Ymeri: S’ka kohë për reformë zgjedhore, zgjedhjet janë zgjidhje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri , përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook”, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e nesërm të thirrur nga presidenti Hashim Thaçi, për “Reformën Zgjedhore”.
“Tash, në kohën kur korrupsioni kronik i qeveritarëve të PDK e LDK në nivele qendrore e lokale është bërë publik edhe ndërkombëtarisht nuk kemi kohë për reformë zgjedhore – nevojiten zgjedhje!”, ka shkruar Ymeri, transmeton “Zeri.info”.
Ky është postimi i plotë i Ymerit:
Sot në zyrat e Lëvizjes ka mbërritur një ftesë nga Hashim Thaçi, i cili thotë se dëshiron të mbledhë partitë politike për një reformë zgjedhore.
Tash, në kohën kur korrupsioni kronik i qeveritarëve të PDK e LDK në nivele qendrore e lokale është bërë publik edhe ndërkombëtarisht nuk kemi kohë për reformë zgjedhore – nevojiten zgjedhje!
Tash kur institucionet e qeveria e Kosovës e kanë humbur legjitimitetin pas projekteve antikombëtare të kësaj qeverie, projekte që sollën tensionim të paparë mes qeverisë e popullit, nuk është koha për reforma por për zgjedhje!
Tash kur populli i Kosovës i varfëruar deri në skaj e gjithnjë e më i papunë prej privatizimeve të kësaj klike po merr rrugët e emigrimit si pasojë e faktit që qeveria PDK-LDK nuk ka ndërmarrë asnjë politikë në ndihmë të ekonomisë e punësimit, tash s’është koha për reforma, por vetëm për zgjedhje.
Zgjedhjet e reja, po të mbahen të ndershme, do të prodhonin legjitimitet për institucionet dhe mbi të gjitha do të sillnin mundësinë për ndryshim që aq shumë i duhet Kosovës.
Pra, e refuzoj këtë ftesë për reformë zgjedhore. Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme. Në të mirë të vendit.