Uji Dea

Z.Beqaj, mjaft manipuluat!

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Besim Beqaj – Z.Besim Beqaj mund të besoni se jeni lojtar i mirë, gjithmonë duke vlerësuar se të tjerët rreth jush janë lehtë të manipulueshëm. Ndodh që edhe kësaj here keni llogaritur se do të na e hidhni, e sidomos atyre që protestuan, duke shkarkuar kreun e KEK-ut, Arben Gjukaj për skandalet e kësaj ndërmarrje për të cilën jeni përgjegjës personalisht ju.

Keni gabuar rëndë nëse keni menduar se me largimin e Gjukajt nga KEK-u do të shpëtoni nga përgjegjësia për malverzimet që janë bërë në këtë ndërmarrje; që nga tenderët e brendshëm e deri tek ai i shitjes së Distribucionit.

Z.Beqaj, qytetarët e Kosovës nuk hanë barë…ata e dinë se drejtori ekzekutiv i një ndërmarrjeje publike ekzekuton urdhrat e politikës e që në këtë rast i jepni direkt ju. Drejtori Gjukaj nuk bën politika, as nuk merr vendime pa dijeninë e juaj, ai është thjesht drejtor teknik. Keni gabuar rëndë nëse keni besuar se më shkarkimin e Gjukajt do t’i ndalni protestat, apo do ta pastroni veten.

Protestuesit mund t’i kenë nxjerrë në rrugë faturat që ua kanë tharë xhepin, por ata e dinë se kush është shkaktari i kësaj gjendjeje. Ata e dinë shumë mirë se ju i keni krijuar të gjitha rrethanat që kanë çuar deri në këtë situatë të mjerueshme. Nuk është problemi, ai teknik i faturave, por është problem politik në krye të të cilit jeni ju bashkë me një grup të ngushtë dhe shefin-kryeministrin Hashim Thaci, që keni degraduar asetet e kosovarëve, të atyre protestuesve të cilët kanë dalë në rrugë direkt kundër politikave të juaja.

Arben Gjukajt, edhe ashtu do t’i skadonte kontrata pas një muaji kur ta marrë në dorë Distribucionin kompania Limak, të cilën ia keni falur për 26 milionë euro, apo mos e ke harruar se ne e dimë këtë detaj? Kështu që kësaj here tentimi juaj për të manipuluar me opinionin publik, si duket nuk do t’ju pijë ujë. Nuk do të mund ta tejkaloni këtë gjendje me largimin e kreut të KEK-ut, sepse shumë gjurmë të keqpërdorimeve kanë mbetur në këtë ndërmarrje, të cilat nuk mund t’i zhdukni kaq lehtë.

Protestuesit e kanë pasur zor derisa të dalin në rrugë, sepse tash e dinë udhën e cila të shpjerë deri te porta kryesore shkaktare, prapa se cilës me manipulime po tentoni të fshiheni edhe ju z.Beqaj. Ndoshta ju ka mbetur zanat që nga koha kur keni qenë në krye të Odes Ekonomike të Kosovës (OEK) të mbani marrëdhënie klienteliste me kompani, e ju kemi parë sherrin duke e aplikuar këtë relacion edhe kur erdhët në qeveri me asetet tona. Keni provuar që me një shkarkim të largoni vëmendjen nga favorizimiet që jeni duke i bërë kompanisë turke Limak, kompani kjo që ia keni servuar një pjesë të rëndësishme të sektorit publik të Kosovës.

Hidromorava

Ju keni kërkuar që të rritet taksa mbi thëngjillin nga 26 centë në 3 euro, për të mbledhur disa miliona euro, vendim ky direkt i cili ndikon në rritjen e çmimit të rrymës, e që po e inkasoni përmes nesh. Ju nuk keni reaguar që të mos ketë rritje të tarifave të rrymës, Zyra e Rregullatorit të Energjisë i raporton Kuvendit, ju nuk keni bërë asnjë përpjekje për t’i lehtësuar qytetarëve jetesë, përkundrazi, ju na shihni neve si mundësi për të përfituar nga kurrizi jonë, ashtu siç jeni duke bërë me buxhetin e Kosovës.

Është shumë e dukshme përpjekja juaj që t’i bëni gati terrenin turqve në distribucion, që t’i rrisni fitimet e tyre, duke punuar me përkushtim që t’i lini gati një kompanie këtë ndërmarrje, e cila do të përfitojë nga konsumatori të cilin për 50 euro borxh e shkyçni nga rrjeti. Jeni bindur se përkundër vjedhjeve që jeni duke na i bërë përpara syve tash sa vite nuk keni pasur reagim të qytetarëve, keni menduar se edhe kësaj here do të na e hidhni.

Z. Beqaj, juve dhe shumë të tjerëve në taborin e Hashim Thaçit, ju njohim tash sa vite, e dimë kush keni qenë dhe kush jeni. Z.Beqaj nuk e kemi harruar se si e ke shfrytëzuar pozitën prej drejtuesit të OEK dhe lojën tënde; “gjëja po e kritikon qeverinë” për t’iu hedhur më pas në përqafim Thaçit.

Edhe pse e pate deklaruar veten si djalë milioner, trashëgimtar i vetëm i pasurisë familjare, për të na bindur se nuk lakmon në paranë publike, ka kohë që të ka dështuar kjo tentativë. Nuk e kemi harruar kur e pate blerë me paratë e taksapaguesve veturën “Mercedes” mbi 50 mijë euro, sapo erdhe në krye të Ministrisë së Integrimeve dhe posa dolën në treg telefonat iPhone shpalle tender për t’i blerë vetes dhe bashkëpunëtorëve nga një të tillë.

Si djalë i “hasretit” e me pasuri, nuk na e ke dëshmuar se je i ngopur! Kështu që mjaft me lojëra të fëlliqura, mos i nënçmoni qytetarët, sepse atyre ka nisur t’iu humbë durimi!