Ymeri: Artanën do ta zhvillojmë e do ta bëjmë atraktive
Gjilan – Në intervistën dhënë rajonipress Bajrush Ymeri kryetar i Artanës flet për buxhetin e vitit 2013, për kërkesat e banorëve rreth investimeve konkrete, për tatimin në pronë dhe zhvillimin ekonomik të Artanës, për kalanë dhe restaurimin e saj si dhe për raportet me opozitën dhe rolin e koalicionit dhe integrimin e komuniteteve.
Bajrush Ymeri kryetar i Novobërdës (Artanës) është njëri nga kryetarët e pakët të rajonit të Anamoravës që me një territor të gjerë dhe me mjete të kufizuara buxhetore ka arritur që ta zhvillojë dhe avancojë jetën politike, ekonomike, kulturore e sportive në këtë qytet.
Është i bindur se pa ndihmën e nivelit qendror dhe pa përkrahjen edhe të miqve ndërkombëtarë, Kalaja e Artanës dhe vet qyteti me një histori të bujshme nuk mund të shndërrohet më një qytet atraktiv për qytetarë dhe turistët e huaj.
Në një intervistë për rajonipress ai shpalos dhe flet për sfidat dhe punët e shumta që ka në plan t`i realizojë gjatë vitit 2013.
Rajonipress: Zoti Ymeri në çka bazohet buxheti komunal për vitin 2013. Çka prisni nga ky buxhet, ku mendohet të investohet dhe sa mendoni se mund të jetë real për të përmbushur nevojat e qytetarëve.?
Ymeri: Në fillim më lejoni të falënderojë shumë agjensionin e lajmeve rajonipress që vazhdimisht ka përcjellë dhe i ka plasuar për opinion debatet tona me qytetarë për buxhetin dhe aktivitetet tjera që janë zhvilluar në komunën e Artanës .
Ne, si çdo vit që hartojmë buxhetin komunal edhe këtë vit kem ndjek të gjitha hapat e duhur që nga fillimi në mënyrë që në fund të kemi një buxhet sipas nevojave që ka komuna e Artanës. Natyrisht kërkesat kanë qenë edhe më të mëdha se mundësitë sepse fatkeqësisht buxheti komunal për komuna ndahet 89 % për numër të banorëve dhe kur kihet parasysh fakti se Komuna e Artanës ka territor në disproporcion të madh me numrin e qytetarëve atëherë del se ne kemi një buxhet shumë të vogël sepse edhe qytetarë kemi më pak.
Pra askush nga niveli qendror nuk e qanë kokën se në tërë këtë territor të shkapërderdhur duhet të operojmë dhe shpenzimet janë shumë të mëdha. Pra për të qenë më konkret komunat që kanë territor të barabartë me ne marrin buxhet nja 7 herë më shumë se ne sepse kanë banorë më tepër. Ne jemi munduar që gjatë hartimit të buxhetit t`i kemi parasysh të gjitha projektet që janë me rëndësi për qytetarët tanë, por natyrisht me këtë buxhet të vogël është e pa mundur të realizohen të gjitha nevojat e qytetarëve.
Rajonipress: Keni mbajtur shumë debate e takime me qytetarët. Çka kërkojnë më tepër ata dhe cili është prioriteti juaj për vitin 2013.?
Ymeri: Po është e vërtetë që këtë vit kemi mbajtur debate të shumta me qytetarët tanë nëpër fshatra të Komunës për arsye se kemi dashtë që të jemi sa më afër tyre për t`i dëgjuar brengat dhe hallet e tyre. Komiteti për Politikë dhe Financa në të cilin janë përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike së bashku me ekzekutivin e komunës pra drejtorët e drejtorive dhe unë gjithashtu mbajtëm një takim dy ditor në Prevallë të organizuar nga USAID-i për hartimin e Buxhetit.
Gjatë këtij takimit dy ditor ne së bashku kemi propozuar një listë me projekte kapitale dhe së bashku arritëm të finalizojmë një listë me projekte që do t`i realizojmë për vitin 2013 dhe duket që shumë prej tyre i kemi përfshi , prandaj edhe qytetarët tanë kanë qenë modest në kërkesat e tyre.
Këtë vit kemi ndarë mjete për herë të parë për të ndërtuar shtëpi për raste sociale pra rreth 30 % të buxhetit e kemi nda për këtë kategori. Subvencionet në bujqësi i kemi rritë këtë vit për 3 herë më shumë se vitin e kaluar. Kemi ndarë mjete për ndërtim të shkollës së mesme, për mirëmbajtje të rrugëve, për ambulanca, për kulturë, për asfaltime të rrugëve etj.
Rajonipress: A jeni të kënaqur me pagesën e tatimit në pronë dhe sa është shkalla e kontributeve komunale në komunën tuaj.?
Ymeri: Sa i përket tatimit në pronë mund të them që jemi shumë të kënaqur dhe po ashtu kemi arrit edhe rezultate të mira. Për këtë flasin dy shpërblime që i kemi marrë nga USAID-i për grumbullimin e të hyrave vetanake.
