Mobi Casa

Xhakaliu: Prioritet tërheqja e investitorëve gjermanë

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Roli i Gjermanisë në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova është shumë i rëndësishëm. Kështu thotë ambasadori i Kosovës në Berlin Skënder Xhakaliu. Në një intervistë ekskluzive në studion e Radio Kosovës, ai flet edhe për prioritetet që ka për këtë vit, ndërsa veçon si prioritet kryesor tërheqjen e investitorëve gjermanë.

Radio Kosova: Si do ta vlerësonit rolin e Gjermanisë në raport me zhvillimet politike në Kosovë?

Xhakaliu: Gjermania ka një rol jashtëzakonisht pozitiv dhe të angazhuar në zhvillimet politike nëpër të cilat është duke kaluar Kosova. Edhe unë si ambasador i Kosovës në Gjermani, edhe ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj jemi në kontakt të vazhdueshëm me aktorët kryesor të politikës gjermane në Berlin, qoftë me Qeverinë federale, qoftë me Ministrinë e Punëve të Jashtme, apo edhe me institucionet tjera gjermane. Gjermania sot po luan një rol shumë të rëndësishëm jo vetëm ekonomik, por edhe diplomatik jo brenda Bashkimit Evropian, por edhe jashtë. Gjermania është mbështetëse e shtetit të Kosovës, është mbështetëse e proceseve integruese euroatlantike, është mbështetëse edhe e anëtarësimit të Kosovës në institucionet e ndryshme ndërkombëtare e financiare, si brenda BE-së ashtu edhe në forume të ndryshme botërore, kurse ka luajtur një rol jashtëzakonisht pozitiv në procesin e anëtarësimit të Kosovës në BERZH – Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Por jo vetëm në këtë proces, edhe në shumë tjera, Gjermania po luan një rol mbështetës për Republikën e Kosovës.

Radio Kosova: Duket se kjo po reflektohet edhe në raport me Serbinë sa i takon çështjes së strukturave paralele në veri?

Xhakaliu: Do të përmend angazhimin e kancelares gjermane, zonjës Angela Merkel. Dihet diskutimi dhe thënia e saj e famshme në Beograd për shpërbërjen e strukturave paralele serbe dhe për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të Kosovës. Po ashtu janë të njohur edhe shtatë kushtet e prezantuara në Beograd nga deputeti gjerman dhe zyrtari i lartë i partisë së kancelares Merkel, zoti Andreas Schockenhoff. Janë këto porsi që u transmetohen vazhdimisht zyrtarëve të lartë serbë kur takohen me qeveritarët gjermanë në Berlin. Politika gjermane në raport me Kosovën është plotësisht e koordinuar me institucionet e Kosovës. Siç e dimë, Gjermania disa herë e ka kërkuar shpërbërjen e strukturave paralele dhe ka theksuar se nuk i mbështet ato struktura. Ka nënvizuar gjithashtu se mbështet procesin e dialogut dhe përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy shteteve: Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Pra, luan një rol shumë të rëndësishëm edhe në këtë proces.

Radio Kosova: Atëherë zoti Ambasador, cili është sot imazhi i Kosovës në Gjermani?

Xhakaliu: Mund të shprehemi lirisht se imazhi i Kosovës në Gjermani është mjaft pozitiv, sidomos dy viteve të fundit. Në Gjermani jeton një numër i madh i qytetarëve nga disapora dhe shfrytëzoj rastin që përmes valëve tuaja, t’i përshëndes ata kudo ndodhen duke iu dëshiruar një vit të mbarë dhe vit të suksesit për ta. Aktualisht në Universitetet prestigjioze kemi një numër të madh të studentëve nga Kosova që studiojnë në mbarë Gjermaninë dhe me suksesin e përkushtimin e tyre, ata çdo ditë e më shumë po rrisin imazhin pozitiv të Kosovës. Kemi gjithashtu një numër të madh të bizneseve të themeluara nga qytetarë tanë me punë në Gjermani, që po ashtu po tregojnë suksese, kurse duhet përmendur edhe fakti se kemi një numër njerëzish të rinj që janë integruar në shoqërinë gjermane dhe kanë zëne vende të rëndësishme në institucionet e ndryshme, qoftë qeveritare, qoftë institucione të ndryshme ekonomike përfshirë edhe bizneset private, duke u dëshmuar me zellin, përkushtimin dhe ndershmërinë e tyre që tregojnë në punë. Prandaj, mund të konstatojmë se në përgjithësi, imazhi i bashkatdhetarëve tanë dhe i Kosovës është mjaft pozitiv, falë përkushtimit të përditshëm në punë, përmes lidhjeve të miqësive të ndryshme etj. Më duhet të theksoj se gjatë vitit që lamë kemi pasur disa organizime me shoqata të ndryshme, manifestime që kanë qenë të lidhura me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Janë këto manifestime ku kanë marrë pjesë edhe qytetarë të shumtë gjermanë, por edhe përfaqësues të jetës politike, skenës ekonomike, arsimore e shoqërore gjermane në përgjithësi, të cilët kanë fituar përshtypje shumë të mira për vendin tonë dhe njerëzit tanë në Gjermani.

