Serbi. Përveç Mirënjohjes z. Saqipi, mikut të tij ia dhuroi edhe një libër me opinione për Luginën e Preshevës.

z.Sulejman Rexhepin, u shpreh më tej z. Saqipi, e njohim si një veprimtar të zellshëm dhe parimor jo vetëm në aspektin fetar. Ai, për 40 vjet rresht, la gjurmë të pashlyeshme në veprimtarinë jetësore, në ngritjen cilësore të arsimit fetar në Maqedoninë e Veriut, për unifikimin e faktorit fetar rreth ngritjes, mbrojtjes së stabilitetit të kreut institucional fetar, duke qenë shembull bashkëpunimi edhe me Bashkësitë tjera fetare në Shqipëri, Kosovë e Luginë të Preshevës. Jo vetëm kaq, z.Sulejmani, si teolog dhe intelektual i mirëfilltë, për punën e tij shumëvjeçare në Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, për angazhimet e tij në ngritjen e institucioneve fetare, në hapjen e Fakultetit të Shkencave Islame, në kultivimin e arsimit fetar etj, jo rrallë mori mirënjohje, certifikata e dekorata siç ishte ajo e fundit nga administrata amerikane e Presidentit Tramp dhe presidentit të Shqipërisë Ilir Meta.

“Reisi Sulejman, ka qenë dhe mbetet një hero i vërtetë, i të gjitha sfidave që kanë kaluar proceset rajonale dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ka qenë dhe mbetet, dera e hapur, konaku dhe shtëpia, që ka pritur dhe përcjell jo vetëm shqiptarët e Kosovës, por edhe ata nga Lugina e Preshevës, për mos me marrë botën në sy, kurse Bashkësia Fetare Islame, në krye me reisin ishte promotor i të gjitha lëvizjeve dhe prodhues i stabilitetit të paqes dialogut në rajon”, u shpreh me krenari z/Reisi Saqipi, i cili njëherit është edhe kryetar i Shoqërisë Civile dhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve “Etika” për Luginën e Preshevës, njofton Jetapress.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS