Xhelili: Aktakuza është e motivuar politikisht, do e fitojmë betejën me gjyqësorin
Gjilan – Selver Xhelili ish drejtor i kulturës në kohën e Qemajl Mustafës i cili ndodhet në listën e të akuzuarve është i pari që flet hapur dhe guximshëm për ngritjen e aktakuzës. Thotë se kjo aktakuzë është e ngritur për motive politike e klanore. Jam shumë i sigurt në pafajësinë time dhe të grupit sepse kemi punuar në mënyrë të ndershme e profesionale shprehet Xhelili.
Selver Xhelili për asnjë sekondë thotë se nuk e ndërron kohën e qeverisjes sa ishte në ekipin e Qemajl Mustafës. “Kemi punuar me shumë dashuri e përkushtim dhe s`kemi çfarë të frikësohemi. Le të frikësohen ata që e ngritën këtë aktakuzë në kuzhinat e fëlliqura të klaneve e të dirigjuar nga politika” shprehet Xhelili.
Xhelili thotë se aktakuza është e paqëndrueshme fund e krye. “Kjo aktakuzë pos që është e paqëndrueshme shihet hapur se është bazuar në motive të ulëta, është bazuar jo në punën reale të drejtorive, por në deklaratat e sms privat. Kjo aktakuzë do të dështojë dhe lëndën do e fitojmë sepse jemi të pastër si loti” tha Xhelili.
Xhelili mendon se koha e Qemajl Mustafës ishte shumë dinamike dhe me projekte serioze e të dobishme për qytetin e qytetarët e Gjilanit. “Unë jam i lumtur që i kam shërbyer atij ekipi të profesionistëve. Nuk e hjek asnjë presje nga ajo kohë. Ishim në nivel të detyrës dhe të gjitha rekomandimet flasin se puna jon është bazuar në ligjet e aplikueshme”.
Sipas Xhelilit i tërë grupi i akuzuar ka menaxhuar drejtë dhe në mënyrë të ndershme. “Jam i befasuar se si për pak ditë, kur duhej të mbyllej rasti, dikujt i ra ndërmend dhe e aktivizojë rastin. Do të dalin në shesh të gjitha ndërskamcat e prapaskenat dhe dikush do të japi përgjegjësi për këtë montim të pastër” u shpreh Xhelili.
Xhelili thotë se aktakuza nuk e pengon që ai së bashku me Partinë Republikane tu prijë gjilanasve në proceset e ardhshme politike dhe shumë të rëndësishme për vendin./rajonipress/


