Hidromorava

Ylli i Kosovës

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gazeta “Zëri” ka mësuar se Ylli Sallahi mund të jetë ardhje e re dhe shumë e madhe në skuadrën e Albert Bunjakut, gjë që e konfirmon edhe vet përzgjedhësi.

Albert Bunjaku, Samir Ujkani e Loret Sadiku ishin ardhjet më të mëdha në ndeshjen e parë miqësore të Përfaqësueses së Kosovës ndaj Haitit (0:0).

Por, gjasat janë të mëdha që një risi e re dhe shumë e madhe ta karakterizojë skuadrën shtetërore në dy ndeshjet e radhës miqësore që do t’i zhvillojë gjatë këtij muaji kundër Turqisë e Senegalit.

Gazeta “Zëri” ka mësuar se Ylli Sallahi mund të jetë ardhje e re dhe shumë e madhe në skuadrën e Albert Bunjakut, gjë që e konfirmon edhe vet përzgjedhësi.

Futbollisti i ri dhe shumë i talentuar i Bayern Munichut qe një kohë është në kontakte të vazhdueshme me seleksionuesin, Albert Bunjaku. Ky i fundit ia ka hapur dyert 19-vjeçarit me pasaportë të Austrisë, ndërsa ka mbetur që brenda pak ditëve Sallahi t’i japë një përgjigje Bunjakut.

Në fakt, Sallahi është i disponuar për të debutuar me Përfaqësuesen e Kosovës, por ardhjen e tij e ka vënë në pikëpyetje vetëm një lëndim që e ka pësuar para pak kohësh futbollisti, i cili kohëve të fundit po konsiderohet si një pasuri e madhe për të ardhmen e gjigantit gjerman, për të cilin luan edhe Xherdan Shaqiri.

“E vërteta është se jemi në kontakte të vazhdueshme, posaçërisht me babanë e Yllit. Disponimi i tyre është mjaft pozitiv, andaj po e presim një përgjigje përfundimtare. Por, përgjigja e tij varet shumë nga një lëndim që po e mundon futbollistin”, ka deklaruar për “Zërin” Bunjaku.

“Shpresoj që ai të mundë të përgjigjet pozitivisht dhe të vijë për të luajtur në këto dy ndeshje”, shtoi ai.

Mobi Casa

Edhe në rast se Sallahi nuk do të mund t’i bashkohet Kosovës në dy ndeshjet e majit, ai do të jetë edhe në të ardhmen në planet e Bunjakut.

“E ardhmja e Përfaqësueses sonë sillet rreth Ylli Sallahit. Ai është një futbollistë shumë perspektiv. Cilësitë e tij i konfirmon edhe Bayern Munich, në planet e të cilit klub bënë pjesë edhe Sallahi, i cili është në pritje të nënshkrimit të një kontrate profesionale. Ai është një futbollist shumë i mirë që mund të na ndihmoi shumë në të ardhmen”, ka theksuar seleksionuesi kosovar.

Ardhja eventuale e Sallahit do të ishte e mirëseardhur për Bunjakun, posaçërisht për faktin se në miqësoret ndaj Turqisë e Senegalit, nuk do të mund të llogaritë në shërbimet e disa lojtarëve të rëndësishëm që i kishte në dispozicion në miqësoren e 5 marsit kundër Haitit. Kapiteni Anel Raskaj, sulmuesit në formë, Ilir Azemi e Shpëtim Hasani, po ashtu Flamur Kastrati, Ardian Gashi e Avni Pepa do të mungojnë.

Sallahi më afër Kosovës, sesa Austrisë e Shqipërisë

Tashmë është e qartë se mbrojtësi anësor, Ylli Sallahi është më afër Kosovës, sesa Austrisë e Shqipërisë. Kuqezinjtë kishin shprehur interesim për talentin e ri, por ky i fundit ua kishte shuar shpresat në FSHF, duke u pajisur me pasaportë të Austrisë. Pavarësisht kësaj, ai ende nuk e ka vesh fanellën e këtij shteti. Ndërsa, më 21 maj ai mund të debutojë me Kosovën kundër Turqisë.

Kush është Ylli Sallahi?

Në vitin 2010 Ylli Sallahi ishte emër i panjohur. Luante në skuadrën e vogël të Ligës së dytë të Austrisë, SV Kapfenberg. Ishte 16 vjeç kur bavarezët e kishin vërejtur talentin e tij, duke e transferuar në formë huazimi në “Allianz Arena”, me mundësi blerje, gjë që e kishte bërë Bayerni. Tani ai është në pritje të bëhet pjesë e skuadrës së parë të Bayernit, falë paraqitjeve të mira që i kishte treguar në fazën përgatitore të skuadrës së Pep Guardiolas, të zhvilluar në janar në Katar. Mediat gjermane dhe ekspertët e futbollit e vlerësojnë lart potencialin e Sallahit, për të cilin thonë se ka cilësi të mëdha.