Xhevë Krasniqi – Lladrovci 232
Nga Sabile Keçmezi-Basha – Kur më thirri Nuridini (Ahmeti), për të më porositur për të bërë një shkrim për revistën prestigjioze “Shenjat”, për të madhen Xhevë Krasniqi-Lladrovci, të them sinqerisht më erdhi tepër mirë por po ashtu mu duk se ishte edhe një përgjegjësi e madhe për mua. Çfarë të shkruaja për heroinën, për gruan trime të të gjitha trojeve shqiptare, për gjeneral-majoren, për luftëtaren e paepur të UÇK-së, e sa e sa të bëme të saja më endeshin në kokë.
“Liria fillon nga zemra e nënës…”
Kam tentuar në jetën time shumë herë që të shkruaja për nënën time, por asnjëherë nuk ia kam dal jo se nuk kisha se çfarë të shkruaja porse çdo gjë që shkruaja më dukej se nuk kisha dhënë maksimumin që ajo e meritonte. Andaj edhe ishte ngurrja e ime se sa do ia dali të them për Xhevë Krasniqin- Lladrovcin e Fehmi Lladrovcin, trimat e pashoq të rezistencës sonë kombëtare, sepse çfarëdo që do të thosha, frikohem se do të jetë e mangët dhe e pamjaftueshme për ta, sepse do të mbetet gjithmonë diçka e madhe pa u thënë.
Të shkruash për Xhevën e të mos flasësh për Fehmiun, megjithatë mendojë se shkrimi nuk do të jetë i kompletuar, ngase vetëm të bashkuar ata do të jen vetvetja. Binomi i lirisë Xheva e Fehmiu apo Fehmiu e Xheva janë të plotënuar, janë jeta e fronti i përbashkët, janë liria e gjakuar me shekuj për Kosovën e robëruar.
Fehmiu e Xheva janë dy nga personazhet më të njohura të historisë sonë më të re. Pas Jasharëve, ata janë shembulli më sublim i sakrificës .
Të shkruash për heronjtë në fakt nuk do të thotë asgjë tjetër veçse të përkulesh para veprës së tyre monumentale që është për ne, dhe kështu do të jetë edhe për breznitë të ardhshme shqiptare, një burim i pashtershëm frymëzimi për gatishmëri vetëmohuese në kohë luftërash dhe për punë ndërtuese në kohë paqe.
Rrallë ndodhë të përsëritet historia gjatë historisë, por tek ne historia u përsërit edhe atë në mënyrën më të vrazhdë. Jo se e deshëm ne, por këtë na imponuan gllabëruesit e shumtë që i rrethonin trojet tona. Në këtë mënyrë kishte veprua edhe Shotë e Azem Galica duke luftuar krah për krah për lirin e Kosovës. Ndërsa, Xhevë e Femi Lladrovci do të përcjellin mesazhet e qëndresës epokale të popullit të Kosovës, ndaj dhunës e terrorit të Serbisë.
Xhevë Krasniqi ( Lladrovci) ishte e lindur më vitin 1955 në fshatin Drenovc të Malishevës. Vinte nga një familje atdhetaresh që gjatë tërë jetës kishin luftua për lirin e vendit duke mos kursyer as gjakun e jetën e tyre. Babai i saj qysh si i ri ishte angazhuar në lëvizjen kombëtare shqiptare. Sipas shumë të dhënave thuhej se shumë familjar të saj pas vitit 1945, kur Kosova pa dashjen e saj kishte ngelur nën okupimin serb e jugosllav, ata ishin angazhuar në lëvizjen ilegale shqiptare si në NDSH, në Besën Kombëtare e organizata të tjera që luftonin për lirinë e Kosovës.
Duke i parë e dëgjuar se çfarë flitej në odat e Krasniqëve, edhe Xheva e re nuk qëndroi duarkryq, fillimisht ishte e dashuruar në libra e më vonë kishte shpreh gatishmërinë që të angazhohej në forma të ndryshme që ta luftonte okupatorin. Familja e saj ishte përparimtare dhe ishin të vetëdijshëm se pa shkollimin e gruas nuk do të ketë as liri e barazi kombëtare. Pa hezituar fare, babai, Xhevën e vogël e dërgon në shkollë fillore në Drenovc, të cilën e përfundon me sukses të shkëlqyer. Për të vazhduar më vonë shkollën e mesme e më vonë edhe studimet në Universitetin e Prishtinës, ku studion për gjuhë e letërsi shqipe të cilat po ashtu i përfundon me rezultate të lakmueshme. Familja Krasniqi ishte e lumtur për rezultatet e vajzës së tyre. Në vitet pas përfundimit të fakultetit ajo punësohej si profesoreshë gjuhe në gjimnazin e Kievës.
Duhet përmendur, se profesoresha Xhevë në orët e mësimit, veç mësimit për gjuhë e letërsi shqipe, nxënësve të saj iu tregonte për historinë
e njëmend të popullit shqiptar. Shpesh iu fliste për luftërat heroike të Skënderbeut; për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe se si padrejtësisht u copëtuan tokat shqiptare.
Udbashët duke e ditur se Xheva vinte nga një familje atdhetaresh, filluan qysh në ditët e para ta survejonin. Ata nuk ishin të kënaqur me atë që panë, andaj filluan që të shohin një rrezik permanent nga ajo. Ky ishte edhe shkaku që në fillim të viteve të 80 të shekullit të kaluar, profesoreshën e re, e përjashtuan nga puna. me arsyetimin se “ka kryer veprimtari të hapura që bien ndesh me kushtetutën e R.S.F.J-së”. Pas këtij akti për Xhevë Kasniqin dhe familjen e saj ishte e kuptueshme që ishin të hapura portat e burgjeve. Duke e ditur se situata e rënduar politike do i hakmerret asaj dhe familjes, vendos që të largohet nga Kosova, por me mendje i kishte premtua vetes se asnjëherë nuk do ta ndal veprimtarin atdhetare.
