Fundamenti

Xhemajli: Arifi të distancohet nga urrejtja dhe dhuna ndaj PDK-së

/ 9 minuta lexim

Gjilan – Ftojmë Nexhmedin Arifin, kryetar komune, që të heq dorë nga nxitja e urrejtjes dhe dhunës ndaj PDK-së si dhe të distancohet qartë dhe publikisht nga dhuna që ka nxitur deri tash kundër PDK-së thuhet në një reagim të Daut Xhemajlit .

Dega e PDK-së në Viti assesi të rehatohet e stabilizohet brenda njerëzve të saj . Ajo edhe vitin 2013 e ka filluar me përplasje mes grupit të Daut Xhemajlit dhe atij të Nexhmedin Arifit.

Në një reagim të kryesisë së PDK-së në Viti të nënshkruar nga Daut Xhemajli, e kanë ftuar Nexhmedin Arifin, kryetar komune, siç thuhet që të heq dorë nga nxitja e urrejtjes dhe dhunës ndaj PDK-së si dhe të distancohet qartë dhe publikisht nga dhuna që ka nxitur deri tash kundër PDK-së.

Tutje thuhet se pas shpalljes së zgjedhjeve nga organet qendrore të Partisë Demokratike, Kryesia e Degës në Viti është mbledhur dhe ka caktuar edhe Ekipin për Organizimin e Zgjedhjeve në nivel të Degës dhe këtë Ekip e ka udhëhequr Daut Xhemajli – kryetar i Degës. Më pas janë ftuar të gjithë kryetarët dhe përfaqësuesit e nëndegëve në takim, ku janë udhëzuar për procesin zgjedhor dhe obligimet që kanë ata për organizimin dhe mirëvajtjen e këtij procesi zgjedhor në PDK.

Nga kryetari i Degës, Daut Xhemajli, janë njoftuar dhe thirrur për të marrë pjesë në këtë proces zgjedhor të gjithë anëtarët dhe aktivistët e regjistruar në nivel Dege, të cilët kanë bërë aktivitete në të gjitha strukturat e kësaj Dege (Kryesi të nëndegëve, shtabe zgjedhore, komisione zgjedhore dhe vëzhgues të zgjedhjeve), dhe kanë punuar për fitoren e PDK-së.

Të gjithë këta aktivistë të regjistruar janë thirrur, sepse falë punës dhe angazhimit të tyre Dega e PDK-së në Viti ka arritur sukseset e saja dhe sidomos ka shënuar rritjen më të madhe në Kosovë në zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Kosovës me mbi 23% vota më shumë se në zgjedhjet paraprake lokale.

Reagimi i gjatë i PDK-së sqaron edhe për punën dhe sukseset që ka treguar ajo. “Ky ishte suksesi më i madh i Degës në Viti, pavarësisht pengesave, bojkotimeve dhe sabotimeve të disa individëve që këto ditë në procesin zgjedhor përsëri dhunshëm tentuan t’i imponohen PDK-së. Ky tentim për të hyrë dhunshëm në struktura të PDK-së ishte i shprehur sidomos për arsye se PDK-ja, po shihet e pakonkurrencë në skenën politike në Kosovë dhe Viti, por u evidentua fakti se edhe disa individë të partive tjera, me porosi u “anëtarësuan” në PDK si kolonë e pestë për ta sabotuar, dëmtuar dhe dobësuar sa më shumë PDK-në dhe për të krijuar terren më të mirë për partitë tjera politike në Viti”.

Sipas Xhemajlit kuvendet e nëndegëve të PDK-së organizohen nga udhëheqjet e tyre dhe nga aktivistët e dëshmuar të tyre. Kuvendet e Nëndegëve janë përgatitur dhe janë caktuar të mbahen vetëm në marrëveshje me Ekipin për organizimin e zgjedhjeve, përkatësisht me kryetarin e Degës, Daut Xhemajli. Për përgatitjen e kuvendeve nëpër nëndegë kanë patur përgjegjësi dhe obligim të angazhohen të gjithë anëtarët e Kryesisë së Degës.

