Ymeri: Fituam vetë, pa ndihmën e PDK-së, pa ndihmën e SHIK-ut
Sipas tij qytetarët kanë qenë të etur dhe të gatshëm për ndryshim, prandaj, e kanë hequr LDK-në nga pushteti në Prishtinë dhe e kanë sjellë Vetëvendosjen.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka mohuar kategorikisht se kandidati i kësaj partie për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, është bërë kryetar i Prishtinës në saje të votave që ia ka dhënë elektorati i Partisë Demokratike të Kosovës.
Gjatë emisionit Info Magazinë të Klan Kosovës, Ymeri ka thënë se është qesharake të thuhet se Vetëvendosja në Prishtinë ishte mbështetur nga SHIK-u, ose ishte përkrahur nga drejtuesit e PDK-së, qoftë koka, apo dega në Prishtinë.
“Unë mendojë se një thënie e tillë e çështjes siç e keni dëgjuar të flet PDK-ja, siç e keni dëgjuar të flet edhe LDK-ja, pra në ngjashmëri që ato i kanë, shpërfaqë një këndvështrim jashtëzakonisht të dëmshëm që ata e kanë për qytetarin. Pra në një farë mënyre po e konsiderojnë, po e trajtojnë qytetarin, sikur një lloj malli që ata mund ta zhvendosin prej këtij qëndrimi në atë qëndrim dhe t’ia falin dikujt, t’ia japin dikujt, t’ia shesin dikujt”, ka thënë ai.
Sipas tij qytetarët kanë qenë të etur dhe të gatshëm për ndryshim, prandaj, e kanë hequr LDK-në nga pushteti në Prishtinë dhe e kanë sjellë Vetëvendosjen.
Ai ka folur edhe për vidoincizimin që u publikua disa ditë para mbajtjen së rundit të dytë të zgjedhjeve, ku u shfaq Arben Mustafa, djali i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, duke tentuar ta “blejë” një amvistë të Vetëvendosjes.
“Kjo video tregon se në çfarë mënyre njerëzit e afërt me Isa Mustafën, veçanërisht djali i Isa Mustafës, ndajnë poste dhe iu premtojnë poste, tentojnë t’i blejnë përmes shfrytëzimit të të mirave publike që ua ofron babai”, ka thënë ai, duke shtuar se incizimi nuk është veprim i kundërligjshëm, meqenëse është bërë për të dëshmuar një fakt një organet e rendit dhe të drejtësisë.
Krahasuar me zgjedhjet e kaluara nacionale, Vetëvendosja në zgjedhjet sivjetmë ka marrë shumë më pak vota, në nivel qendror, por kjo për deputetin Ymeri nuk do të thotë se ka rënie.
“Po nuk do të thotë se ka rënie në votë, sepse Lëvizja Vetëvendosje për herë parë merr pjesë në zgjedhjet lokale. Pra nuk kemi me çka ta krahasojmë.Nëse e krahasojmë me zgjedhjet e përgjithshme, këtu matematika është e ndryshme dhe rrjedhimisht është një krahasim i cili nuk të tregon asgjë të vërtetë dhe asgjë të saktë, sepse zgjedhjet e përgjithshme dallojnë shumë nga ato lokale”, ka theksuar ai, duke shtuar se megjithatë Vetëvendosje nuk është e kënaqur me rezultatet e 3 nëntorit.