Në vitin 2008 kemi pasur vendin e dytë nga të gjitha komunat e Kosovës dhe kemi marrë shpërblimin 45.000 $ ndërsa për vitin 2011 kemi pasur vendin e tretë dhe kemi marrë shpërblimin 35.000 $.
Në këtë drejtim mund të them se edhe LOGOS-i Zviceran na ka ndihmuar shumë sepse gjatë vitit 2011 ka financuar evidentimin e të gjitha pronave të reja që janë ndërtuar dhe që ne nuk i kemi pasur në evidencat tona. Është fjala për ndërtimet në zonat e reja kadastrale që ne me decentralizim i kemi marrë dhe si rezultat i kësaj ndihme ne kemi evidentuar edhe rreth 473 objekte të reja që automatikisht ka rritë edhe inkasimin e tatimit në pronë.
Rajonipress: A mundet Artana në të ardhmen të shndërrohet në një oazë ekonomike duke marrë parasysh parametrat strategjik që ka.?
Ymeri: Tani ne po punojmë shumë që Artana të ketë një zhvillim ekonomik më të mirëfilltë, por kjo nuk po varet shumë edhe nga ne dhe për këtë arsye duhet ndihma edhe e institucioneve qendrore.
Duhet të keni parasysh që fatkeqësisht territori i komunës së Artanës nuk është shumë atraktiv për të investuar nga sektori privat në biznese të cilat sot janë në trend, por kjo nuk do të thotë që në të ardhmen nuk mund të ketë investime në fusha tjera.
Këtyre ditëve po punohet rreth kalasë së Artanës për të krijuar kushte dhe infrastrukturë më të mirë për turistët që vizitojnë komunën. Pra restaurimi i kalasë do të thotë zhvillim ekonomik për , por jemi në biseda edhe me biznesmen të tjerë të cilët dëshirojnë të investojnë dhe ndoshta në një të ardhme jo të largët Artana do të jetë më e zhvilluar.
Rajonipress: Sa është real stabiliteti politikë në Artanë. Sa është aktive opozita dhe cilat janë raportet tuaja me minoritetet.?
Ymeri: Po ne kemi një stabilitet politik të qëndrueshëm sepse qysh kur e kemi krijuar në fillim të vitit 2010 këtë koalicion qeverisës deri më tani nuk kemi pasur ndonjë problem të theksuar.
Sa për informatën e lexuesve të juaj ne kemi një koalicion me komunitetin serb sepse në bazë të situatës që e kemi në teren jemi munduar ta përshtatim edhe koalicionin në mënyrë që kjo pastaj të reflektojë pozitivisht te qytetarët tanë. Natyrisht ky koalicion pastaj ka reflektuar edhe në afërsi më të madhe mes komuniteteve dhe po ashtu edhe neve na ka ndihmuar shumë edhe në operim në tërë territorin pa pasur probleme të theksuara.
Opozita është shumë aktive sepse me punën e tyre dhe diskutimet që i bëjnë në kuvend kontribuojnë shumë pozitivisht. Tani ne në kuvend kemi edhe pozitë multietnike e po ashtu edhe opozita është multietnike dhe është shumë interesant kur për çështje të ndryshme diskutojnë edhe shqiptarët e edhe serbët.
Raportet tona me komunitetin serb dhe rom janë të mira, kemi një respekt nga qytetarët tanë sepse tani më ata e kanë kuptuar që ne e kemi shumë seriozisht për tu përkujdesur për ta.
Rajonipress: Kalaja e Artanës mendohet të jetë një vlerë jo vetëm për Artanën, por edhe në nivel nacional. S`i mendoni se mund të ruhet, avancohet dhe pasurohet ky thesar dhe kush duhet të kujdeset më shumë për të.?
Ymeri: E thashë edhe më lartë se tashmë jemi në rrugë të mirë sepse që nga viti i kaluar kur u organizua një konferencë në qendrën informuese të Komisionit Evropian kanë filluar të lëvizin gjërat me shpejtësi.
Pas këtij takimi nga ana e ministrit të kulturës u formua një grup punues për të hartuar master planin për kalanë e Artanës. Pjesë e këtij grupi punues është edhe drejtori ynë i arsimit dhe kulturës Adem Abazi.
Pastaj nga ana e Bashkimit Evropian po presim që të na financohet restaurimi i kalasë që për ne do të jetë një projekt shumë i rëndësishëm. Në fakt këtyre ditëve po përfundon një projekt shumë i rëndësishëm ai i ndërtimit të stazës për ecje te kalaja e Artanës i financuar nga Bashkimi Evropian.
Po ashtu arkeologët janë duke bërë hulumtime dhe është shumë interesant të shikohen ato gurthemele dhe mure të cilat i kanë rezistuar kohës së gjatë prej 1000 vjetësh. Pra mund të them lirisht që këto janë disa hapa shumë të rëndësishëm, por ka ende shumë për tu bërë prandaj ndihma duhet të jetë nga të gjithë sepse kjo Kala është pasuri shtetërore./rajonipress/