“Të gjitha mbledhjet e Kryesisë janë mbajtur me pjesëmarrjen e shumicës së anëtarëve dhe vendimet në Kryesi të Degës janë marrë me shumicë absolute. Tentimi i 4 (katër) anëtarëve të Kryesisë, të cilët ka tri vite që kanë humbur çdo lidhje organizative dhe politike me PDK-në dhe janë angazhuar me tërë potencialin e tyre kundër PDK-së, duke trafikuar dhe kontrabanduar edhe mandatet e fituara me votë nga PDK-ja (Taip Alidema, Hetem Kurteshi, Sabri Sherifi dhe N.Arifi), për të organizuar kuvende paralele të nëndegëve kishte qëllime të qarta kundër PDK-së dhe për interesa të partive tjera në Komunën e Vitisë. Pazaret me disa parti në Viti tashmë i ka bërë ky grup që ka dëmtuar dhe po dëmton rëndë edhe interesat e Vitisë dhe të qytetarëve të saj”.

Mobi Casa

Kryesia e Degës së PDK-së, në takimin e fundit të këtij viti, ku ishin prezent shumica absolute e anëtarëve të Kryesisë së Degës, përveç tjerash vlerësoi procesin zgjedhor në Degën e PDK-së në Viti si njërin nga proceset më të rregullta dhe më demokratike zgjedhore edhe pse kishte tendenca për ta njollosur dhe dëmtuar nga individë të caktuar. Kryesia vendosi edhe në lidhje me disa takime të disa anëtarëve dhe simpatizantëve të sponsorizuar nga individë të caktuar në fshatrat Zhiti, Radivojcë, Sadovinë të Jerlive dhe Pozheran dhe konstatoi se këto takime kishin tendenca për t’i imponuar dhunshëm në PDK dhe në strukturat e saj disa individë të caktuar si kolonë të pestë për t’u shërbyer individëve dhe Partive tjera, prandaj këto të ashtuquajtura Kuvende paralele janë ilegale dhe nuk prodhojnë asnjë efekt për PDK-në dhe Degën e saj në Viti.

Kuvendet e këtyre nëndegëve (Zhiti, Radivojcë, S. e Jerlive dhe Pozheran) janë organizuar nga drejtuesit e këtyre nëndegëve në bashkëpunim me Kryesinë e Degës dhe kryetarin D. Xhemajli dhe nga këto kuvende kanë dalur të gjitha strukturat udhëheqëse të tyre legjitime dhe legale, të cilat njihen nga Dega e PDK-së në Viti dhe delegatët e tyre do të përfaqësojnë anëtarësinë e këtyre fshatrave në Kuvendin e Degës së PDK-së në Viti. Të këtilla ishin edhe udhëzimet e organeve qendrore.

Kryesia e Degës foli edhe për angazhimin dhe veprimet e organizuara kundër PDK-së të katër ish-anëtarëve të Kryesisë së Degës, të udhëhequr nga N.Arifi, dhe gjykoi se këto veprime dhe skenarë të dhunshme, duke shfrytëzuar individë të njohur për anëtarësinë dhe qytetarët e komunës sonë, janë veprime antidemokratike, antiligjore, anticivilizuese dhe antinjerëzore. Me angazhimin dhe veprimet e tij ky grup, i drejtuar nga N. Arifi (kryetar i Komunës!!), ka për qëllim të nxis urrejtje, dhunë dhe konflikte politike dhe ndërnjerëzore. Kjo është vërtetuar edhe me dhunën ndaj zyrës së PDK-së, pastaj me organizime dhe ndërhyrje të dhunshme për të penguar punën e dy-tri kuvendeve të nëndegëve të PDK-së me njerëz që nuk kishin dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me këtë Parti dhe programin e saj.