Radio Kosova: Cilat prioritete të angazhimeve tuaja i keni renditur për këtë vit, pra për vitin 2013 ku kemi hyrë?

Hidromorava

Xhakaliu: Prioritet të përfaqësimit diplomatik të Kosovës në Gjermani kemi vendosur çështjet ekonomike. Ju e dini se zhvillimi ekonomik në Gjermani është më i suksesshmi në Evropë. Jemi të interesuar të vendosim një urë lidhëse midis Odës Ekonomike të Kosovës dhe institucioneve homologe në Gjermani. Tashmë, kemi vendosur nj urë lidhëse në fushën e arsimit profesional me Gjermaninë, sepse kemi një program të tillë arsimor që po mbështet nga Ministria gjermane për zhvillim dhe nga shoqata GIZ. Natyrisht jemi të angazhuar edhe në aspektin politik që të përfaqësojmë shtetin e Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në mënyrën sa më dinjitetshme, në mënyrë që të arrijmë të koordinojmë me Qeverinë gjermane të gjitha proceset politike me rëndësi për Kosovën.

Radio Kosova: Derisa vinim në studio, me treguat se ju sapo dolët nga një takim me përfaqësuesit e OEK. Në fakt ju sapo e përmendet. Një problem më vete, z.ambasador, është mënyra se si t’i tërheqim investitorët gjermanë në Kosovë. Sa mund të ndihmoni ju këtu?

Xhakaliu: Që nga dita kur kam marrë detyrën, vitin e kaluar kam vizituar një numër sipërmarrjesh të mëdha ekonomike, por edhe shërbyese të njohura në Gjermani. Tashmë, kemi biseduar me një numër të madh investitorësh të njohur gjermanë dhe potencialë që kanë shprehu interesimin e tyre për të investuar në Kosovë. Ata janë të interesuar të njihen me zhvillimet aktuale si në fushën politike, ashtu edhe në atë të sigurisë dhe legjislacionit që është duke u aplikuar në Kosovë, me qëllim lehtësimin e procedurave ligjore për investitorët e huaj etj. Kemi organizuar edhe disa konferenca ekonomike, kemi pasur në Gjermani edhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik Beçaj në Berlin, ku kemi zhvilluar takime jashtëzakonisht të frytshme me investitorët gjermanë për mundësitë investuese që ofron Kosova. Tani sigurisht që këto aktivitete të kësaj natyre, do t’i koordinojmë edhe më shumë në aspektin profesional, qoftë përmes OEK qoftë përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, qoftë përmes Ministrisë për Tregti e Industri, dhe natyrisht përmes Departamentit për Promovimin e Investimeve të Huaja.

Radio Kosova: Po shfrytëzoj rastin tu shtroj një pyetje për të cilën sigurisht bashkatdhetarët tanë në Gjermani kanë interes të dinë. Sa është konsoliduar stafi diplomatik dhe konsullor në Gjermani dhe në çfarë mase po ia dilni të përmbushni nevojat dhe kërkesat e bashkatdhetarëve tanë atje?

Xhakaliu: Faleminderit për pyetjen. Në vitin që lamë pas 2012 kemi filluar me punësimin e personelit vendor në tri konsullatat që janë në shërbim të bashkatdhetarëve tanë. Shërbimet për ta nuk kanë qenë dhe aq të kënaqshme në të kaluarën, prandaj jemi angazhuar që të rrisim stafin vendor, që konsullatat të kenë staf të mjaftueshëm, më profesionist dhe më të zellshëm. Këtë e kemi arritur në fund të vitit dhe tani të tri konsullatat janë të plotësuara me staf lokal të avancuar, që ofrojnë shërbime profesionale për bashkatdhetarët tanë. Ne në Ambasadë ndërkaq, nga ky muaj, do të kemi edhe dy diplomatë të rinj shtesë, që natyrisht, do të ngrisin edhe cilësinë e punës edhe reputacionin e Ambasadës. Ministria e Jashtme i ka kushtuar shumë kujdes nevojës për shtimin e stafit edhe diplomatik në ambasadë edhe atij vendor në tri konsullatat, sepse ne jemi pikërisht atje për t’u shërbyer bashkatdhetarëve tanë, por edhe për të përfaqësuar vendin tonë në mënyrë të dinjitetshme duke rritur imazhin e tij çdo ditë e më tepër. Shfrytëzoj këtë rast, t’u premtoj bashkatdhetarëve tanë në Gjermani se këtë vit do të kenë shërbime konsullore shumë më të mira, shumë më të shpejta dhe më të përparuara për dokumentacionin e nevojshëm që atyre iu duhet.

Radio Kosova: Faleminderit zoti Ambasador

Xhakaliu: Faleminderit dhe juve.

Intevistoi: Fadil Gashi