Xhavit Hajdarit i konfirmohet dënimi me burgim efektiv prej një viti

Gjilan – Një kolegj penal prej tre gjyqtarësh i Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën e Apelit, i ka konfirmuar dënimin prej një (1) viti burgim efektiv, të akuzuarit Xhavit Hajdari i shpallur fajtor nga Gjykata Komunale e Gjilanit, më 09 dhjetor 2012, për veprën penale – marrje e ryshfetit.
Sipas Arbër Jasharit zëdhënës i Gjykatës së Apelit në Prishtinë ky kolegj, ndryshe nga ç ‘kishte vendosur shkalla e parë, i ka hequr të akuzuarit në fjalë, dënimin plotësues – ndalim i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë, detyrës në kohëzgjatje prej 2 vitesh( pas mbarimit të dënimit me burg), pasi që ka gjetur se mungon propozimi i prokurorisë lidhur me shqiptimin e kësaj mase.
Në çështje tjera, Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e palës mbrojtëse dhe prokurorit, duke e lënë aktgjykimin e shkallës së parë të pandryshuar.
Gjykata e shkallës se dytë ka vërtetuar se pararendësja e saj, më plotë të drejtë ka konstatuar se i dënuari, në cilësi të drejtorit rajonal të spitalit të Gjilanit, me datën 19.07.2012, në restorantin “Bojana”, në emër të ryshfetit, kishte pranuar nga e dëmtuara S.D. shumën prej 2.000 ( 2 mijë ) eurove.
Kjo si kundërvlerë për favoret e krijuara në dobi të kompanisë të së dëmtuarës, lidhur me fitimin e një tenderi për mirëmbajtjen e higjienës së spitalit thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
Për çka u akuzua dhe u dënua Xhavit Hajdari
Xhavit Hajdari ishte gjetur fajtor se më 19 korrik 2012 në restorant “Bujana”, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv ka kërkuar përfitim material për vete, respektivisht nga e dëmtuara Sevdije Demolli, pronare e kompanisë “Toni” ka kërkuar shumën prej 2000 eurove në mënyrë që mos t`ia ndërpresë të dëmtuarës kontratën e themeluar për pastrimin e objekteve në spitalin e Gjilanit.
Fillimisht i pandehuri në mënyrë të kundërligjshme e me qëllim përfitimi të dobisë pasurore kërkon nga e dëmtuara shumën prej 500 eurove në muaj në mënyrë që kompania e të dëmtuarës të mund të vazhdonte ofrimin e shërbimeve për spitalin e Gjilanit, në të cilën kërkesë e dëmtuara nuk pranon nën pretekstin se është e papërballueshme për të dhe më pas i pandehuri zbret shumën e kërkuar në vlerë të 200 eurove në muaj.
Pasi merren vesh i pandehuri dhe e dëmtuara me vajzën e saj takohen tek restoranti “Bujana” ku e dëmtuara nxjerrë shumën prej 2000 eurove, dhe ia dorëzon në dorë të pandehurit i cili i merr paratë dhe i fut në xhepin e majtë të këmishës dhe arrestohet nga policia në flagrancë./rajonipress/