Përdorimi i kësaj kategorie dhe këtyre individëve për qëllime politike është primitiv, prandaj u bëjmë thirrje këtyre individëve dhe sidomos N. Arifit të heqin dorë nga nxitja, motivimi, organizimi dhe mbështetja e dhunës dhe konflikteve si mjet dhe formë për arritjen e qëllimeve të tyre të ulëta dhe antidemokratike. Kryesia e Degës, anëtarësia e PDK-së, zgjedhësit e saj dhe qytetarët e komunës janë përcaktuar për pluralizëm partiak, për një qeverisje demokratike dhe për vlera evropiane që garantojnë jetë të dinjitetshme, siguri dhe mirëqenie pa dallim.

Për neve, por edhe për qytetarët e komunës sonë, është shumë e qartë dhe nuk ka asnjë dilemë se N. Arifi është personi i vetëm që po motivon në forma të ndryshme, po organizon ku po mundet dhe po mbështet me të gjitha mjetet disa individë të dhunshëm, prandaj kërkojmë që N. Arifi (kryetar komune!!) të distancohet publikisht dhe pa ekuivoke nga nxitja e urrejtjes, dhunës dhe konflikteve kundër PDK-së.

Dëshmi se N.Arifi është në krye të nxitjes, motivimit, organizimit dhe mbështetjes së konflikteve dhe dhunës është edhe fakti se ky dhe sejmenët e tij ka dy vite, dhe sidomos këta dy muajt e fundit të procesit zgjedhor në PDK, që nuk kursyen asnjë anëtar apo simpatizantë të PDK-së që punon në administratën komunale, në shëndetësi, arsim e kudo tjetër në komunën e Vitisë nga presioni, shantazhi, ndëshkimi, denoncimi nëpër gjykata dhe deri te largimi nga puna pa të drejtë dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Për Kryesinë e Degës, për anëtarët tanë dhe për PDK-në adresa e vetme e të gjitha organizimeve të tilla të dhunshme është N.Arifi, prandaj edhe adresa e vetme e përgjegjësisë për të gjitha veprimet e deritashme të dhunës me tendenca për kriminalizim edhe më të madh të këtij procesi në Viti për neve është e njohur dhe ajo është N.Arifi-kryetar komune.

Tendenca të tilla për ta dëmtuar PDK-në në Viti kishim edhe në të kaluarën, por ato ishin të dështuara sikur që do të jenë të dështuara edhe tani. Dega e PDK-së në Viti, përherë është rritur dhe nga sejcilat zgjedhje ka dalur më e fortë dhe më e konsoliduar, sepse në të gjitha nëndegët dhe në secilën strukturë të tyre janë ofruar dhe zgjedhur njerëz me autoritet të dëshmuar dhe të rinjë të cilët janë dhe do të jenë perspektiva dhe e ardhmja e PDK-së në Viti dhe në Kosovë. Ne zotohemi edhe sot se do të vazhdojmë me këmbëngulje edhe më të madhe përpjekjet tona kundër korrupsionit, ryshfetit, uzurpimeve, kontrabandës, shpërdorimeve me tenderët, me paranë publike dhe pronën komunale. Dega e PDK-së dhe drejtuesit e saj do të jenë, sikur edhe deri tash, avokatë të qytetarit të Vitisë dhe interesave publike. Duke bashkuar interesat tona me ato të qytetarit dhe duke u distancuar fuqishëm (sikur edhe deri tash), nga korrupsioni, uzurpimet, vjedhjet, shpërdorimet e buxhetit dhe të pasurive komunale, Dega e PDK-së në Viti do të jetë edhe në zgjedhjet e ardhshme forca e parë politike dhe me më shumë vota se në zgjedhjet e fundit thuhet në komunikatën e nënshkruar nga Daut Xhemajli në emër të kryesisë së degës së PDK-së në Viti./rajonipress/