UBT

Ymeri: Secila pjesë e territorit të komunës do ta ndjejë dorën e përkrahjes nga qeveria komunale

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Bajrush Ymeri u ka premtuar qytetarëve se përkundër buxhetit të limituar për investime kapitale, do të bëjë përpjekje maksimale që secila pjesë e territorit të komunës ta ndjejë dorën e përkrahjes nga qeveria komunale.

“Secila pjesë e territorit të komunës do ta ndjejë dorën e përkrahjes nga qeveria komunale”.Kështu është shprehur i pari i komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri, në debatin e parë publik me qytetarët. Në këtë debat, të mbajtur në sallën e Kuvendit, ishin të pranishëm, në një numër solid, qytetarë të lokaliteteve të ndryshme të komunës të cilët ishin aktivë me pyetjet dhe shprehjen e halleve dhe brengave të tyre.

Ymeri, i ka njoftuar qytetarët e pranishëm për punën e ekzekutivit dhe legjislativit në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012. Fillimisht,Ymeri ka folur për miratimin e disa rregulloreve jetike për komunën (rregullorja për auto taxi, për bursa, rregullorja për marrëveshjen me fshatra lagje dhe vendbanime, për korrje- shirje si dhe rregullorja për gurëthyes) si dhe për 32 vendime të rëndësishme të Kuvendit që drejtpërdrejt ndikojnë në jetën e qytetarëve dhe përmirësimin ekonomik të komunës.

Uji Dea

Ymeri, e ka bërë prezantimin e punëve të të gjitha drejtorive të Komunës së Novobërdës, e me theks të veçantë në disa nga projektet më të rëndësishme siç janë, salla e Sporteve dhe e Kulturës në Llabjan, ndërtimi i shkollës në Pasjak, ndërtimi i shtegut për ecje nga Qendra e Turizmit deri te Kalaja, projekti për restaurimin e Kalasë, përfundimi i hartimit të Planeve Zhvillimore Komunale, dhe shumë aktivitete tjera të të gjithë sektorëve të komunës.

Ymeri ka falënderuar të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë që kanë ndihmuar në realizimin e objektivave zhvillimore të komunës si, Komisioni Evropian, Iniciativa për Komuna Efektive dhe Demokratike DEMI-i, LOGOS-i Zviceran si dhe shume organizata të tjera.

Ndërkohë, qytetarët e pranishëm kanë bërë pyetje të ndryshme ndaj kryetarit, kryesisht lidhur me infrastrukturën nëpër lokalitete të ndryshme, mundësitë e përmirësimit dhe zgjerimit të aktiviteteve të komunës. Ymeri ka shtuar se përkundër buxhetit të limituar për investime kapitale, do të bëjë përpjekje maksimale që secila pjesë e territorit të komunës ta ndjejë dorën e përkrahjes nga qeveria komunale. /rajonipress/