Ymeri: Thaçi, Mustafa e Veseli, të gatshëm të pranojnë çdo gjë në dëm të Kosovës

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, edhe njëherë ka kundërshtuar që demarkimi i kufirit me Malin e Zi të ratifikohet ashtu siç e ka paraparë Komisioni Shtetëror, duke thënë se një kriter i tillë, i vendosur nga BE-ja për liberalizim vizash është në shpërputhje me vlerat evropiane të reciprocitetit ndërshtetëror.
Ymeri, akuzon presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Isa Mustafa dhe kryekuvendarin Kadri Veseli për kompromise të njëanshme në dëm të Republikës së Kosovës.
Shënimi i plotë i Ymerit:
Nuk bën t’i japim mbi 8000 hektarë të territorit – majat strategjike të bjeshkëve, burimet e çmueshme ujore, kullosat e rëndësishme – një kriter i tillë nuk i është vendosur asnjërit nga shtetet e rajonit dhe është në shpërputhje me vlerat evropiane të reciprocitetit ndërshtetëror dhe respektimit të integritetit territorrial të vendeve sovrane.
Hashim Thaçi,Isa Mustafa e Kadri Veseli janë të gatshëm të pranojnë çdo gjë, sepse këta kompromisin e njëanshëm në dëm të Republikës së Kosovës e kanë bërë normë të funksionimit të tyre politik e institucional.
Kjo marrëveshje nuk bën të sillet në Kuvend. Në të kundërtën përgjegjësia për tensioni min e mëtutjeshëm të situatës dhe thellimit të krizës politike bie mbi ta.