Xhevë Krasniqin-Lladrovcin, jeta asnjëherë nuk e kishte përdhelur. Më 1981, merr pjesë aktive në demonstratat studentore. Po ashtu ishte aktive edhe në demonstratat e vitit 1989. Aktivitet të dendur tregoi kudo që jetonte si në Kosovë, në Maqedoni, në Kroaci, në vendet e ndryshme të perëndimit, po ashtu edhe në Shqipëri.
Që nga ditët e para të veprimtarisë ilegale që i zhvilloi në Kosovë e deri më 22 shtator 1998, ajo për asnjë moment nuk diti të ndalej , por eci edhe atëherë kur nuk mund të ecej, dhe me gjakun e saj ujiti tokën e robëruar të Kosovës, për ditët e mira që gëzojmë ne sot.
Profesoresha dhe veprimtarja Xhevë, sintetizon dy dimensione të rëndësishme në harkun e saj jetësor: të besnikërisë, të pritjes mitike të burrit, dhe atë historik, të Shotë Galicës, – të bashkëshortes luftëtare.
Xhevë Krasniqi-Lladrovci do të jetë gruaja që merr pjesë aktive në Njësitin e parë shqiptar të armatosur, i njohur si njësiti luftarak për mbrojtjen e Gospiqit, do të ketë detyrën përgjegjëse për moral të kësaj brigade, është e uniformuar, njëkohësisht do të jetë edhe luftëtarja e vetme.
Ajo po ashtu me 2 shtator 1998, mori përsipër detyrën e komandantes së brigadës së 114 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e nxori nga rrethimi e njëkohësisht nga vdekja e sigurt. Jo më kotë ajo do të jetë edhe luftëtarja e vetme nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që do të ketë gradën e gjeneral-majorit. Kjo është grada më e lartë që ka marrë në luftë një grua shqiptare dhe gjithkush është i bindur se, askush tjetër, nuk do ta kishte merituar më shumë se ajo.
Mori pjesë aktive në betejat e UÇK-së bashkë me Burrin e saj, Fehmi Lladrovcin. Luftëtari i paepur, në pozicionet e luftimit përkrah qindra luftëtarëve që komandonte, kishte edhe të shoqen, Xhevën. Kësisoj për të ardhur në agun e 22 shtatorit 1998. Forcat ushtarake serbe kishin mësy kundër Drenicës, për të çarë aty vijën e mbrojtjes të UÇK-së. Femi Lladrovci dha kushtrimin i pari. Pas tij kishin shkua vajzat dhe djemtë e Drenicës me armë në krah dhe besën e madhe në zemër. Serbët kishin mësy me tanke dhe artileri. Detyra e luftëtarëve të UÇK-së ishte të mos lejonin depërtimin e armiqve në zemër të “Dardanisë së lashtë.“ Atëherë kur pritej asgjësimi, doli nga pozicioni komandant Femiu dhe lëshoi kushtrimin me sa fuqi kishte. Kundërsulmi zgjati disa orë.
Sulmi ishte i rreptë dhe i fuqishëm. Por, luftëtarët pan se forcat serbe po tërhiqeshin, vërejtën se edhe pozicioni ku ishte komandant Fehmi Lladrovci po heshtte. Komandanti kishte marr plagët vdekjeprurëse dhe siç jetoi trimërisht po ashtu trimërisht u ngjit shkallëve të historisë deri tek altari i saj që iu takon vetëm heronjve. Trimëresha Xhevë, pas lajmit për vdekjen e burrit, kishte ndje dhembje të pa përshkruar në shpirt. Kishte vrapua drejt tij, por koha nuk premtonte për t’u çmallur me te, ndaj porositi shokët të mos e përhapnin lajmin e vrasjes së Femiut dhe vet u hodh e para në sulm.
Sipas dëshmitarëve thuhej se janë dashur vetëm dy orë luftimesh të papara, me ç`rast plumbat gjejnë rrugën për në zemër të Xhevës. Kështu mbyllej epopeja e 22 shtatorit 1998 në Drenicë. Në altarin e lavdishëm të kombit zunë vend dy emra të rinj. Dy emra që u kurorëzuan në emër të Zotit, por edhe dy emra të mëdhenj që u kurorëzuan nga kombi që s’di të vdesë.
Heroina Xhevë, në do vite të hershme i kishte dhënë besën Fehmiut, se , “Edhe jetën, edhe vdekjen i kemi bashkë” i kishte shkruar në letrën e 28 nëntorit 1988, dhe ashtu edhe u bë.
Ndërsa njohësi i mire i jetës dhe veprës së Xhevë e Fehmi Lladrovcit, Bedri Islami, në një shkrim citon ditarin e Xhevës, ku edhe unë po e përmbyll me këtë citat ”… Mjaftë më të robëruar, të vrarë, të copëtuar. Nuk është koha të luftojmë për pushtet, është koha të mblidhemi tok, të lidhemi me besa –besë, të luftojmë për liri. Pastaj të përcaktohemi për demokraci, në suazat e jetës dhe të traditës shqiptare, pa praninë e asnjë ideologjie të huaj, që me vullnetin e popullit, me vetëvendosje të zgjidhet çështja jonë
kombëtare. Dhe atëherë do të lulëzojë edhe mendimi i gruas shqiptare, fisnikëria e saj e njohur, mendimi logjik e zemra e zjarrtë. Liria fillon nga zemra e nënës…”./rajonipress/

