Ymeri: Drejtësia po tregohet selektive

Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, ka akuzuar gjyqësorin e Kosovës se po merret me raste selektive, duke vënë në prioritet vetëm opozitën.
Ai tha se drejtësia po neglizhon shumë procese të tjera, si rastet për vrasje e korrupsion dhe se po merret ekskluzivisht me rastet e aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”.
Këtë deklaratë i pari i LVV-së e dha për gazetën “Zëri” pas arrestimit të tij nga Policia dhe dërgimit në Gjykatë ku po zhvillohet një proces lidhur me përleshjen e deputetëve në vitin 2012.
Ndër problemet kryesore që ka Kosova, Ymeri tha se është kontrollimi i gjyqësorit për qëllimet e instancave të pushtetit.
“Në mëngjes Policia ka ardhur te banesa ime dhe më ka marrë për të më sjellë në Gjykatë në një seancë, e cila u dëshmua sot se është një seancë gjyqësore shumë afër maskaradës sesa drejtësisë. Këtu siç e dini jemi të akuzuar tre deputetë të Lëvizjes ‘Vetëvendosjes’, dy deputetë aktualë dhe një ish-deputet Florin Krasniqi për një ngjarje të vitit 2012 që ka ndodhur në Kuvend ku paditësi është Bekim Haxhiu – Kamishi, herë deputet i PDK-së e herë agjent i SHIK-ut”, ka thënë ai.
Ymeri ka thënë se edhe në seancën e djeshme, që u mbajt në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është parë që gjyqësori edhe në këtë rast nuk është treguar i pavarur./zeri/