Ymeri : Artana e pret me optimizëm vitin 2013

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Bajrush Ymeri kryetar i Artanës për agjencinë rajonale të lajmeve rajonipress thotë se vitin 2013 e pret me një optimizëm të theksuar, meqë janë krijuar parakushtet që në Artanë të ketë edhe investime ndërkombëtare në fushën e turizmit, derisa shpreson në të hyrat vetanake nga tatimi në pronë dhe donacionet ndërkombëtare.

Kreu i Artanës Bajrush Ymeri pos preokupimit kryesor që ka për të investuar në çdo cep të Artanës, ai tashmë ka krijuar një platformë dhe koncept të kapshëm për të zhvilluar ekonomikisht Artanën.

Ymeri tha për agjencinë rajonale të lajmeve rajonipress se vitin 2013 e pret me shumë optimizëm dhe këtë fakt ai e bazon në parakushtet e krijuara nga institucionet komunale për të investuar edhe donatorët ndërkombëtarë në fushën e turizmit. “Artana ka klimë të mirë politike dhe të sigurisë dhe gjithashtu ka raporte të mira me organizatat e huaja ndërkombëtare e vendore. Qeveria e Kosovës shpresoj se në vitin 2013 do të jetë më e vëmendshme karshi nevojave dhe kërkesave të komunave periferike siç është Artana. Do të ishte e pafalshme sikur Qeveria të koncentrohej vetëm në komunat e reja serbe ndërsa të lejë anash komunat e përziera siç është Artana”, shprehet Ymeri.

Uji Dea

Sipas tij Kuvendi i Artanës tashmë ka aprovuar planin zhvillimor komunal. Ymeri tha se në vitin 2012 ka arritur që ta shfrytëzojë realisht buxhetin komunal duke investuar në fshatra dhe duke e kthyer jetën në normalitet edhe në ato zona që fare nuk ka pasur më herët investime. “Edhe nëse do të krijonim të hyra vetanake qoftë nga tatimi në pronë apo taksat komunale, buxheti i Artanës do të ishte i papërballueshëm për t`i plotësuar nevojat e të gjithë banorëve. Na duhet një ndihmë e merituar nga Qeveria e Kosovës dhe donacione nga të huajt për ta zhvilluar ekonomikisht Artanën”.

Një fakt tjetër që e merr për bazë Ymeri janë edhe raportet pozitive të auditorëve dhe të mekanizmave tjerë që e radhisin Artanën si një vend ku respektohet ligji dhe nuk keqpërdoret paraja publike.”Jemi e vetmja komunë në Kosovë që nuk jemi përfolur për shkelje ligjore sikur që nuk kemi pasur asnjë hetim zyrtar ndaj ndonjë zyrtari komunal. Këto parametra janë të mjaftueshëm që Qeveria bile edhe ta shpërblej me grante e donacione Artanën” mendon Ymeri.

Për Ymerin prioritetet kryesore për vitin 2013 mbesin investimet në fushën e turizmit veçanërisht sensibilizimi në tërheqjen e investitorëve në Kalanë e Artanës e cila tashmë ka marrë dimensione ndërkombëtare. “Krijimi i një zone ekonomike të qëndrueshme rajonale gjithashtu shihet me perspektivë për Artanën. Nuk e kemi lënë anash as investimin në fushën e bujqësisë, ku Artana njihet për prodhues të njohur dhe fermer të mirë”, thotë ai./rajonipress/