Xherdan Shaqiri: Unë, shqiptari i parë që do ngre trofeun

Xherdan Shaqiri është shqiptari që ka arritur suksesin më të madh deri më sot në Ligën e Kampionëve. Përveç tij dhe Granit Xhakës, asnjë shqiptar nuk ka arritur të kalojë fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Ata e vendosën këtë rekord një sezon më parë, kur mbronin ngjyrat e klubit zviceran, Bazel. Në fazën e 1/8-ave, pasi kishin eliminuar gjigantët e Manchester United, ata u mposhtën pikërisht nga Bayerni.
Tani Shaqiri ka bërë një hap të madh para me Bayernin dhe ka arritur deri në finale të Ligës së Kampionëve. Në fakt, finalet e trofetë janë të shumtë në karrierën e Shaqirit, ndonëse ka vetëm katër vite që luan si profesionist. Deri në këto momente ai ka fituar katër tituj kampionë, tre me skuadrën zvicerane Bazel (2009/10, 2010/11, 2011/12) dhe një Bayernin këtë edicion (2012/ 13).
Ai ka fituar edhe dy Kupa të Zvicrës me Bazelin (2009/ 10, 2011/12), ndërkohë që më 1 qershor ka mundësinë të fitojë edhe Kupën e Gjermanisë në finalen me Shtutgartin. Por fantazistin e Bayernit nuk e kënaq asgjë tjetër, veç trofeut në “Wembley”.
Më 25 maj, ai do të ketë rastin të bëhet shqiptari i parë që prek trofeun. Në një intervistë për “Kohën Ditore”, 21-vjeçari nënvizoi se me triumfin në Londër do të kompletonte një sezon ëndrrash që në debutimin e tij me skuadrën gjermane. “Jam shqiptari i vetëm që kam arritur të jem pjesë e një finaleje të Ligës së Kampionëve. Më bën të ndihem krenar për arritjet e mia. Shpresoj që do kem rastin të luaj në finale. Do të jepja gjithçka në minutat që do isha në fushë. Unë jam i kënaqur me paraqitjet e mia deri në këto momente”, – theksoi ish-ylli i Bazelit. Ai është i ndërgjegjshëm se nuk do të jetë aspak e lehtë kundër rivalëve të Dortmundit, ndërsa tha se e njeh mirë stadiumin legjendar të Londrës, pasi ka shkëlqyer aty me përfaqësuesen e Zvicrës.
“Nuk do ta kemi të lehtë kundër Borusias së Dortmundit. Finalja është gjithnjë e vështirë. E njoh mirë ‘Wembley’-n, pasi kam luajtur aty, madje kam bërë një paraqitje të mirë”.
Talenti është ndalur të flasë edhe për të ardhmen, kur në stolin e ekipit të ulet Guardiola. Shaqiri shpreson të jetë pjesë e planeve edhe të teknikut katalanas. “Për një kohë shumë të shkurtër besoj se ia kam dalë të aktivizohem dhe bëj paraqitje të mira për skuadrën. Shpresoj që këtë shans ta kem edhe me trajnerin Guardiola. Besoj se do t’ia kalojmë mirë së bashku. Kam nderin që jam pjesë e klubit më të madh gjerman dhe një nga klubet më të mira të botës”, – shtoi Shaqiri.