Xhaka u befasua me ftesën nga përfaqësuesja

Mesfushori kosovar Granit Xhaka thotë se ishte befasuar që u ftua nga Përfaqësuesja e Zvicrës për ndeshjen eliminatore të Botërorit 2014 të së shtunës kundër Qipros.
Xhaka 20-vjeçar është vetëm rezervist te skuadra e Bundesligës gjermane Borussia Moenchengladbach dhe thotë se nuk priste një ftesë nga trajneri i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld. “Unë jam i lumtur për ftesën në përfaqësuese”.
Të jem i sinqertë, nuk e kam pritur këtë fare. Kam qenë pak i befasuar kur jam ftuar”, ka thënë Xhaka, përcjell “20minuten.ch” të mërkurën.
Xhaka thotë se nuk po ndihet mirë me situatën e tashme në Gladbach. “Do të gënjeja, po të thosha se situata në klub nuk më shqetëson. Në Basel po ndriçonte vetëm Dielli për mua. Natyrisht se isha në dijeni se nuk do të mund të vazhdoj gjithmonë ashtu, por nuk kam mundur të paramendoj se do të zgjasë kjo situatë në Gladbach kaq shumë”, ka thënë Xhaka.
Ai kundër Qipros pritet të nisë ndeshjen nga banka rezervë. Në Përfaqësuesen e Zvicrës pos Xhakës janë ftuar edhe Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Blerim Xhemajli e Admir Mehmedi.