Ylber Ramadani i lumtur që u rikthye të luajë, por i zhgënjyer me rezultatin ndaj Romës

Sërish në formacionin fillestar pas tre ndeshjesh në bankë, Ylber Ramadani u kthye në fushë për Leccen, por skuadra e tij nuk shmangui humbjen 1-0 ndaj AS Romës në Serie A.
28-vjeçari shqiptar luajti 84 minuta në këtë ndeshje, duke treguar shenja përmirësimi pas një periudhe të vështirë.
Në tre ndeshjet e fundit, ai kishte qëndruar në stol, dhe gjatë gjithë sezonit ka pasur vështirësi për të gjetur stabilitet.
“Kjo ka qenë një periudhë e vështirë për mua. Kam punuar në heshtje dhe kam pasur probleme me shpinën, por tani ndihem më mirë. Fokusi im është vetëm të ndihmoj Leccen të përmirësohet”, deklaroi Ramadani.
Nën drejtimin e Marco Giampaolos, Lecce është në vendin e 16-të me 25 pikë pas 30 ndeshjesh, vetëm pak pikë larg zonës së rrezikut. Ramadani beson se skuadrës i mungon efikasiteti sulmues.
“Duhet të jemi më agresivë para portës. Kanë mbetur edhe 8 ndeshje, dhe pavarësisht se kush luan, duhet të qëndrojmë të bashkuar. Vitin e kaluar kaluam një situatë të ngjashme dhe ia dolëm – duhet të përsërisim të njëjtin shpirt”, nënvizoi ai.
Me pak ndeshje në dispozicion, Lecce lufton për të shmangur rënien në Serie B. Rikthimi i Ramadani-t në formacion mund të jetë një shenjë pozitive, por skuadra ka nevojë urgjente për rezultate. /Telegrafi/