Ymeri: Thaçi po i zbaton marrëveshjet njëanshëm
Lëvizja Vetëvendosje edhe një herë ka kundërshtuar dialogun për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë duke u bërë thirrje të gjitha subjekteve politike dhe shoqërisë që të mos përkrahin këtë proces.
Deputeti Visar Ymeri ka thënë se qeveria e Kosovës njësoj si Pakon e Ahtisaarit edhe Asociacionin e Komunave serbe po e zbaton njëanshëm megjithëse Serbia e ka refuzuar një marrëveshje të tillë.
Sipas tij, pikërisht ky implementim i njëanshëm po e inkurajon Serbinë që të kundërshtojë marrëveshje të tilla, pasi ajo e di se ato do të zbatohen në Kosovë.
Ymeri ka kritikuar Kryeministrin Thaçi i cili sipas tij ende pa raportuar në Kuvend për rundin e tetë të bisedimeve, po përgatitet për një proces të ri dialogu, i cili do të sjellë koncesione të reja në dëm të Kosovës.

